Si të bëheni më të sigurt në vete? Vetëvlerësimi nuk mund rindërtohet, apo përmirësohet brenda natës.
Fitimi i vetëbesimit kërkon kohë, por ka disa mënyra që mund t’ju ndihmojnë nëse ju duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje të vështirë, të sikletshme ose veçanërisht komplekse. Një nga këto truke përdoret nga njerëz të suksesshëm si Jeff Bezos, Elon Musk apo Tim Cook.
Tim Cook, Elon Musk dhe Jeff Bezos drejtojnë kompani shumë të suksesshme dhe me vlerë të lartë në botë dhe njihen sepse kanë personalitete mjaft të ndryshme. Përveç fuqisë dhe pasurisë, kanë të përbashkët një praktikë komunikimi mjaft efikase, që e përdorin me bashkëbiseduesit e tyre: heshtjen.
Ky është një rregull i cili ju lejon të bëheni më të sigurt në vete, duke mos u nxituar të thoni përpara të tjerëve gjënë e parë që ju vjen ndër mend, por të merrni kohën e nevojshme për të pasur, gjithnjë nën kontroll, çdo diskutim.
Rregulli i heshtjes
Rregulli i heshtjes është shumë i thjeshtë dhe shkakton shpesh një ndjesi sikleti. Përballë një pyetje të vështirë, në vend që të përgjigjemi, duhet të ndalemi dhe të mendojmë thellë për atë që do të duam të themi.
Nuk bëhet fjalë gjithnjë për një pauzë të shkurtër dhe mund të marrim disa sekonda, 10, 20 apo më shumë, për të menduar me kujdes, para një diskutimi.
Në Apple, Cook e praktikon rregullin e heshtjes prej disa vitesh. Që në vitin 2008, në artikull i Fortune shkruante se gjatë mbledhjeve, Cook njihej për “pauzat e gjata dhe të sikletshme”
Jeff Bezos përdor gjithashtu rregullin e heshtjes dhe e bën atë në një mënyrë më metodike. Në fillim të mbledhjeve të kompanisë, ai merr deri në 30 minuta kohë për të lexuar raportet, pa thënë asnjë fjalë. Ideja është që të pranishmit të kenë mundësinë të lexojnë raportet pa ndërprerje, të arsyetojnë, të mendojnë dhe të bëjnë shënimet e nevojshme.
“Për punonjësit e rinj, në fillim, kjo është një përvojë e çuditshme” – tha Bezos në një intervistë tjetër për Fortune. “Nuk janë mësuar të ulen qetësisht në një dhomë dhe ta kthejnë atë në një sallë të përbashkët studimi me drejtues të tjerë”.
Cook dhe Bezos nuk janë të vetmit që praktikojnë rregullin e heshtjes. Elon Musk, gjatë intervistave, ndalet shpesh 5 – 15 sekonda për të menduar para se të japë një përgjigje.
Steve Jobs, një herë, qëndroi thuajse 20 sekonda në heshtje, para se të reagonte ndaj një sulmi personal, duke dhënë më pas një përgjigje të mençur.
Rregulli i heshtjes ka qenë gjithmonë një burim i çmuar komunikimi dhe tregues i vlefshëm i inteligjencës emocionale, sepse ju lejon të balanconi racionalitetin dhe emocionet, duke mos u dominuar vetëm nga instinkti.
Në shoqërinë e komunikimit global, ku gjithçka është e shpejtë dhe e menjëhershme, ky rregull është më shumë se kurrë i dobishëm.
Sot, ne shpesh nxitojmë të përgjigjemi ose të formulojmë një mendim, në vend që të ruajmë qetësinë dhe të japim një përgjigje inteligjente, jo gjëja e parë që na vjen ndër mend.
Përse rregulli i heshtjes është më i çmuar se kurrë
Mendimi kritik kërkon një analizë të thellë dhe të kujdesshme të termave të një problemi. Nevojiten aftësi të introspektimit dhe durim për të verifikuar përfundimet që kemi arritur. Shqyrtimi, studimi i fakteve dhe arsyetimi i kujdesshëm kërkojnë kohë dhe përqendrim, pa të cilat nuk krijohen lidhje dhe ide inteligjente.
Kur ju përdorni rregullin e heshtjes, fitoni kohë, të cilën e shpërdoroni kur jepni përgjigje pa kuptim. Pasi e praktikoni herën e parë, rregulli i heshtjes bëhet gjithnjë e më pak i sikletshëm. Të ndaleni gjatë dhe të mendoni ndaj gjërave mund të duket e çuditshme në fillim, por sapo të filloni të kuptoni të gjitha përfitimet e mëdha që ofron, do të duket normale dhe e nevojshme.
Rregulli i heshtjes ju lejon të ushtroni plotësisht aftësitë tuaja të të menduarit, të shkoni në mënyrë më efektive te rrënjët e problemeve ose të jepni përgjigje të thella dhe të menduara. Të gjitha këto përfitime rrisin vetëvlerësimin.
Në përfundim, herën tjetër që dikush do t’ju bëjë një pyetje të vështirë, ose edhe nëse pyetja është e thjeshtë, rezistojini tundimit për t’iu përgjigjur pa u menduar. Prisni 20 ose 30 sekonda, arsyetoni dhe do të gjeni përgjigjen e duhur. Dalëngadalë do të fitoni vetëbesim.
/ GQ Italia