Më shumë prona janë siguruar në 10 muajt e këtij viti, por volumi i primeve u tkurr me të paktën 28% në raport me një vit më parë. Kjo do të thotë se pronat e siguruara janë me një vlerë më të vogël.
Siguruesit shpjegojnë se kjo lidhet edhe me një lloj tendence të sigurimit të banesave të reja të marra me kredi, çka ndikon në një numër lehtësisht më të lartë. Kjo bazohet edhe tek të dhënat e sektorit bankar, ku sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit huaja për blerje banesash nga individët u rrit me 4.5%, udhëhequr nga Tirana e cila ka një rritje 6.6% të stokut të huasë për këtë qëllim. Por çfarë tregojnë të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare?
“Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – tetor 2019 siguruan mbi 2,006 milionë lekë të ardhura në total. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 7.91%, ndjekur nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 17.76% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – tetor 2019, vihet re një ulje prej 28.11% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.93% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- tetor 2018.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – tetor 2019, arritën në rreth 1,016 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 5.70% në krahasim me periudhën janar- tetor 2018” thuhet në raportimin e AMF.
Por pavarësisht kësaj sigurimi vullnetar vijon të mbetet pjesa më anemike e tregut të sigurimeve duke bërë që kryesimin ta ketë sigurimi i detyrueshëm dhe kjo e lidhur me sigurimin e detyrueshëm motorik.
AMF nënvizon se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – tetor 2019 arritën rreth 9,102 milionë lekë, ose 4.72% më shumë se në periudhën janar- tetor 2018.
“Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar- tetor pati një rritje prej 5.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.10% krahasuar me periudhën janar- tetor 2018.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – tetor pati një rritje prej 5.63% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 24.28% krahasuar me periudhën janar- tetor 2018.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – qershor, pati një ulje 7.36% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar- tetor 2018. Numri i kontratave gjithashtu u ul me 4.90%” nënvizon raporti.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar- tetor kapën vlerën mbi 14,289 milionë lekë, ose 3.94% më shumë se në periudhën janar- tetor 2018. Gjatë periudhës janar- tetor 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,105,059 me një rritje 3.43% krahasuar me periudhën janar- tetor 2018.
Nga ana tjetër pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar- tetor 2019 u rritën me 7.87% krahasuar me periudhën janar- tetor 2018. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,854 milionë lekë, apo 56.71% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.