Ky studim synon të analizojë sjelljen e kreditimit kryesisht që nga viti 2004, dhe përpiqet të identifikojë dy sjellje të ndryshme, para dhe pas krizës. Ai rendit disa arsye të mundshme që qëndrojnë pas këtyre sjelljeve dhe më pas ofron një analizë për periudhën e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet 2004-2008, si dhe për ngadalësimin e kreditimit në vitet që pasuan krizën financiare globale. Pas këtyre analizave, punimi arrin të identifikojë një nivel ekuilibër të raportit kredi/PBB që do të përbënte edhe një potencial të mundshëm ku duhet të jetë kreditimi i ekonomisë shqiptare.
Gjetjet kryesore nga pikëpamja statistikore sugjeruan se Shqipëria përgjithësisht nuk ka përjetuar situata të bumit të kreditimit, pavarësisht ritmeve të larta me të cilat u rrit kredia, sidomos pas vitit 2004. Mesa duket, e gjithë kjo “uri” e huamarrësve për të siguruar fonde dhe e bankave për të investuar në instrumente fitimprurëse, ishte pasojë e mungesës së mundësive të mëparshme të tyre për të investuar dhe për të gjeneruar fitime të konsiderueshme.
Studimi llogariti raportin potencial kredi/PBB, i cili rezultoi se përcaktohej në afatin e gjatë nga ndryshorja e PBB për frymë të çdo vendi. Si rezultat, bazuar në fondamentet e veta makroekonomike, Shqipëria i është afruar shumë pranë nivelit ekuilibër të kreditimit, nëse do të gjykohet nga një benchmark botëror (që përfshin shumë vende të zhvilluara e në zhvillim), që është në nivelin e rreth 40% të PBB-së, por ajo ka ende vend për ta zgjeruar kreditimin, nëse krahasohet dhe dëshiron të konvergjojë me vendet e zhvilluara.
Sipas raportit nuk mund të pritet për rritje të ndjeshme të kreditimit, kur ekonomia është e dobët. “Kur situata ekonomike është optimiste, edhe pritshmëritë për të ardhmen janë më të mira, duke pritur më shumë të ardhura dhe fitime, çka çon edhe në një mbivlerësim të aktiveve (çmimeve të pasurive të paluajtshme). Kjo gjë rrit vlerën neto të firmave, ul primet e financimeve të jashtme dhe rrit aftësinë e tyre për të marrë hua dhe për të shpenzuar. Por si një situatë që nuk mund të zgjasë gjithmonë (pasi çdo dukuri ka ciklet e veta), edhe ky proces ndryshon kahun e lëvizjes dhe në momentin kur pritshmëritë nuk janë më aq të mira, edhe efekti që do të kenë në elementët që ndikojnë në kredi, do të jetë i kundërt”, përfundon studimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.