Përkrahësit e Brexit janë qëllimisht të paqartë në lidhje me alternativat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo për shkak se shumica e modeleve, të tilla si ai i Islandës, janë të pakënaqshme
Teksa 23 qershori erdhi, fushata u bë gjithnjë e më e hidhur, shkruan The Economist. David Cameron ka akuzuar konservatorët, si Michael Gove, sekretari për drejtësinë, dhe Boris Johnson, ish-kryetarin e Bashkisë së Londrës, për “përdorim të të pavërtetave”. Përkrahësit e Brexit përgjigjen se kryeministri është në panik, pasi sondazhet tregojnë se ka shumë pak diferencë mes qëndrimit dhe largimit nga BE.
Ekonomia është ende pika më e dobët për ata që duan të largohen. Ata janë veçanërisht të paqartë se çfarë marrëdhënie tregtare alternative do të kenë me BE-në më pas. Z. Gove ka folur me mendjelehtësi për një zonë të tregtisë së lirë nga Islanda në Turqi, duke lënë të kuptohet se një Britani post-Brexit do të jetë automatikisht në të. Megjithatë, kjo është tepër e thjeshtë. Tregu i vetëm i BE-së është shumë më thellë se një zonë e tregtisë së lirë dhe shumica e marrëveshjeve tregtare me BE-në nuk janë të plota dhe vijnë me kosto të lartë.
Heshtja në fushatë e atyre që duan të largohen mund të duket e çuditshme, pasi ka shembuj të qartë të vendeve të Europës jashtë BE-së. Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia janë në Zonën Ekonomike Europiane (EEA). Kjo u jep atyre qasje në tregun e vetëm, edhe pse eksportet janë subjekt i kontrolleve për rregullat e origjinës që Open Europe, një think-tank, thotë se nëse aplikohet në Britani, do të kushtojë pothuajse 1% të PBB-së. Zvicra ka dy marrëveshje bilaterale me BE-në që arrijnë gjerësisht të njëjtin rezultat (edhe pse, ç’është më e rëndësishmja, ata nuk përfshijnë shumicën e shërbimeve financiare). Këto katër vende janë më të pasura dhe kanë papunësi më të ulët se në BE. Në qoftë se ata mund të kenë parajsën e tregtisë së lirë, pa ferrin e anëtarësimit në BE, pse nuk mund ta ketë dhe Britania?
Islanda mund të ndihmojë me një përgjigje. Arsyeja pse ajo ka qëndruar jashtë BE-së është peshku, i cili ende përbën një të tretën e eksporteve (edhe pse turizmi sapo e ka tejkaluar atë në pjesën e tij të PBB-së). Islandezët e dinë se politika e përbashkët e peshkimit e BE-së ishte një fatkeqësi, ndërsa vetë i kanë menaxhuar mirë rezervat e tyre të peshkut. Për më tepër, fermerët e tyre shumë të mbrojtur nuk e duan konkurrencën europiane. Zgjidhja është EEA, e cila përjashton peshkimin dhe bujqësinë, por u lejon atyre të shesin lirisht në tregun europian.
Megjithatë, pas rënies bankare në vitin 2008, Islanda aplikoi për anëtarësim në BE, për shkak se kishte nevojë për stabilitetin financiar. Shumë islandezë kërkuan të braktisnin Kron-in për euron. Por kriza e euros dhe ndryshimi i qeverisë e shkatërroi idenë. Islanda nuk është më zyrtarisht një kandidat. Lilja Alfredsdottir, ministre e Jashtme, thotë se vendi është shëruar nga tronditja financiare dhe tani është i lumtur të mbetet në EEA. Në të vërtetë, ajo thotë se vendi ka ecur më mirë se vendet e euro-krizës, sepse ishte në gjendje të zhvlerësonte dhe të mbante nën kontroll më të madh reagimin politik, në krahasim me, le të themi, Greqinë apo Irlandën. Duke ruajtur sovranitetin e çmuar, shton ajo, Islanda ka më të mirën nga të dy botët.
Megjithatë, shumë islandezë nuk pajtohen, dhe jo vetëm për shkak se ishte vërtet FMN-ja që diktoi politikën në 2008-‘09, siç bëri për zonën e euros. Politikanë si Benedikt Johannesson, i cili sapo ka themeluar një parti të re politike, po bëjnë thirrje për një referendum mbi rifillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kritikët theksojnë tre fakte të tjera të vështira në lidhje me EEA. Së pari, anëtarët e saj (dhe Zvicra), janë të detyruar të pranojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, me të vërtetë, ndryshe nga Britania; të gjithë janë në zonën pa pasaporta Shengen të udhëtimit. Së dyti, të gjithë duhet të bëjnë pagesa të mëdha në buxhetin e BE-së: në rastin e Norvegjisë, rreth 80-90% e asaj që Britania paguan për person, në Islandë vetëm pak më pak dhe në Zvicër rreth gjysma.
Së treti dhe më e diskutueshme, anëtarët e EEA (dhe Zvicra) duhet të respektojnë pothuajse të gjitha rregullat dhe rregulloret e BE-së, nëse ata duan të kenë qasje në tregun e përbashkët. Norvegjia zbaton pothuajse 75% të legjislacionit të BE-së, pavarësisht se nuk ka ndonjë rol në të. Një raport norvegjez në vitin 2012 arriti në përfundimin se “kjo ngre probleme demokratike”. Baldur Thorhallsson, politolog në Universitetin e Islandës, thekson se vendet e EEA-së vuajnë një deficit të dyfishtë demokratik, pjesërisht që rrjedh nga dështimet e tyre në BE dhe pjesa tjetër nga fakti se nuk janë në tryezë kur diskutohen propozimet legjislative.
Znj. Lilja Alfredsdottir përgjigjet se një vend i vogël si Islanda do të ketë pak ndikim edhe në qoftë se do të ishin në BE. Por Olafur Stephensen i Federatës Islandeze të Tregtisë thotë se kjo nuk është pika e vërtetë. Çfarë iu mungon vendeve të EEA-së, thotë ai, është njohja e detajuar e asaj që po ndodh, si dhe kontakte me institucionet e Brukselit dhe me vendet e tjera të BE-së. Kjo punon në dëm të tyre. Bizneset në Islandë shpesh kritikojnë qeverinë për vonesën e saj në zbatimin e rregullave të BE-së, gjë që sapo e kanë dëgjuar, që mund të krijojë më pas probleme për shitësit në tregun e përbashkët.
Po në lidhje me aftësinë e vendeve të EEA-së dhe Zvicrës për të arritur marrëveshje tregtare me vendet e tjera? Përkrahësit e Brexit tregojnë për marrëveshje që Islanda dhe Zvicra (por jo BE), kanë arritur të bëjnë me Kinën. Megjithatë, këto janë të cekëta dhe të njëanshme. Zvicra ka premtuar për të ulur tarifat e mallrave kineze menjëherë, ndërsa Kina ka premtuar se do t’u përgjigjet vetëm gjatë 5-15 viteve të ardhshme. Vendet europiane jashtë BE-së gjithashtu do të përjashtohen nga marrëveshja për tregtinë e lirë BE-Kanada, dhe nga një Tregti Transatlantike dhe Partneritet investimesh i supozuar me Amerikën.
Nëse këto vende ofrojnë një model të dobët për Brexit, a janë të tjerët më të mirë? Turqia është në një bashkim doganor me BE-në, por vetëm për disa mallra, dhe jo për shërbime; ajo, gjithashtu, është jashtë marrëveshjeve të tregtisë së BE-së me vendet e tjera. Vendet e Ballkanit (Z. Gove ka cituar Shqipërinë) kanë marrëveshjet e asocimit që japin qasje në tregun e përbashkët, por këto janë pjesë e procesit të anëtarësimit, edhe ata përjashtojnë shërbimet. Një marrëveshje e tregtisë së lirë e stilit kanadez është më premtuese sepse përjashton lëvizjen e lirë të punës, rregullat e BE ose pagesat në buxhetin e BE-së. Por kjo nuk do të përfshijë të gjitha mallrat (eksportet e makinave janë subjekt i tarifave, për shembull), as nuk i përfshin shërbimet financiare.
Pra, përkrahësit e Brexit mund të shpresojnë në vend për një marrëveshje me porosi për Britaninë, që i jep qasje në tregun e përbashkët pa rregullat e BE-së, lëvizjen e lirë të njerëzve ose kontributet ndaj buxhetit. Por ky është një mashtrim. BE-ja nuk mund të jetë bujare në një Britani post-Brexit, nga frika se të tjerët (përfshirë EEA) mund të kërkojnë të njëjtën gjë. Si dëshmi, merrni parasysh se çfarë ndodhi kur zviceranët votuan në fillim të vitit 2014 për të kufizuar migrimin nga BE. BE-ja ka refuzuar edhe për të diskutuar mbi këtë çështje: nëse zviceranët vendosin kufizime, ata do të humbasin menjëherë qasjen ndaj tregut të përbashkët.
Së fundi, disa përkrahës të Brexit këshillojnë heqjen dorë nga tregu i përbashkët dhe bërjen pjesë të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe në mënyrë të njëanshme braktisjen e tarifave. Megjithatë, siç thotë drejtori i përgjithshëm i OBT-së, ky nuk është një opsion i thjeshtë ose me kosto të lirë. Kjo nënkupton tarifat për eksportet britanike në BE dhe nuk ka qasje të drejtpërdrejtë për shërbimet financiare. Kjo do të kërkojë që Britania të rinegociojë qasjet me 53 vende që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në. Dhe fermerët, prodhuesit dhe të tjerët do të luftojnë për t’u dhënë fund tarifave të njëanshme, të cilat gjithashtu nënkuptojnë një humbje pushteti për të hapur tregjet e tjera.
Si përfundim, edhe në qoftë se anëtarësimi në BE ka aspekte të pakënaqshme, i mund të gjitha alternativat bindëse. Nuk është çudi që tregjet janë të shqetësuara në lidhje me rezultatin.