Organizatat dhe individët po tregojnë një fokus të shtuar te qëndrueshmëria. Por, një nga burimet që tradicionalisht nuk ka qenë pjesë e këtij fokusi është fuqia punëtore.
Është e domosdoshme të gjehen mënyra për të mbështetur njerëzit dhe ekipet që punojnë për biznese të të gjitha llojeve, në mbarë botën. Nëse rritja vjen në kurriz të mirëqenies së ekipeve tona, suksesi do të jetë i shkurtër.
Pothuajse dy vjet që nga koha kur pandemia ndryshoi tërësisht botën e punës – duke i bërë disa njerëz të kalojnë në modele të reja të punës në distancë dhe duke i detyruar disa të tjerë që të rrezikonin më shumë duke vazhduar punën onsite – mund të vihet re se modelet e vjetra të punës janë të sforcuara. Shumë punonjës të niveleve jo-ekzekutive nuk duan që të rikthehen te këto modele të vjetra, ndërsa drejtuesit priren për të kundërtën.
Këto reagime të ndryshme rreth kthimit në punë nxjerrin në pah një diferencim më të madh midis dy grupeve. Për të ofruar atë që punonjësit duan, drejtuesit duhet të bisedojnë me anëtarët e ekipit të tyre për të kuptuar se çfarë i motivon ata. Megjithatë, shumica e drejtuesve raportojnë se ata po bëjnë plane për modelin e punës pas pandemisë, pa marrë në konsideratë mendimet e punonjësve.
Punonjësit janë të pakënaqur dhe duan ndryshim
Disa punonjës janë të frymëzuar nga mënyrat e reja të punës që kanë zbuluar gjatë pandemisë, ndërsa të tjerë janë të pakënaqur nga presionet shtesë që duhej të përballonin. Disa thjesht e kanë kuptuar që, përballë rrezikut të sëmundjes dhe të vdekjes, duan më shumë nga jeta e tyre. Ata nuk duan të përshtasin jetën e tyre rreth punës, por duan që puna t’i përshtatet jetës së tyre.
“Dorëheqja e Madhe” është një shenjë e ndryshimit të kësaj mendësie. Njerëzit po largohen nga puna në shifra shumë të larta. Më shumë se gjysma (57%) e të gjithë punonjësve të specializaur iu përgjigjën një sondazhi të Future Forum duke thënë se janë të hapur për të kërkuar një punë të re; përqindja rritet në 71% kur bëhet fjalë për punonjësit që nuk janë të kënaqur me shkallën e fleksibilitetit që ofron puna e tyre aktuale.
Bizneset e të gjitha llojeve raportojnë vështirësi në plotësimin e pozicioneve të lira të punës. Kjo situatë nuk përfshin vetëm nëpunësit. Ata që punojnë në prodhim, në shitje me pakicë, në shërbime, janë gjithashtu të etur për modele të reja të punës fleksibël.
Punëdhënësit kanë një mundësi për ta pranuar këtë realitet
E gjithë kjo situatë mund të sjellë një avantazh të madh. Ne kemi krijuar (pa dashje) një mundësi për të krijuar një model të ri më të qëndrueshëm të punës. Dorëheqja e Madhe duhet t’ia lërë vendin Riorganizimit të Madh, duke i rikonceptuar vendet e punës në mënyrë që ato të plotësojnë nevojat dhe dëshirat e punonjësve, si dhe të rrisin cilësinë e tyre të jetës. Në këtë mënyrë, do të ecet përpara drejt krijimit të bizneseve të së ardhmes.
Kjo mënyrë e re e të menduarit është më e mirë si për punonjësit, ashtu edhe për organizatat që e pranojnë atë. Kompanitë do të fitojnë aftësinë për të tërhequr dhe për të mbajtur talentet – talente që me të vërtetë dëshirojnë të punojnë aty, pavarësisht nëse ka një ndërlidhje dixhitale.
Decentralizoni vendimmarrjen. Në vend që ta përqendroni përgjegjësinë e vendimmarrjes në duart e drejtuesve të zgjedhur, shtyjeni atë në nivele të tjera më të ulëta të organizatës. Kjo do të sjellë një ndjenjë përgjegjësie dhe investimi, duke frymëzuar punonjësit për t’u angazhuar. Nëse i jepni punonjësve mundësi që të përdorin gjykimin e tyre, kjo do të sillte një kreativitet të ri në vendimmarrje.
Ndërtoni një kulturë besimi dhe transparence. Në një vend pune fleksibël, besimi dhe transparenca janë më të rëndësishme se kurrë. Të gjithë duhet të jenë në gjendje të kenë besim se puna po kryhet.
Deborah Lovich, Drejtoreshë dhe Partnere në Boston Consulting Group, përshkruan punën gjatë COVID, “Liderët thjesht duhej t’u besonin njerëzve të tyre. Ata nuk kishin kohë për mbledhje të vazhdueshme dhe prezantime në PowerPoint. Thjesht duhej t’u besonin njerëzve.” Ne shpesh nuk e kuptojmë se sa ndikim mund të ketë një kulturë besimi, por ai mund të bëhet aq i fortë dhe afatgjatë sa njerëzit as nuk e kuptojnë sa herë gjatë ditë presin pa vetëdije që gjërat thjesht të funksionojnë ashtu siç duhet. Kjo kulturë mund dhe duhet të shtrihet te të gjitha vendet e punës.
Mbështesni punën fleksibël. Ka shumë të dhëna që tregojnë dëshirën e punonjësve për të punuar në distancë, të paktën herë pas here. Njerëzit gjithashtu raportojnë se duan fleksibilitet kur punojnë. Të dy këta faktorë do t’u mundësojnë atyre të përshtasin punën me jetën e tyre, jo të kundërtën. Megjithatë, fleksibiliteti nuk mund të bazohet te një plan i rishikuar, por që mbetet statik. Ndryshimi duhet të jetë i vazhdueshëm. Nuk ka një model që i përshtatet të gjitha rrethanave, madje as brenda së njëjtës kompani apo të njëjtit departament të një kompanie. / World Economic Forum