Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga mbledhja e Task Force në aeroportin “Nënë Tereza” konfirmoi se në vend nuk rezulton asnjë qytetar i prekur me koronavirus.
Manastirliu tha se nga 6 rastet e dyshuara, pas analizimit nga ISHP, rezultuan negative.
“Nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus. Ju kemi informuar për raste të dyshuara, ku 6 raste të analizuara nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezultuar negative. Nuk ka vend për panik, duhet përgjegjshmëri dhe transparencë në marrjen e masave”, tha ministrja.
Ministrja e Shëndetësisë tha se janë dyfishuar masat në pikat kufitare, si në aeroportin e “Nënë Tereza”, portin e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.
“Kemi shtuar ekipet mjekësore dhe dje kemi monitoruar mbi 4500 udhëtarë të ardhur nga vendet që kanë trasmetim të virusit, përfshirë edhe Italinë.
Udhëzimet janë kthyer në protokolle kombëtare, dhe mbi to po ndiqet hapa pas hapi situata.
Edhe më herët pa u shpallur gjendja eemergjente e shëndetit publik, kemi qënë aktiv në marrjen e masave. Po vijon trajnimi i gjithë strukturave shëndetësore, për vendosjen në gjëndje gadishmërie për ndjekjen e simptomave, sipas protokolleve përkatëse.
Sot firmosa Urdhrin për masat e shtuara higjeno-sanitare për shkollat, kopshtet, çerdhet, universitetet, si larja e shpeshtë e duarave, masa të thjeshta por të provuara shkencërisht që ulin infeksionet ngjitëse.
Prioritet në punën e qeverisë është ndjekja e situatës, për të përforcuar masat në varësi të shkallës së riskut. Ekspertët e komitetit teknik dhe shkencor të ngritur që në muajin janar trajnojnë edhe strukturat tona spitalore për të përforcuar masat, sipas protokolleve të OBSH-së”, tha ministrja.
Maskat
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga Rinasi se në depot e distributorëve ka stoqe maskash për tregun. Manastirliu bëri trhirrje se nuk ka vend për panik për mungesë të tyre në treg.
“Kemi kryer një verifikim të importeve, distributorët kanë gjendje në depot e tyre. Tregu në raport me importet ka stokun e mjaftueshëm për të përballuar kërkesat. Nuk ka vend për panik. Spitalet tona disponojnë të gjitha mjetet, si maska e doreza.”
Manastirliu sqaroi edhe përdorimin e masave ku duke iu referuar ekspertëve, maskat nuk parandalojnë në raport me virusin, ato vensosen te personat që kanë problematikë me shëndetin.
Hetimet
Drejtor i kufirit dhe emigracionit, zoti Merkaj, tha se në kuadër të masave për parandalimin e virusit janë përgatitur pyetësorët për të gjitha pasagjerët që hyjnë në vend. Sipas tij këto masa nuk funksionojnë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar. “Kemi zhvilluar takime me shoqatat e udhëtarëve, që na vendosin në dispozicion një ditë më parë, listën e udhëtarëve me qëllim marrjen e masavce. Deri tani nuk ka rezultuara asnjë rast i prekur me koronavirus.”
Merkaj tha se kanë nisur hetimet për mesazhet voice dhe të shkruar të shpërndarë , të cilat kanë hapur panik te qytetarët. “Në përfundim të hetimeve do të japim rezultatet”, tha Merkaj.
Italia
Në vendin fqinjë aktualisht rezultojnë të prekur 152 persona, dhe 3 të vdekur në Itali. Situata emergjente solli që në veriun e Italisë të mbyllen shkollat dhe universitetet.
Qeveria miratoi fillimisht një dekret për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Një dekret i dytë, me masa ekonomike për zonat e goditura, pritet në ditët e ardhshme.
Italia ndaloi edhe hyrjen dhe largimi nga zonat “vatër” të virusit, të cilat administrohen nga policia, nëse është e nevojshme edhe nga ushtria, me sanksione penale për ata që shkelin rregullat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.