Shqipëria llogarit primin e sigurimeve më të ulët për frymë krahasuar me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për gjeografinë e shpërndarjes së sigurimeve 2013 primi për frymë u llogarit në rreth 3,000 lekë me ulje prej rreth 271 lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifra tregon densitetin shumë t ulët të sigurimeve në raport me popullsinë në Shqipëri, në një kohë kur në vendet e rajonit ajo u llogarit mesatarisht në 100 euro/frymë për vitin 2013. Në vendet e Europës primi i sigurimeve për banorë shkon nga 1,000 dollarë deri në 40,000 dollarë, siç është rasti i Luksemburgut.
AMF në publikimin e saj bën të ditur se për sa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 7,232.83 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 2,704.91 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,264.66 lekë për frymë dhe 1,524.80 lekë për frymë.
Ndërsa në lidhje me dëmet e paguara gjatë vitit 2013, sipas prefekturave, përsëri, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 60.57%, e pasuar nga prefektura Vlorë me 6.86%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.