Në shenjë proteste për shkak të taksës 100 për qind të Qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe, janë mbyllur të gjitha dyqanet ushqimore dhe kioskat në veri të Kosovës. Po ashtu afaristët e veriut të Kosovës parashikojnë edhe që t’i mbyllin pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë.
Nga dita e sotme (e hënë) komunat veriore të Kosovës do të jenë në bllokadë të plotë si rezultat i planit të Serbisë për “katastrofën humanitare”.
Atje nuk po punojnë as furrat e bukës dhe objektet e tjera hotelierike.
Qytetarët kanë bërë rezerva këto ditë dhe kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Rados Petroviq, ka thënë se kjo masë do të jetë në fuqi derisa Prishtina të heqë taksën.
“Ne paralajmëruam se nuk mund të funksionojmë me taksa dhe kjo është ajo që ndodh. Për sa kohë nuk mund t’i sigurojmë mallrat dhe ne punojmë të punojmë si në një botë normale, kjo do të zgjasë”, tha Petroviq.
Ai thekson se ky veprim i biznesmenëve filloi spontanisht, pasi ato mbetën pa mallra njëra pas tjetrit.
Petroviq shton se ka premtim nga autoritetet e Beogradit se banorët e veriut të Kosovës nuk do të mbeten të uritur dhe ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare “që të përfshihet në zgjidhjen e problemit sa më parë që të jetë e mundur”.
Afaristët e veriut të Kosovës parashikojnë edhe që t’i mbyllin pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, por ky vendim ende nuk është marrë dhe pritet të diskutohet më 3 korrik.
“Serbëve në veri të Kosovës nuk u paraqitet rreziku për uri, po sigurisht janë të kërcënuar me rrahje ose edhe me dëmtim të pasurisë dhe me metoda tjera të frikësimit nëse shkojnë dhe blejmë në dyqanet ‘përtej rrugës’, në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ ose edhe në hipermarkete në pjesën jugore të qytetit, ku pothuajse rregullisht shkojnë dhe furnizohen me mallra, atëherë kur nuk i spiunojnë. E ndërkaq spiunimi dhe informimi këto ditë, nga paralajmërimi i ‘katastrofës humanitare’, është aktivitet i rregull patriotik. Ndoshta ndonjë individ i etshëm për një jogurt edhe ka marrë guximin që për shkak të fëmijës të kalojë deri te fqinjët, por që pronares së ‘bakalnices’ nuk guxon t’i kalojë pa e parë. Në vepër është, siç thonë, marrëveshja e solidaritetit”, përcjell portali “Kossev”, prononcime të qytetarëve për situatën.
Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës”.
Ditw mw parw kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”. Siç ka thënë ai në një konferencë për media, pas mbledhje së Qeverisë, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen.
Kryeministri Haradinaj, ka theksuar që ekzistojnë tendenca që Kosova të shtyhet që t’i mbyllë sytë përballë kontrabandës.
“Nuk guxojmë që ta lejojmë këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por për shkak të kontrabandës, sepse në atë mënyrë mund të barten edhe narkotikët, armët dhe produktet tjera. Kemi detyrim që ta vendosim rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Haradinaj.
Kosova, në nëntor të vitit të kaluar, ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.
Kurse në fund të muajit maj Policia e Kosovës ka ndërmarrë nja aksion në veri të vendit, me ç’rast janë arrestuar 19 zyrtarë të policisë, prej të cilëve 11 të përkatësisë serbe, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, kontrabandë me mallra dhe dhënie të mitos./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.