Përçarja dixhitale ka përfshirë së fundmi edhe bankat
Në dy dekadat e kaluara, njerëzit në mbarë botën kanë qenë dëshmitarë të faktit sesi shërbime të ndryshme dixhitale kanë transformuar ekonomitë dhe jetën e tyre, shkruan The Economist.
Taksitë, filmat, romanet, ushqime të ndryshme, mjekët, ata që shtëtisin qentë, të gjithë mund të lajmërohen vetëm me anë të një prekje të ekranit të telefonit. Firmat gjigante të shitjes me pakicë, prodhuesit e makinave dhe industria mediatike duket sikur janë lënë në hije nga këta konkurrentë të rinj dixhitalë. Megjithatë, duket se një industri i ka rezistuar këtij ndryshimi të madh, dhe ajo është industria bankare. Në disa prej shteteve më të pasura në botë është krejtësisht e zakonshme edhe sot e kësaj dite të mbash radhë në degë të ndryshme të bankave, të komunikosh me bankën me anë të korrespondencës me letra dhe të depozitosh çeqe të stampuara me logon e firmave të themeluara në shekullin XIX.
Megjithatë, bazuar edhe në këtë artikull të The Economist, sulmi i teknologjisë po ndihet së fundmi edhe nga bankat. Në Azi, aplikacionet e ndryshme për pagesa janë kthyer në një mënyrë jetese për mbi 1 miliard përdoruesit e saj. Në Perëndim, mobile banking po arrin nivele rekorde përdorimi, rreth 49% e amerikanëve kryejnë procedura të ndryshme bankare nëpërmjet telefonave të tyre celularë.
Por gjigantët teknologjikë nuk mund ta linin një mundësi të tillë t’i shpëtonte dhe prandaj po përpiqen që të bëhen pjesë e kësaj industrie. Më 25 mars të këtij viti, Apple publikoi nxjerrjen e një karte krediti, nën markën Apple Pay, në bashkëpunimin me bankën Goldman Sachs, e cila pritet të hidhet në treg në fillim të vitit të ardhshëm dhe që do të jetë e disponueshme si në celularët iPhone ashtu edhe si kartë krediti e zakonshme. Facebook-u po propozon një shërbim pagesash për t’u mundësuar përdoruesve të tij që të blejnë bileta dhe të paguajnë fatura të ndryshme. Por vështirësitë dhe ndërlikimet e këtij procesi mund të jenë të shumta, sepse bankat nuk janë firma të zakonshme.
Është tërësisht një tjetër gjë nëse firma Blockbuster Video të përfshihet nga një ndryshim rrënjësor teknologjik, dhe krejtësisht diçka tjetër nëse një ndryshimi teknologjik i ndodh një banke, për shembull Bankës së Amerikës. Dhe këtu nuk ka të bëjë vetëm fakti që bankat kanë mbi 100 trilionë të aseteve në nivel global. Bankat janë shumë të rëndësishme për ekonominë e një shteti, saqë në momentin që ato përballen me vështirësi të ndryshme, kjo reflektohet edhe në ekonominë e vendit, dhe këtu mund të përmendim fare mirë krizën e 2008-‘09. Prandaj, bankierët dhe politikanët mund të tundohen t’u rezistojnë ndryshimeve teknologjike.
Por kjo do të ishte e gabuar, sepse përfitimet e një sistemi financiar më miqësor dhe më të hapur mund t’i tejkalojnë më lehtë rreziqet e mundshme. Që nga periudha e krizës financiare, bankat perëndimore kanë qenë më të shqetësuara në rregullimin e bilanceve të tyre dhe në reduktimin në maksimum të kostove të tyre, sesa të ecnin me të njëjtin hap me atë të epokës dixhitale. Por edhe nëse fillojnë të ndodhin ndryshime, më mirë të ndodhin tani vonë, sesa të mos ndodhin kurrë. Po krijohen edhe disa modele të reja biznesi.
Në Azi, aplikacionet e pagesave janë të lidhura me shërbime të e-commerce apo të tjera, të cilat ofrohen nga firma si Alibaba dhe Tencent në Kinë dhe Grab në Azinë Juglindore. Këto rrjete lidhen me bankat, por po konkurrojnë fuqishëm për të kontrolluar dhe për të menaxhuar vetë marrëdhëniet me klientët. Ndërsa në Amerikë dhe Europë bankat e mëdha e kanë ende nën kontroll një situatën dhe po priren që të ofrojnë produkte dixhitale. Këtu mund të përmendim rastin e JPMorgan Chase që mund të hapë një llogari depozite në vetëm pesë minuta.
Por kërcënimet që paraqet teknologjia ndaj bankave janë të dukshme dhe madje, në disa vende janë shfaqur. Kështu për shembull “neobankat”, të cilat janë banka 100% dixhitale (dhe nuk kanë degë fizike) po tërheqin një numër të lartë klientësh. Firmat e pagesave si PayPal bashkëpunojnë me bankat perëndimore, por pritet që të marrin një pjesë të madhe të fitimeve. Ritmi i ndryshimeve padyshim që do të vijë duke u përshpejtuar. Njerëzit, sidomos të rinjtë, nuk priren më të qëndrojnë në të njëjtën bankë, por i ndryshojnë ato në varësi të interesave më të mira. Ndërkohë që 15% e britanikëve që i takojnë grupmoshës nga 18-23 vjeç kanë zgjedhur të jenë klientë të një neobanke.
Firmat teknologjike, si Apple dhe Amazon, të cilave njerëzit u besojnë shumë, janë ndër kandidatet kryesore për t’u zhvilluar edhe më tej sa i takon drejtimit financiar. Katër bankat amerikane më të mëdha kanë shpenzuar një total prej mbi 25 miliardë dollarësh në vit për përsosjen e aplikacioneve të klientëve dhe për të përvetësuar sa më shumë të dhëna. Firmat e sipërmarrjeve të kapitalit investuan 37 miliardë dollarë në firmat financiare të krijuara vitin e kaluar. Përfitimet e ndryshimeve teknologjike mund të jenë të shumta. Kostot do të bien, duke qenë se degët fizike të bankave do të mbyllen. Nëse të gjitha bankat e botës, do të ulnin shpenzimet me një të tretën, kursimi që do të gjenerohej do të kishte një vlerë 80 dollarë për çdo person mbi tokë. Në vitin 2000, Holanda kishte më shumë degë bankash për banor sesa Amerika, ndërsa tani ajo ka vetëm një të tretën më shumë.
Mangësitë dhe problemet e shumta në shërbim do të përmirësohen, sepse nuk duhet të harrojmë këtu se është më e lehtë t’i huazosh para një miku, duke përdorur aplikacione të ndryshme që merren me transfertat e parave, sesa të shkosh në bankën ku je klient dhe të kërkosh një transfertë bankare. Sistemi do të përmirësohet dhe numri më i madh i të dhënave do t’i lejojë bankat që të ndërmarrin rreziqe të cilave u druheshin më parë. Mashtrimet do të jenë më të lehta për t’u identifikuar.
Ulja e kostove dhe efektet e rrjeteve sociale do t’ua rrisin mundësinë njerëzve për të pasur një qasje më të mirë në financa. Do të rritet edhe numri i firmave që kanë një ide të mirë dhe duan ta vënë atë në zbatim, gjë që do të mundësohet nga lehtësimi i procedurave për të marrë një kredi, duke ndikuar dhe duke nxitur rritjen në vend. Megjithatë, ashtu siç e kemi përmendur edhe më sipër, ndryshimi paraqet rreziqe të shumta. Duke qenë se sistemi financiar është mirintegruar në ekonomi, risitë dhe sidomos ato teknologjike kanë tendencë që të krijojnë probleme. Hedhja në treg e kartës së kreditit në vitin 1950, padyshim që revolucionarizoi mënyrën e shopping-ut por nxiti edhe kulturën e borxhit te konsumatorët amerikanë. Përveç sa thamë më sipër, është e paqartë se kush mund ta fitojë betejën e ditëve të sotme. Një skenar është përqendrimi i pushtetit, pasi disa prej bankave të mëdha të mësojnë sesi të shfrytëzojnë të dhënat e klientëve në të njëjtën mënyrë siç veprojnë edhe firmat e rrjeteve sociale. Një tjetër skenar është fragmentimi dhe destabilizimi.
Nëse klientët e bankave bëjnë transaksione nëpërmjet platformave të teknologjisë ose atyre të pagesave, bankat nuk do të kishin akses të drejtpërdrejtë mbi të dhënat e klientëve të tyre. Për të shfrytëzuar përfitimet e teknologjisë në mënyrë të sigurt, qeveritë duhet t’u japin konsumatorëve kontroll mbi të dhënat e tyre, mbrojtjen e privatësisë dhe të parandalojnë firmat që të grumbullojnë informacion. Rregulloret mbi inovacionin do të vinin në ndihmë në këtë drejtim, sidomos ato që njihen si rregullore miqësore të inovacionit. Në vitin 2017, industria u përball me një alarm rregullator çdo nëntë minuta. Rregullatorët preferojnë që të kenë të bëjnë me firma të mëdha. Por fakti është se rritja globale është e ngadaltë dhe përfitimet nga rritja e produktivitetit janë të vështira për t’u arritur. Revolucioni i smartphone-ve në financë ofron një prej mënyrave më të mira për të rritur ekonominë si dhe përfitimet.