Plani i ri i disa prej klubeve më të mëdha për të nisur një kompeticion të ri, European Super League (ESL), ka hapur një debat të fortë…
Cilat klube e duan Super League?
12 klube kanë nënshkruar për të krijuar European Super League (ESL) – Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Tottenham, AC Milan, Inter Milan, Juventus, Atletico Madrid, Barcelona dhe Real Madrid. Klubet dëshirojnë një kompeticion të ri dhe të vijojnë të marrin pjesë në kampionatet kombëtare.
ESL do të kishte 20 skuadra. Nga këto, 12 klube themeluese – edhe tre mund t’i bashkohen – do të ishin të përhershme dhe nuk do të përballen me rënie. Pesë klube të tjera do të kualifikoheshin në Europë çdo vit. Super League synon të rivalizojë kompeticionin e Champions League, një ndër turnetë më të mëdhenj për klubet e futbollit.
Pse klubet kërkojnë një Super League?
Një ndër mbështetësit kryesorë të ESL, presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, mbështet idenë se “do të shpëtojë futbollin” në një moment kur të rinjtë “nuk janë më të interesuar” për shkak të “një sërë lojërave jocilësore”.
Klubet themeluese do të financohen me 3.5 miliardë euro nga banka amerikane e investimeve, JP. Morgan.
Pjesa më e madhe e tyre kanë borxhe të konsiderueshme, të cilat janë thelluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, me ndeshjet e pezulluara dhe mungesën e tifozëve në stadiume. Klubet e mëdha gjithashtu kanë lojtarë me paga multimilionëshe për t’u paguar.
Nëse mund të garantohet që të marrin pjesë në një kompeticion të madh europian futbolli çdo vit, klubet do të bëhen automatikisht sipërmarrje më të mëdha dhe të qëndrueshme. Megjithatë, kritikët thonë se eliminimi i elementit të kompeticionit zhvlerëson vetë lojën.
ESL thotë se turneu i ri “do t’i japë një rritje ekonomike dhe mbështetje të ndjeshme më të madhe futbollit europian”.
Çfarë mund të ndodhë?
Shumë do të varet se cilat skuadra mund t’i bashkohen European Super League. Bayern Munchen, Borussia Dortmund dhe Paris St Germain – klubet më të mëdha në Gjermami dhe Francë – nuk po e mbështesin kompeticionin. Ndërkohë, ESL po përpiqet të bllokojë çdo sanksion që UEFA dhe FIFA mund të përpiqen të zbatojnë për formimin e Super League.
Burimi: BBC