Drejtoria e Tatimeve njoftoi se pas përfundimit të afatit, më datë 30 Prill, për deklarimin e të ardhurave individuale vjetore, rezulton se numri i individëve të cilët kanë përmbushur detyrimin ligjor, është rritur me 12% krahasuar me një vit më parë.
Referuar të dhënave të kasaj date -afat ligjor i deklarimit për periudhën tatimore 2018, – kanë dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave rreth 9.000 individë subjekt deklarimi, ndërsa për vitin 2017 numri i deklaruesve ka qenë rreth 8.000.
Gjithashtu vlen për t’u theksuar se shuma e detyrimit të deklaruar për t’u paguar, si diferencë, për vitin 2018, është ndjeshëm më e lartë, rreth 75% më shumë, krahasuar me një vit më parë.
E shprehur ne shifra, shuma e deklaruar për t’u paguar është rreth 646 milion lekë (rreth 5.1 milionë euro), ndërkohë që në 30.04.2018 ishte rreth 340 milione lekë.
Sipas burimeve nga tatimet, shuma më e madhe për t’u paguar shtesë u përket kryesisht të dypunësuarve. Sipas një ndryshimi ligjor, që filloi të zbatohet këtë vit për të ardhurat e 2018-s, Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).
-Për shumen e pagave mujore deri 30,000 leke tatimi është zero%;
-Për shumen e pagave mujore nga 30,001 -130,000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30,000 lekë;
-Per Shumën e pagave rnujore nga 130,001 lekë e më teper, tatimi është 13,000 + 23% e shumës rnbi 130,000 lekë.
Sipas mënyrës së re të deklarimit, tashmë individi deklarues, në momentin e deklarimit duhet të marrë në konsideratë faktin se tatimi do të duhet të logaritet mbi totalin e të ardhurave mujore, pra mbi totalin e të ardhurave nga të gjithë punëdhënësit.
Në rastin konkret të shembullit të marrë më sipër, individit do i llogaritet tatimi mbi të ardhurat, sikur të kishte një pagë të vetme prej 170 mijë lekësh. Në këtë mënyrë ai do të penalizohej dy herë, së pari teksa përjashtimi për shumën 0-30 mijë lekë llogaritet vetëm një herë dhe së dyti, atë e kap tatimi prej 23% për një shumë prej 40 mijë lekësh në muaj (diferenca mes 170 mijë dhe 130 mijë lekëshit). Si rrjedhojë, tatimi që ai duhet të paguajë mbi të ardhurat në vit është 266,400 lekë, ose 94,800 lekë, apo 55% më shumë sesa i është mbajtur gjatë gjithë vitit, një rritje shumë e fortë kjo, që individi do të duhet ta paguajë të gjithën njëherësh.
Për deklarimet e të ardhurave 2019 (që bëhen vitin e ardhshëm), individët e dy punësuar do të kenë një avantazh pasi kufiri i taksimit prej 23% është rritur nga 130 mijë në 150 mijë lekë.
Përgjatë gjithë vitit, të punësuarit me pagë kanë paguar gjithsej gati 21 miliardë lekë, tatim mbi të ardhurat, ose 168 milionë euro. Nga kjo shumë, sipas të dhënave të detajuara të tatimeve, rreth63% e kësaj shume është paguar nga individët që janë të punësuar në sektorin privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.