Kosova ka paraqitur katër propozime në dialogun me Serbinë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky takim është mbajtur me ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pak orë më parë ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit ka renditur pikat që ka propozuar në dialog.
Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviqit.
Ai ka thënë se tri nga to janë refuzuar nga Serbia, ndërsa për njërën s’ka marrë përgjigje. Kurti ka bërë të ditur që takimi i radhës në kuadër të dialogut mes dy shteteve do të zhvillohet para pushimit të verës, që nis në fund të muajit korrik.
“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka thënë Kurti për gazetarët pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se “nuk është se s’është optimist” për dialogun, por ka shtuar se përderisa “Serbia nuk e pranon Kosovën, as Kosova nuk e pranon Serbinë”.
“Ky ishte një takim në të cilin u ruajt distanca fizike. Pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time s’kishte shumë befasi. Por unë prezantoj interesat e Republikës së Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime. Vetëm në atë mënyrë është i qëndrueshëm. S’mund t’i pyesim shqiptarët për çerekfinormacion që kanë për varrezat masive në Serbi kur shumë lehtë mund t’i pyesim në Serbi. Edhe pse presidenti thotë se nuk di gjë, ka të tjerë që i dinë. Le t’i pyesim. Në Bosnje e Kroaci ka qenë e mundshme të thuhet se serbët e atjeshëm kanë qenë pjesëmarrës, në Kosovë s’kanë qenë askund krimet joshtetërore. E vërteta për krimet e Serbisë së Milosheviqit në Kosovë ndodhet në Beograd. Ne bëjmë thirrje që këta persona që janë gjallë e që ishin në pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat në Serbi e të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë”.
Ai ka thënë se Kosova ka nisur përgatitjet për paditjen e Serbisë për gjenocid, duke shtuar se ajo do të marrë kohë për përgatitje. Ka shtuar se Kosova s’lejon Asociacion njëetnik.
“Pushteti në Serbi dueht ta fajësojë fajtorin. E ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur shekullin e kaluar nën regjimin e Milosheviqit. Duhet të mos vajtojnë, por të bashkëpunojnë me ne për njohje në Ballkan. S’mund të merremi me ide të vjetra, por i ftojmë që të merren me propozime tona të reja”, ka thënë më tej Kurti.
Katër propozimet e Kurtit për Vuçiqin
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avanojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
“Takim i vështirë dhe me provokime”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel ka pasur “provokime” nga ana e Kosovës.
Ai ka thënë se nuk janë përdorur fyerje në takim, por “përgjigje të rrepta”.
“Ai erdhi duke mos u pajtuar për asgjë. Erdhi e më pyeti se kur do ta njohim Kosovën. I kam thënë kurrë. Ka shpërthyer”, ka thënë Vuçiq pas takimit.
“Delegacioni i Kosovës nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, pra nuk do fare të flasin për Asociacionin, ndërsa në anën tjetër kanë kërkuar ugjentisht të dijë se kur do ta njohim Kosovën dhe janë thirr në incidentet që kanë ndodh atje, që serbët po dëshirojnë përmes liturgjive dhe kishave në kohën kur këto kisha janë ndërtuar në kohën e Milloshevqit. Kemi fol për personat e zhdukur dhe nuk do të besoni, unë kam folur sipas principeve, kam folur për atë se sa është e rëndësishme të zbulojmë vendet ku gjendet trupi i çdo shqiptari dhe serbi. Unë kam kërkuar që të ketë kërkime në nëntë lokacione, dy në Klinë një në Istog, një në Llapushnikë, Mejë të Gjakovë dhe Suharekë. Kemi kërkuar që ne t’i zhvillojmë zhvarrimin pasi dyshojmë se në këto lokacione ka trupa të serbëve, por ata kanë refuzuar”, ka thënë më tej Vuçiqi.
Sipas Vuçiqit, është arritur pajtimi për vazhdim të dialogut deri në korrik.
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që patën të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe president serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ka deklaruar se takimi s’ka qenë i lehtë.
Ai ka thënë se nga dialogu, BE-ja dhe popujt e dy vendeve kanë pritje të mëdha.
Kurse, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se dialogu dhe rezultati që del nga ai është rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve.
Ai tha se dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë
“Unë jam duke pritur një takim të ri të Dialogut të Nivelit të Lartë Beograd Prishtinë sot me Presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, ai solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, ka theksuar ai.
Partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.
Dy shtetet s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga viti i shkuar, kur në Kosovë vendi udhëhiqej nga Qeveria Hoti.
Për Kurtin ky është takimi i parë në dialog, si kryeministër. Ai ka thënë se do të takohet me Serbinë për të diskutuar për “dialogun e ardhshëm”. Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.