Cilat janë ndryshimet që janë përfshirë në projektligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Arsimi do të vijojë të mos paguajë TVSH, ndërkohë që rihyjnë në skemë reklamat në media, materialet e ndërtimit për HEC-et dhe operacionet e kërkimeve nëntokësore.
Projektligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që është hartuar tashmë nga Ministria e Financave, është përfshirë në diskutime me grupet e interesit.
Zyrtarët e Financave prej ditësh kanë mbledhur shoqatat e biznesit, dhomat e avokatisë dhe të tjera palë të interesuara për të përcaktuar edhe ndryshimet e fundit që do të ndodhin në projektligjin për TVSH-në. Ai tashmë i është përcjellë për mendim Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Integrimit.
Ky projektligj do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Institucioni që do të zbatojë këtë ligj është Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është përgjegjëse për të vlerësuar, për të ngarkuar, për të kërkuar dhe për të mbledhur TVSH-në në importe, eksporte dhe në lidhje me regjimet e tjera doganore sipas këtij ligji.
Revista ‘Monitor’ publikon ndryshimet që pritet të sjellë projektligji i ri mbi TVSH, bazuar në relacionin e hartuar nga Ministria e Financave.
Risitë në mjekësi
Ulja e TVSH-së së barnave, e cila ka hyrë tashmë në fuqi përmes një udhëzimi të qeverisë, do të përfshihet edhe në ligjin e ri për të këtë taksë. Furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar nga TVSH. Për barnat e importuara dhe të prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën 1 prill 2014, do të aplikohet TVSH-ja në shitje siç rezulton e shënuar në pullë.
Operacionet e përjashtuara sipas këtij ligji janë: shërbimet shëndetësore dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të lidhura ngushtë me to, të kryera si nga institucionet shëndetësore publike dhe nga ato private, por këto të fundit duhet të kryejnë shërbimin në kushte sociale të krahasueshme me ato publike që të përfitojnë nga përjashtimi.
Ndërkohë, përjashtohen nga TVSH edhe shërbimet e mjekëve në kuadër të ushtrimit të profesionit të tyre, të licencuar nga autoriteti kompetent shëndetësor, shërbimet e stomatologëve dhe laborantëve dentarë në kuadër të ushtrimit të profesionit, furnizimi i organeve, gjakut, qumështit njerëzor, shërbimet dhe mallrat që kanë të bëjnë me ndihmën sociale, mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, furnizimi i shërbimeve sportive, kulturore kur këto shërbime kryhen nga organizata pa qëllim fitimi dhe me çmime të cilat, nëse nuk janë të aprovuara nga institucionet përkatëse, janë jokonkurruese. Këtu është vendosur si kriter çmimi nën 50% të çmimeve të tregut siç është aktualisht sipas VKM-së, pra që të rezultojë si masë e marrë për çmime që nuk janë konkurruese me subjektet me TVSH dhe nuk kanë për qëllim fitimin.
Arsimi mbetet jashtë TVSH
Arsimi do të jetë vijojë të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe universitetet private do të vijojnë të mos paguajnë TVSH.
Përfaqësuesit e sektorit kishin deklaruar se përfshirja e tij në TVSH ishte e padrejtë pasi arsimi ndryshon nga bizneset tipike, sepse shet një shërbim social që ndikon në zhvillimin e shoqërisë.
Sipas relacionit të TVSH, ato që përjashtohen nga kjo taksë janë furnizimet e shërbimeve të mësimdhënies shkollore dhe universitare sipas ligjeve specifike si dhe furnizimi i mësimdhënies shkollore apo universitare nga mësuesit në emër personal.
Reklamat në media, tashmë me TVSH
Reklamat që do të publikohen apo do të transmetohen në media tashmë do të paguajnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Dhtuar, Siç përcaktohet në projektligj, reklamat nga media e shkruar ose elektronike nuk janë të përjashtuara nga TVSH.
Kjo përbënte një shqetësim për agjencitë publicitare të cilat duhet të paguanin TVSH dhe prandaj i faturonin kompanitë me një çmim automatikisht 20% më të lartë, çka shtyu bizneset të lidheshin direkt me mediat duke shmangur këtë kosto. Rivendosja e TVSH-së për reklamat në media pritet të rregullojë edhe tregun e publicitetit në vend dhe ta formalizojë atë edhe më shumë.
Vetë media do të vijojë të mbetet e përjashtuar nga TVSH.
“Furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave, përveç reklamës, e kemi mbartur si të përjashtuar, por theksojmë se direktivat europiane nuk e kanë të përjashtuar”, theksohet në relacionin e TVSH.
Ndërkohë, shërbimet financiare në përgjithësi me ndonjë ndryshim të vogël do të mbeten të përjashtuara në përputhje edhe me direktivën; pullat postare, pulla të taksës e të ngjashme; lojërat e fatit, bastet; furnizimi i ndërtesave; tokës, qiradhënia e ndërtesave me disa përjashtime.
Furnizimi i kartave të identitetit po ashtu është specifike, pasi Direktiva nuk e ka një parashikim të tillë.
TVSH edhe për materialet e ndërtimit për HEC-et si dhe kërkimet për naftë
Gjithashtu është hequr përjashtimi për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve. Përjashtimi nga TVSH ishte një masë e ndërmarrë nga qeveria e mëparshme me qëllim nxitjen e investimeve në energjetikë dhe mbështetjen e sipërmarrësve, duke lehtësuar kostot.
Ndërkohë edhe përjashtimi nga TVSH për furnizimet e shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave, si dhe furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre është hequr. Të gjitha këto shërbime tashmë do të jenë pjesë e TVSH.
Rimbursim në 30 ditë për eksportuesit
Për të përmbushur kërkesat e fasonistëve dhe të gjithë eksportuesve të tjerë, Ministria e Financave ka ndërmarrë iniciativën duke reflektuar për rimbursimin në një kohë të shkurtër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), nëpërmjet sistemit të thesarit. Kjo tashmë është përfshirë edhe në projektligjin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë. Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400.000 (katërqind mijë) lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Deri më sot nuk kishte një Vendim të Këshillit të Ministrave që të përcaktonte kategorinë e eksportuesve, për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së. Të tilla përcaktime janë bërë në udhëzimin e ministrit të Financave, nr. 17, datë 27.04.1995 “Për TVSH-në”, të ndryshuar. Për këtë arsye, projektvendimi i paraqitur për miratim plotëson këtë vakuum nënligjor. Konkretisht, në pikën 1 të projektvendimit përcaktohet se cilët tatimpagues do të konsiderohet eksportues në kuptim të nenit 50 të ligjit. Propozohet që të konsiderohet eksportues, çdo tatimpagues i cili plotëson tre kushte:
a. Eksporton sipas kuptimit të nenit 181 dhe 182 të Kodit Doganor të RSH;
b. Vlera e eksporteve të bëra në periudhën (-at) tatimore për të cilën(-at) kërkohet rimbursim, përbën më shumë se 60% të vlerës totale të shitjeve përfshirë eksportet;
c. Ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400.000 lekë.
Plotësimi i këtyre tre kushteve për një tatimpagues-eksportues e qartëson dhe e dallon atë nga kategoria tjetër e tatimpaguesve, të cilëve kontrolli dhe verifikimi i tepricës kreditore iu bëhet brenda 60 ditëve.
E drejta e zbritjes së TVSH
Konkretisht e drejta e zbritjes së TVSH-së lidhet ngushtë me përdorimin e mallrave për të cilat është paguar TVSH dhe bazuar në të drejtën e përdorimit janë përcaktuar edhe rregullat e së drejtës së zbritjes.
Gjithashtu është bërë dallimi, duke i trajtuar si furnizime me shkallë zero, pasi për të gjitha furnizimet me shkallë zero lind e drejta e zbritjes së TVSH-së.
Kjo e drejtë lind gjithashtu për furnizime të kryera jashtë Shqipërisë, të cilat po të kryheshin brenda Shqipërisë do t’i jepnin personit të tatueshëm të drejtën e zbritjes si dhe për furnizimet e përjashtuara për sigurimet dhe shërbimet financiare kur këto bëhen jashtë Shqipërisë, përsëri lind e drejta e zbritjes.
Rregullat për zbritjen e pjesshme të TVSH-së jepen pasi përcaktohen konceptet e qarkullimit, si dhe të përqindjes fillestare dhe përfundimtare. Pak a shumë është procedurë e ngjashme si ajo aktuale, por është hequr kriteri i ndryshimit të koeficientit me 20 si kriter për të aplikuar ose jo rregullimin e kreditimit.
Gjithashtu janë përcaktuar kufizimet e së drejtës së zbritjes të cilat aktualisht janë të trajtuara në Udhëzimin e TVSH-së. Tek kufizimet e së drejtës së zbritjes janë shtuar shpenzimet e luksit dhe të përfaqësimit përtej normës së lejuar për njohjen e tyre si shpenzime të zbritshme sipas “Ligjit të tatimit mbi të ardhurat”.
Për të mbështetur investimet, janë mbajtur përjashtimet nga TVSH të makinerive dhe pajisjeve sipas ligjit aktual në fuqi, është mbajtur skema e shtyrjes së TVSH-së së makinerive dhe pajisjeve, importimi i mjeteve, të cilat ndihmojnë në integrimin në jetë të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, përfshirë këtu dhe autovetura të përshtatura për përdorim prej tyre.
Projektligji
-Kapitulli i parë i ligjit “Objekti dhe fusha e zbatimit” përbëhet nga 2 nene, të cilat japin përkufizimin e TVSH-së, si dhe fushën e zbatimit të saj.
-Kapitulli i dytë “Personat e tatueshëm” përbëhet nga 4 nene në të cilat jepen qartësisht nocionet e personit të tatueshëm, veprimtarisë ekonomike, ushtrimi i një veprimtarie në mënyrë të pavarur, duke bërë dallimin e personave të lidhur me një punëdhënës nëpërmjet një kontrate punësimi apo çdo lloj marrëdhënie që krijon një lidhje punëdhënës-punëmarrës, si dhe duke bërë qartë dallimin se kur entet publike nuk konsiderohen persona të tatueshëm dhe kur konsiderohen si të tillë për qëllime të këtij ligji. Gjithashtu është përcaktuar edhe një listë me veprimtaritë, të cilat kur i kryejnë entet publike janë të tatueshme.
Në ligjin aktual këto nocione nuk kanë qenë të qarta dhe të mirpërcaktuara. P.sh., konsiderohej person i tatueshëm ai person i cili ka qenë i regjistruar dhe nuk është çregjistruar. Nuk kemi pasur një nocion të qartë për veprimtarinë ekonomike.
-Kapitulli i tretë “Operacionet e tatueshme” përbëhet nga 4 seksione konkretisht: Furnizimet e mallrave, shërbimeve, importet dhe të tjera operacione, në total janë 11 nene.
Është dhënë koncept më i gjerë dhe më i qartë për furnizimin e mallrave, duke përcaktuar në ligj dhe duke trajtuar si mallra edhe të drejtat mbi pasurinë e paluajtshme, aksioneve që i japin mbajtësit të tyre të drejtën e zotërimit ose shfrytëzimit të pasurisë së paluajtshme.
Po ashtu, transferimi i mallrave mbi bazën e një kontrate sipas së cilës, komisionerit i paguhet komision për blerjen ose shitjen ndërkohë që ai është ose bëhet pronar i mallit sipas konceptit të furnizimit të mallit është furnizim malli.
Në ligjin aktual ka vetëm një nocion për agjentin i cili vepron për kryesorin e tij, pa bërë dallim kur ai sillet si agjent transparent, pra kur përfiton vetëm komisionin dhe shërbimin apo furnizimin e mallit e ofron kryesori, si dhe kur ai është agjent i fshehur, pra e blen mallin për t’ia shitur atij që e ka kërkuar atë duke marrë në zotërim mallin dhe duke u bërë pronar i tij dhe në këtë rast i gjithë furnizimi trajtohet si furnizim malli.
Në ligjin e ri trajtohet më gjerë dhe i detajuar për çdo rast “furnizimi i mallrave kundrejt pagesës”. Në këtë ligj, ndryshe nga ligji aktual janë ndarë në 2 nene me vetëfurnizimi i mallrave kundrejt pagesës nga furnizimi i shërbimeve kundrejt pagesës. Ka një dallim nga ligji aktual në lidhje me nocionin e dhuratave me vlerë të vogël. Sipas këtij ligji, dhuratat me vlerë të vogël nuk konsiderohen furnizime kundrejt pagesës. Ministri i Financave ka të drejtë të përcaktojë me udhëzim se cilat do të konsiderohen “mostër” dhe vlerën maksimale të “dhuratave me vlerë të vogël”.
Ndërkohë që në ligjin aktual çdo gjë që quhet dhuratë konsiderohej furnizim kundrejt pagesës pavarësisht vlerës së tyre, madje edhe artikujt publicitarë dhe promocionalë me vlerë të vogël, të cilat nuk i konsiderojmë si furnizim kundrejt pagesës, me udhëzim kanë të kufizuar të drejtën e zbritjes së TVSH-së në blerje.
Furnizimi i shërbimit është zgjeruar dhe pasuruar si koncept p.sh. kalimi i pasurisë së patrupëzuar konsiderohet furnizim shërbimi, si edhe çdo operacion me aksionet, pjesëmarrjet në shoqëri etj., kur nuk kanë të bëjnë me pasuri të paluajtshme përsëri janë përcaktuar si furnizime shërbimi.
Më tej është rikonceptuar vetëfurnizimi, transferimi i veprimtarisë ekonomike duke përcaktuar edhe një procedurë njoftimi nga tatimpaguesi pranë organit tatimor përpara transferimit të veprimtarisë ekonomike.
Neni 16 që ka të bëjë me transferimin e veprimtarisë ekonomike është saktësuar i sugjeruar nga ekspertët për të hequr disa kufizime të shkruara në këtë nen, që e bënin atë jo në përputhje me DE. Kufizime të tilla duke u konsideruar të panevojshme janë përshtatur në nenin 16 të Ligjit të ri.
-Kapitulli i “Operacioneve të tatueshme”, vijon logjikisht me konceptet (kapitujt) që pasojnë dhe që na shërbejnë për të përcaktuar tatimin dhe konkretisht me:
Vendin e furnizimit mallit/shërbimit/importit; (3 seksione dhe 13 nene)
Sipas ligjit të ri është detajuar vendi i furnizimit të mallrave me transport, pa transport si dhe në bordin e anijeve, aeroplanëve ose trenave, vendi i furnizimit të gazit natyror, energjisë nëpërmjet sistemeve të shpërndarjes, duke bërë dallimin e një furnizimi për një person rishitës dhe të një furnizimi për konsum të këtij malli.
Vendi i furnizimit të shërbimeve në këtë ligj është përcaktuar qartësisht duke përcaktuar si koncept të përgjithshëm faktin që për furnizime të shërbimit që ofrohen nga një person i tatueshëm në Shqipëri për një person të tatueshëm jashtë Shqipërisë, vendi është në vendin e marrësit të shërbimit, ose anasjelltas.
Nëse shërbimi ofrohet kundrejt një personi të patatueshëm jashtë Shqipërisë, vendi është në vendin e furnizuesit të shërbimit, pra në Shqipëri.
Gjithsesi nga këto rregulla ka edhe përjashtime. Në të dy rastet për shërbime të caktuara që janë përcaktuar në këtë ligj, p.sh. për pasurinë e patundshme, transportin, ngjarje kulturore, sportive, artistike etj., shërbimet e restorantit, dhënia me qira e një mjeti transporti ku përcaktohet si vend i furnizimit të shërbimit vendi ku këto shërbime kryhen faktikisht. Gjithashtu në këtë ligj është përcaktuar edhe vendi i furnizimit të shërbimeve të furnizuara elektronikisht ndaj personave të patatueshëm.
Momentin e lindjes së tatimit dhe kërkueshmëria e tij për mallrat / shërbimet / importin; (2 seksione, 4 nene)
Është përcaktuar qartësisht momenti i lindjes së tatimit jo vetëm për mallrat dhe shërbimet por edhe për importin, apo daljen nga regjimet doganore.
Vlera e tatueshme e mallrave/ shërbimeve/ importit; (2 seksione, 11 nene)
Ndryshe nga ligji ekzistues në të cilin vlera e tatueshme përcaktohej në një nen të vetëm, këtu janë përcaktuar qartë nocionet e vlerës së tregut si për mallrat dhe për shërbimet. Është përcaktuar qartë vlera e tatueshme për çdo furnizimin të kryer kundrejt pagesës duke mos lënë hapësirë për asnjë keqkuptim, siç ka pasur shpeshherë deri më sot. Ndërkohë janë përcaktuar të gjithë elementet që përbëjnë vlerën e tatueshme dhe ato që nuk përfshihen në vlerën e tatueshme.
Për të parandaluar evazionin apo shmangiet tatimore për transaksione midis personave të lidhur apo që kanë marrëdhënie familjare apo punëdhënës-punëmarrës është përcaktuar se cila do të konsiderohet vlera e tatueshme nëse konstatohen transaksione midis këtyre personave.
Përcaktohet edhe vlera e tatueshme e konvertuar për transaksione të kryera në monedha të ndryshme, pra jo me monedhën kombëtare si për furnizimet, brenda vendit dhe për importin.
Vlerë të tatueshme të arit të përpunuar kemi mbajtur dispozitën që kemi në kushtet që direktiva në nenin 82 të saj dispozitën e parashikuar për vlerën e tatueshme për arin e kishte me “mund”.
Shkalla tatimore normale/ reduktuar; (2 nene)
Është përcaktuar nocioni i shkallës normale të TVSH-së që ne e kemi 20% dhe sipas nenit 95 dhe 96 të DE shkalla normale e TVSH në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se 15%
Njëkohësisht për shkallën e reduktuar sipas nenit 98/ 1 të DE kufizohet aplikimi i shkallëve të reduktuara, pra shtetet anëtare mund të aplikojnë 1 ose 2 tarifa të reduktuara dhe sipas nenit 99/1 të DE tarifa e reduktuar nuk mund të jetë më e vogël se 5%. Në nenin 49 të këtij ligji është përcaktuar aplikimi i shkallës së reduktuar vetëm për furnizimet e barnave, mjekësore dhe veterinare, pasi furnizimet e shërbimeve shëndetësore që aktualisht i kemi me shkallë të reduktuar nuk janë në përputhje me DE, sipas së cilës shërbimet shëndetësore si shërbime në interes publik janë të përjashtuara nga TVSH. Direktiva 2006/112 CE në shtojcat bashkangjitur, konkretisht shtojcën III ka përcaktuar listën e furnizimeve të cilat mund të trajtohen si furnizime me tarifa të reduktuara si dhe në shtojcën X ka përcaktuar listën e furnizimeve të cilat vendet anëtare mund të vazhdojnë t’i tatojnë si dhe ato të cilat mund të vazhdojnë t’i përjashtojnë. Shërbimet e stomatologëve p.sh., janë të përfshira në këtë shtojcë si shërbime që mund të trajtohen me shkallë të reduktuar të TVSH-së.
Aktualisht në ligjin e ri, ashtu si edhe në ligjin ekzistues, nuk kemi furnizime mallrash apo shërbimesh me normë të reduktuar TVSH-je. Gjithashtu në këtë nen është përcaktuar edhe e drejta e zbritjes së TVSH-së, pavarësisht shkallës së aplikuar (normale apo të reduktuar).
Pra, pasi janë trajtuar kapitujt që kanë të bëjnë me operacionet e tatueshme dhe gjithçka që lidhet me përcaktimin e tatimit, ligji vijon me operacionet e përjashtuara (brenda vendit /import/eksport/transport ndërkombëtar/ të tjera me shkallë 0%, në të cilat janë trajtuar: (3 seksione, 2 nënseksione, 17 nene).
Përjashtimet të cilat janë mbartur nga direktiva në ligjin e ri të TVSH-së nuk janë opsionale por janë të detyrueshme për t’u aplikuar.
Laura Çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.