Banka e Shqipërisë ka analizuar sjellja e bankave ndaj kreditimit në vend dhe në rajon, nisur nga fakti që në praninë e lartë të bankave të huaja në vend, politikat dhe strategjitë e ndjekura në një pjesë të rëndësishme të tyre janë diktuar nga bankat mëma. Zhvillime të ngjashme janë vënë re edhe në një pjesë të madhe të vendeve të rajonit, ku prania e grupeve bankare të huaja – të njëjtë ose jo me ato në vendin tonë – është njëlloj e rëndësishme për kreditimin e ekonomisë. Sipas BSH-së, deri në vitin 2008 kredia në të gjitha vendet e rajonit është rritur me ritme të shpejta, ndërkohë që me fillimin e krizës vërehet ngadalësim i dukshëm i saj.
Vrojtimet dhe analizat e kryera në vendet e rajonit të EQJL-së, sipas BSH, tregojnë se grupet bankare të pranishme në këto vende kanë ndërmarrë procese të gjata ristrukturimi në nivel grupi, për bankat ose degët e tyre që operojnë jashtë. Në gjithë këtë proces, spikat ulja e ndjeshme e levës financiare të grupeve bankare në nivel global. Këto zhvillime ndahen në dy etapa kryesore, të cilat janë dhe pararendëse të platformave Iniciativa e Vjenës 1.0 dhe 2.0. Periudha e parë, e cila filloi në kulmin e krizës në fund të vitit 2008 dhe fillim të vitit 2009 dhe zgjati deri në mes të vitit 2011, karakterizohet nga rënia e shpejtë e levës financiare në këtë rajon. Kjo periudhë çoi në krijimin dhe përmbylljen e suksesshme të Iniciativa e Vjenës 1.0, në adresimin e problemeve të likuiditetit dhe stabilitetit financiar, pengimin e tërheqjes së pakontrolluar të grupeve bankare nga tregjet e rajonit të EQJL-së dhe mënjanimin e një krize financiare rajonale.
Ndërsa faza e dytë, e cila çoi në krijimin e platformës vijuese Iniciativa e Vjenës 2.0, u karakterizua nga një valë reduktimi e ekspozimit të grupeve bankare ndërkombëtare në rajonin e EQJL-së, që filloi në mes të vitit 2011. Kjo fazë u shtri pak a shumë deri në fund të vitit 2012, periudhë në të cilën filloi frenimi gradual i uljes së pakontrolluar të reduktimit të levës financiare dhe ekspozimit në rajon.
Megjithatë, thekson BSH, ecuria e reduktimit të levës financiare dhe ekspozimit të grupeve bankare në vendet e rajonit nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe e njëkohshme në të gjitha vendet.
Kushtëzimet në aktivitetin kreditues vijojnë të jenë të pranishme, pavarësisht se grupet e huaja bankare mbeten të angazhuara në këtë rajon për vetë rëndësinë e tij në operacionet e tyre në nivel global. Strategjitë e tyre po bëhen gjithmonë e më përzgjedhëse, duke ndjekur plane më specifike në varësi të vendit përkatës dhe duke konvergjuar kryesisht drejt atyre tregjeve që ofrojnë mundësi më të mëdha zhvillimi në terma afatgjatë. Një model i ri bankar po shfaqet në këto vende, ku grupet bankare ndërkombëtare po tentojnë t’u japin më shumë pavarësi filialeve të tyre që operojnë në këtë rajon. Ky model mbështet një rritje më të balancuar, bazuar më shumë në burimet e brendshme. Pavarësisht kësaj, bankat e huaja (dhe ato vendase) kanë ndjekur në tërësi politika shtrënguese në kreditimin e agjentëve ekonomikë, në kuadër të konsolidimit të bilanceve të tyre. Masat e marra në kuadrin rregullator evropian dhe cilësia e portofolit të kredisë mbeten dy nga treguesit kryesorë që vijojnë të kushtëzojnë kredidhënien në këtë rajon.
Situata e vështirë është kapërcyer
Megjithatë, duket se situata më e vështirë është kapërcyer dhe shenjat për ecurinë në vijim janë disi më pozitive. Në vrojtimin e fundit të kryer nga Banka Evropiane e Investimeve60, 50% e grupeve bankare të huaja të marra në vrojtim sinjalizojnë se kanë reduktuar ekspozimin e tyre në këtë rajon në të kaluarën – kryesisht në formën e reduktimit të fondeve brenda grupit – por vetëm 30% e tyre parashikojnë të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen. Më konkretisht, vetëm 40% e grupeve bankare nga 70%, në gjysmën e dytë të vitit 2013, parashikojnë të ulin më tej përdorimin e levës financiare.
Sinjale pozitive në përmirësimin e situatës janë regjistruar edhe në vrojtimin e aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë të vitit, ku, për herë të parë që nga tremujori i parë i vitit 2011, bankat kanë lehtësuar në total standardet e kreditimit të bizneseve. Gjithashtu, burimi i fondeve të financimit të bankave në rajon po diversifikohet, ku vërehet një zhvendosje nga likuiditeti i dhënë nga bankat qendrore te fondet e siguruara nëpërmjet tregjeve financiare, duke sinjalizuar një përmirësim të kushteve të sistemit bankar në nivel global. Ndërsa kriza financiare u përhap më shpejt falë efektit domino të një sistemi financiar të integruar dhe të mirëlidhur, shenjat e para pozitive për rigjallërimin e aktivitetit të grupeve bankare të huaja në rajon ka mundësi të përhapen në të njëjtën mënyrë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.