Situata e mirë fiskale ka favorizuar uljen e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave stoku i borxhit publik, arriti në 67.7% të PBB-së nga 73.1 % që ishte në fund të vitit. Ndërsa në vlerë neto stoku i detyrimeve publike është rritur me 3.4 miliardë lekë ose 29 milionë euro që nga fillimi i vitit 2022.
Stoku i detyrimeve publike është ndihmuar nga situata pozitive fiskale. Rritja e të ardhurave në nivele dy shifrore në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2021 ka ndihmuar Ministrinë e Financave të mos konsumojë deficitin buxhetor të programuar për këtë vit.
Sipas aktit të dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2022, deficiti buxhetor i planifikuar është -84 miliardë lekë, por deri në fund të 9-mujorit buxheti ishte me suficit rreth 15 miliardë lekë.
Ministria e Financave ka sqaruar se, rënia e huamarrjes së brendshme neto ka reflektuar hezitimin e bankave për të investuar në obligacione shtetërore, kryesisht në ato afatgjata, për shkak të pasigurisë së ardhshme dhe pritshmërive për rritje të normave së interesit, bazuar në zhvillimet e fundit në tregjet financiare, ndikuar nga pasojat e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Gjithashtu dhe huamarrja e huaj, krahasuar me vitin e kaluar kishte ecuri me ulje kryesisht për shkak se këtë vit niveli i mbështetjes buxhetore ishte më i ulët se vitin e kaluar dhe gjithashtu vlera e kredive të disbursuara për financimin e projekteve ishte më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Koha mesatare në maturim është rritur nga 793 ditë në fund të vitit 2021 në 850 përgjatë 2022 si dhe pesha e borxhit që maturohet brenda një viti është ulur nga 46.6% në fund të vitit 2021 në 45.1% të totalit të portofolit të borxhit të brendshëm.
Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2023, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1.3 pikë përqindje krahasuar me nivelin e fundit të vitit 2022.
Huamarrja e brendshme planifikohet të jetë më e lartë se huamarrja që pritet të realizohet në vitin 2022 dhe huamarrja e re mendohet të vijojë të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke ju përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.
Duke marrë në konsideratë deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare shtrënguese edhe për të paktën vitin 2022 dhe fillimin e vitit 2023, si rrjedhojë pritet një rritje e normave të interesit në tregun e huaj. Gjithashtu, edhe në tregun e brendshëm pritet të ketë rritje të normave të interesit. Në këto kushte, kostot për njësi të borxhit të brendshëm dhe atij të huaj pritet të shënojnë rritje në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme.
Ndërkohë për sa i përket shpenzimeve për interesa të borxhit, gjatë vitit 2023 parashikohet një rritje e tyre me rreth 15 mld Lekë kryesisht për shkak të rritjes së konsiderueshme të normave të interesit në tregun e brendshëm dhe atë të huaj. /B.Hoxha
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.