A paraqesin avantazhe konkurruese eksportet shqiptare? Si ka qenë ecuria e eksporteve vendase gjatë viteve të fundit; zhvendosjet në grupmallra dhe partnerë tregtarë? Studimi i Alban Pllaha, të Bankës së Shqipërisë analizon ecurinë e eksporteve shqiptare gjatë viteve të fundit.
Ecuria e bilancit tregtar
Në mënyrë të ngjashme me ekonomitë e tjera tranzitore të vendeve të rajonit të Ballkanit (nga ekonomi të centralizuara të sistemit komunist në ekonomi të tregut të lirë), ekonomia shqiptare është karakterizuar nga një bilanc tregtar negativ, gjatë periudhës 2005 – 2013. Tregtia e jashtme e Shqipërisë është karakterizuar nga një rritje e vazhdueshme e flukseve tregtare nga viti në vit (importe dhe eksporte). Megjithatë, tregtia është dominuar në mënyrë të vazhdueshme nga importet, duke thelluar në mënyrë të vazhdueshme bilancin tregtar negativ deri në vitin 2008 . Në vitin 2009, tregtia e jashtme shqiptare, për herë të parë që prej vitit 2005, shfaq shenja të përmirësimit të deficitit tregtar. Gjatë periudhës 2009 – 2013 ecuria e import – eksporteve shqiptare ka shfaqur një trend përmirësimi të deficitit tregtar, duke ngushtuar kështu diferencën ndërmjet import-eksporteve.
Përmirësimi i bilancit vjen përgjithësisht për shkak se eksportet shqiptare kanë përshpejtuar ndjeshëm ritmin e rritjes në vitet e fundit. Kjo tendencë e re e eksporteve shqiptare është analizuar nga autori më në detaj, duke synuar evidentimin e sektorëve specifikë dhe partnerëve tregtarë që kanë ndikuar këtë orientim të ri të tregtisë së jashtme.
Partnerët tregtarë, ndryshimet
Studimi analizon eksportet drejt partnerëve tregtarë për të përcaktuar zhvendosjet e mundshme që mund të kenë pësuar eksportet gjatë viteve të fundit. Italia dhe Greqia kanë qenë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, ku eksportet shqiptare vetëm drejt këtyre dy partnerëve tregtarë kanë përbërë mbi 80% të totalit të eksporteve shqiptare deri në vitin 2006. Megjithatë, pas vitit 2006 eksportet drejt këtyre dy vendeve (si raport ndaj totalit të eksporteve shqiptare) kanë shfaqur tendencë rënëse nga viti në vit. Kështu, eksportet vendase drejt Italisë në vitin 2006 përbënin rreth 72% të totalit të eksporteve, ndërkohë në vitin 2012 ato janë reduktuar ndjeshëm, duke arritur në rreth 51% të totalit të eksporteve, tkurrje kjo prej 20 pikë përqindjeje në vetëm 6 vitet e fundit. Një situatë ngjashme vërehet edhe nëse shqyrtohen eksportet drejt Greqisë. Në 2005, eksportet vendase drejt Greqisë përbënin mbi 10 % (ndaj totalit), ndërkohë që në 2012 eksportet drejt këtij partneri tregtar janë më shumë se përgjysmuar dhe vihet re se eksportuesit shqiptarë gjatë viteve të fundit kanë gjetur tregje të reja për produktet e tyre, duke synuar diversifikimin e tregut të tyre.
Niveli i flukseve tregtare drejt partnerëve si Gjermania dhe Maqedonia ka mbetur thuajse në nivele të njëjta apo me luhatje të vogla përgjatë periudhës 2005 – 2012. Ndërkohë, nëse analizojmë partnerë tregtarë si Turqia, Kosova apo Spanja, vërejmë një tendencë krejtësisht të ndryshme nga ajo e trajtuar më sipër për partnerët tradicionalë të eksporteve shqiptare. Kështu, eksportet drejt Turqisë kanë shfaqur një stabilitet me shumë pak luhatje përgjatë periudhës 2005 – 2009. Megjithatë, vërehet se mbas vitit 2009 eksportet Shqiptare drejt Turqisë janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Nga niveli (mesatarisht) rreth 1.6% e totalit të eksporteve përgjatë periudhës 2005 – 2009 në mesatarisht rreth 6.5% të totalit të eskporteve për periudhën mbas viti 2009 (nga përllogaritjet, ky trend rritës vazhdon edhe përgjatë gjysmës së parë të vitit 2013).
Eksportet drejt Kosovës gjithashtu kanë shfaqur një tendencë rritëse nga viti në vit përgjatë gjithë periudhës nën shqyrtim. Kështu, në 2005 eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës përbënin vetëm 4.1% të totalit të eksporteve, ndërkohë që në 2012 eksportet vendase drejt Kosovës arritën në 8.2% të totalit. Në një periudhë prej 8 vitesh, Shqipëria ka dyfishuar eksportet drejt Kosovës, duke e shndërruar tashmë Kosovën një ndër nga partnerët më të rëndësishëm tregtar për ekonominë shqiptare.
Eksportet drejt Spanjës, gjatë periudhës 2005 – 2008, kanë qenë thuajse joekzistuese. Ndërkohë që nga viti 2009 e në vazhdim këto eksporte kanë njohur një rritje shumë domethënëse, e cila ka vazhduar të rritet me ritme të shpejta nga viti në vit. Kështu, eksportet drejt Spanjës për vitin 2012 arritën në 9.2% ndaj totalit të eksporteve shqiptare, duke bërë që, për 2012, Spanja të shndërohet në partnerin e dytë për nga rëndësia e eksporteve shqiptare, mbas Italisë.
Nga analiza e mësipërme mund të dilet në përfundimin se eksportet vendase në vitet e fundit kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme, si në volum ashtu edhe në destinacion. Gjatë viteve të fundit (sidomos nga fillimi i krizës ekonomike globale e në vazhdim) vërehet një rënie e peshës së eksporteve vendase drejt dy partnerëve tregtarë historikë (Italisë dhe Greqisë). Vlen për t’u konsideruar gjithashtu se pikërisht këto dy ekonomi kanë qenë edhe 2 nga vendet më të prekura nga kriza ekonomike gjatë viteve të fundit.
Eksportet drejt Turqisë dhe Spanjës janë të fokusuara vetëm në 1 apo 2 kategori kryesore grupmallrash – ”minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe ”materiale ndërtimi dhe metale” – duke mos pasur një shpërndarje të mirë të eksporteve drejt këtyre partnerëve tregtarë. Eksportet drejt Kosovës duken të mirëshpërndara në disa kategori grupmallrash dhe me një tendencë të qëndrueshme rritëse.
Eksportet drejt Italisë kanë vazhduar të rriten, duke bërë që Italia të vazhdojë të mbetet partneri kryesor tregtar për Shqipërinë (edhe pse pesha e eksporteve drejt Italisë, në raport me totalin e eksporteve, ka rënë mbas vitit 2008).
Eksportet sipas grupmallrave, tendenca
Duke synuar evidentimin e grupmallrave që zënë peshën më të madhe të eksporteve shqiptare (mbi 80% të totalit), mund të thuhet se kategoritë me peshë më të madhe ndaj totalit, të renditura sipas rëndësisë për periudhën në shqyrtim, janë: “tekstile dhe këpucë” (mesatarisht 43%), “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike“ (mesatarisht 20%), “materiale ndërtimi dhe metale“ (mesatarisht 17%) dhe “ushqim pije dhe duhan” (mesatarisht 7%). Megjithatë, nëse analizohen sipas ecurisë së tyre ndër vite, vërehet se pesha e grupmallrave të caktuara ndaj totalit ka pasur ecuri të ndryshme për grupmallra të ndryshme. Kështu, ecuria e “tekstile dhe këpucë“, grupmallrash ky i cili, në vitin 2005, përbënte rreth 60% të totalit të eksporteve shqiptare, ka pësuar një rënie të konsiderueshme nga viti në vit, duke u pozicionuar nën kuotën 30% të totalit të eksporteve në vitin 2013. Ndërkohë, grupet “materiale ndërtimi dhe metale“ dhe “ushqim, pije dhe duhan“ kanë ngelur në kuota thuajse të njëjta përgjatë periudhës 2005 – 2013. Duke analizuar ecurinë e grupit të eksporteve “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike“, vërehet se kjo kategori grupmallrash ka shfaqur një tendencë rritëse pozitive të vazhdueshme gjatë periudhës në shqyrtim.
Kështu, në vitin 2005, ky grup mallrash përbënte vetëm 5.2% të totalit të eksporteve shqiptare, ndërkohë që në 2013, grupmallrat e kategorisë “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike“ përbënin rreth 40% të totalit të eksporteve, duke u shndërruar kështu në zërin kryesor të eksporteve shqiptare.
Nga ka ardhur rritja e eksporteve
Nga analizat e mësipërme, autori shtron pyetjen nëse rritja e eksporteve shqiptare gjatë viteve të fundit është rezultat i avantazheve konkurruese që ofrojnë eksportet shqiptare, apo është kjo rritje është e ndikuar nga faktorë të tjerë rrethanorë.
Analiza është fokusuar në analizën e indeksit të specializimit në eksporte, për 4 grupmallrat kryesore të eksportuara nga ekonomia shqiptare: “tekstile dhe këpucë”, ”minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “materiale ndërtimi dhe metale” dhe “ushqim, pije, duhan”.
Rritjen më të madhe gjatë viteve të fundit, e ka shënuar kategoria ”lëndët djegëse minerale, vajrat inerale dhe produktet e distilimit të tyre” (rreth 27% e totalit të gjithë eksporteve në vitin 2013, mbi 80% destinuar kryesisht drejt Italisë dhe Spanjës). Ky zë i eksporteve është përgjithësisht i përbërë nga eksporti bruto (të papërpunuara) i nënprodukteve të naftës. Nënproduktet e Ndërkohë, kategoria e eksporteve me karakter ”fason”, e cila përveç efekteve në punësim, përpunim të materialeve bazë dhe totalit të eksporteve, ndikon gjithashtu edhe në rritjen e vlerës së shtuar dhe produktivitet, duke shndërruar materialet bazë në produkte finale për konsumatorët. Pikërisht kjo kategori eksportesh – ”tekstile dhe këpucë” – ka njohur një tkurrje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit (nga rreth 60% e totalit të eksporteve në 2005, në rreth 30% të totalit të eksporteve në 2013). Ndikim të konsiderueshëm ka pasur kriza ekonomike që ka përfshirë partnerët historikë tregtarë të ekonomisë shqiptare – Italinë dhe Greqinë (dy ekonomitë e Bashkimit Evropian më të prekura nga kriza ekonomike).
Indeksi i avantazheve krahasuese të demonstruara i eksporteve shqiptare drejt botës tregon se për eksporte e “tekstile dhe këpucë” të eksporteve shqiptare kanë avantazh konkurrues, të krahasuara me vendet e tjera të botës. Indeksi shënon vlera mbi 1, duke treguar avantazh konkurrues të këtyre eksporteve. Megjithatë, vlerat e këtij indeksi për eksportet “tekstile dhe këpucë” kanë shfaqur trend rënës prej vitit 2006 deri më 2012. Indeksi i eksporteve të ”minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” ishin nën vlerën 1 deri në vitin 2008, duke mos shfaqur ndonjë avantazh krahasues të kësaj kategorie eksportesh. Megjithatë, nga 2009 e në vazhdim, indeksi shfaq vlera mbi 1, duke treguar avantazh krahasues të këtyre eksporteve drejt botës.
Indeksi tregon vlera mbi 1 përgjatë 2005 – 2012 edhe për eksportet e kategorisë “materiale ndërtimi dhe metale”. Pra, ekonomia shqiptare përsëri paraqet avantazh krahasues në eksportin e materialeve të ndërtimit dhe metaleve drejt botës.
Indeksi tregon të kundërtën përsa i përket avantazhit krahasues të eksporteve të kategorisë ”ushqim, pije, duhan” (kategoria e katërt për nga rëndësia e grupmallrave të eksporteve shqiptare jashtë). Edhe pse vlera e këtij indeksi kanë qenë mbi 1 për vitet 2005 – 2006, ky indeks ka rënë nën këtë vlerë për vitet në vazhdim, duke shfaqur më pak avantazhe krahasuese nga kjo kategori eksportesh.
Indeksi i avantazheve krahasuese të demonstruara tregon se ekonomia shqiptare paraqet avantazhe krahasuese në të paktën tre nga katër grupmallrat kryesore të eksportuara.
Gjithashtu, indeksi i specializimit në eksporte sugjeron se Shqipëria është e specializuar në eksportin e kategorisë “tekstile dhe këpucë” drejt partnerit kryesor tregtar, Italisë.