Ndonëse të ardhurat buxhetore kanë shënuar ecuri pozitive në katër muajt e parë të vitit, me një rritje prej 6.6% në raport me faktin 2016, të hyrat nga TVSH e brendshme, një tregues direkt i konsumit të ekonomisë, nuk kanë qenë kaq të mbara, duke shënuar dhe tendencë negative.
Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH e brendshme për 4-mujorin u rritën me vetëm 1.5% në 11.7 miliardë lekë, duke qenë 12%, apo 1.5 miliardë lekë më pak se plani. Duke pasur parasysh se rritja ekonomike është mbi 3% dhe inflacioni rreth 2%, performanca e TVSH-së ka qenë minimale.
Ndërsa në prill, ecuria ka qenë tepër negative, teksa të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë rënë me 7.3%, apo me 196 milionë lekë më pak se prilli 2016, apo rreth 23% më pak se plani i muajit prill.
Ka qenë TVSH në dogana ajo që ka shpëtuar këtë zë, duke u rritur me 856 milionë lekë dhe duke rezultuar gati 12% më shumë se plani, të ndihmuar nga rritja e çmimeve të mallrave në bursat ndërkombëtare.
Në total, performancën më të mirë tatimore për 4-mujorin e ka shënuar tatimfitimi, që ka tejkaluar planin me 3.4 miliardë lekë, dhe taksat nacionale me +1.8 miliardë lekë, që kanë mbuluar mosplotësimin e planit me 1.5 miliardë lekë të TVSH-së së brendshme.
Janar-prill, të ardhurat buxhetore tejkalojnë planin me 5.1%
Të ardhurat në arkën e shtetit për 4-mujorin i kaluan të 1 miliard eurot, me një tejkalim nga plani i periudhës me 5.1%.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë janar-prill 2017 u arkëtuan 139.9 miliardë lekë nga 133 miliardë lekë që ishte plani i periudhës, rreth 6 miliardë lekë më shumë. Në raport me faktin e vitit të kaluar, të ardhurat shënuan rritje me 65%.
Siç shihet nga zërat buxhetorë, të ardhurat më të larta kanë rezultuar nga tatimi mbi fitimin me 34% më shumë, ose 3.4 miliardë lekë më shumë se plani. Këto arkëtime janë nxitur nga pagesat e kompanive publike si KESH, OST dhe OSHEE, të cilat parapaguajnë fitimin e vitit që në 4-mujorin e parë.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka shënuar rritje modeste me vetëm 0.6%. Të ardhurat nga akciza gjithashtu i janë rikthyer rritjes me 3% të nxitura nga çmimet më të larta të naftës në tregun ndërkombëtar.
Por ndërkohë që taksat dhe tatimet kanë performuar mirë këtë 4-mujor shihen zhvillime paradoksale në taksën e punës. Të ardhurat nga TAP kanë pësuar rënie për periudhën 4-mujore me 6%, edhe pse treguesit e punësimit janë rritur dhe paga minimale është rritur. Edhe pse tregu i punës është në një proces formalizimi, që logjikisht duhet të sjellë të ardhura më të larta nga tatimi i punës, bizneset dhe individët duke se po aplikojnë skemat e nëndeklarimit të të ardhurave për të paguar më pak taksa.
Performanca buxhetore paraqitet ndryshe në këtë vit elektoral, ku tradita ka treguar se në këtë periudhë, treguesit kryesorë buxhetorë, të ardhura, shpenzime dhe deficiti zhbalancohen. Por kjo disiplinë rrjedh nga detyrimet që vijnë prej ligjit të ri organik, i cili parashikon rregulla më të forta në drejtim të shpenzimeve publike në një vit elektoral.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.