Është koha për të rimenduar vlerësimin e rendimentit
Kur i trajnoni punonjësit për të përmirësuar rezultatet dhe për të rritur rendimentin, si e bëni këtë?
Nëse jeni si shumica e drejtuesve, ju identifikoni pikat e forta dhe të dobëta të tyre, duke u përqendruar në fushat ku ndryshimi i sjelljes së tyre, mund të krijojë rezultate më të mira. Ka vetëm një problem me këtë mënyrë – thjesht nuk funksionon.
Kjo njohuri vjen nga kryetari i Gallup, Jim Clifton, dhe shkencëtari Jim Harter, në librin e ri “Culture Shock”.
“Kjo mënyrë nuk arrin të përmirësojë rendimentin,” shkruajnë autorët. “Vetëm 19 % e punonjësve pajtohen me mënyrën se si menaxhohen i motivon ata, të bëjnë punë shumë të mirë.”
Truri i njeriut, synon të përqendrohet në anët negative. Kjo tendencë, ndikon në mënyrën se si shumica e drejtuesve japin vlerësime, duke folur për “mundësitë për përmirësim”.
Ndërsa ata mund të pranojnë pikat e forta ose përmirësimet e rendimentit gjatë rrugës, praktikat tradicionale të menaxhimit vlerësojnë dhe rendisin punonjësit, duke u përqendruar që t’i ndihmojnë ata në fushat ku janë më dobët.
Për fat të keq, ndërsa truri i drejtuesit është i prirur për t’u fokusuar në anët negative, truri i punonjësit është i prirur për të kërkuar miratimin dhe lavdërimin.
Rezultati është një mospërputhje e madhe. “Kritikat e vazhdueshme, e bëjnë pothuajse të pamundur, që një menaxher dhe punonjës, të ndërtojnë një marrëdhënie të shëndetshme”, shkruajnë Clifton dhe Harter.
Vlerësimi i arritjeve në punë
Çfarë mund të bëhet për këtë? Ndryshimi i parë dhe më i lehtë, është të rregulloni mënyrën se si diskutoni rezultatet me çdo punonjës.
Çfarëdo që mund t’ju thotë instinkti, është më mirë të shpenzoni më shumë kohë duke folur për atë që po bëjnë mirë, sesa për atë që ka nevojë për përmirësim.
Patjetër që punonjësit duhen njoftuar kur pjesë të punës së tyre, kanë nevojë të përmirësohen. Por, nëse fillimisht theksoni anët pozitive, do të jetë shumë më e lehtë për ata punonjës, që t’i bëjnë ato përmirësime.
Ndryshimi i dytë, që autorët sugjerojnë, është më i thellë, por ai mund të përfundojë duke ngarkuar së tepërmi rezultatet dhe rendimentin e kompanisë.
Ata thonë se shumica e menaxherëve, nisin nga premisa se ne jemi të gjithë njësoj dhe zhvillohemi në të njëjtën mënyrë, dhe të gjithë duhet të jemi të mirë.
Ky mentalitet, na shtyn të inkurajojmë punonjësit, që të punojnë në fushat e tyre të dobëta, ndoshta duke u dhënë atyre qëllimisht detyra, që i konsiderojnë sfiduese, në mënyrë që të mund të përmirësohen në ato fusha.
Në vend të kësaj, autorët propozojnë një mendim tjetër:
“Ne të gjithë kemi talentet tona të veçanta, që mund të shndërrohen në aftësi të jashtëzakonshme.”
Kjo mënyrë të menduari, ju inkurajon të luani me pikat e forta të punonjësve, në vend të dobësive të tyre, duke u dhënë atyre më shumë nga detyrat në të cilat ata shkëlqejnë, në mënyrë që të mësojnë t’i bëjnë ato edhe më mirë. Në thelb, po e ndryshoni punën për t’iu përshtatur personit, dhe jo anasjelltas.
Padyshim, që nuk do të jeni në gjendje të keni punonjës, që punojnë në detyra që ata janë të mirë gjatë gjithë kohës, por studimi i Gallup tregon se sa më shumë ta bëni këtë, aq më të lumtur dhe më të angazhuar do të jenë punonjësit tuaj.
Në një studim të vitit 2022, kompania pyeti punonjësit se si ndiheshin për punën e tyre dhe gjithashtu të përshkruanin një ditë të zakonshme pune.
Ata zbuluan se punonjësit më të angazhuar, ata që e donin më shumë punën e tyre, shpenzonin rreth pesë herë më shumë kohë duke bërë punë, që ishin në përshtatje me pikat e tyre të forta, krahasuar me punën në të cilën ata nuk ishin të mirë.
Anasjelltas, zbuloi studimi, punonjësit që raportuan se ishin të pakënaqur dhe ndiheshin të shkëputur nga puna e tyre, zakonisht shpenzonin rreth gjysmën e kohës duke kryer detyra në përputhje me pikat e tyre të forta dhe gjysmën, duke kryer detyra në të cilat nuk ishin të mirë.
Shumë sipërmarrës ose drejtues biznesi, janë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të vlerësojnë punonjësit e tyre dhe t’i mbajnë ata të angazhuar në punë — veçanërisht në këto kohë me vështirësi ekonomike, si dhe me një treg pune të kufizuar.
Të ndihmosh punonjësit të zhvillojnë pikat e forta, në vend që të rregullojnë anët e dobëta, u sjell përfitime atyre, pasi do të jenë më të lumtur në punë, si dhe më të angazhuar që të punojnë me potencial të plotë. / Inc