Instituti i Gjeoshkencave për ndryshimet klimatike
Ndryshimet klimatike kanë prekur Shqipërinë dhe kjo duket qartësisht në disa tregues që monitorohen rregullisht nga autoritetet. Instituti i Gjeoshkencave raporton se temperaturat mesatare vjetore kanë ardhur në rritje në vend dhe po kështu, edhe ato mesatare minimale dhe maksimale.
Nga ana tjetër, sasia e reshjeve është zvogëluar me 10-15% teksa intensiteti është rritur. Reshjet e borës gjithashtu janë më të pakta.
IGJEO është institucioni më i rëndësishëm që ka në thelb monitorimin dhe studimin e pasurive klimatike të vendit. Flitet aq shumë për ndryshimet klimatike, por a kanë nisur këto ndryshime të demonstrohen me tregues realë për Shqipërinë sot?
IGJEO (Instituti i Gjeoshkencave) është institucion i rëndësisë së veçantë kombëtare për fushat që mbulon. Në thelb qëndron evidentimi dhe monitorimi i fenomeneve natyrore. Misioni ynë është të kryejmë kërkim shkencor, bazë dhe të aplikuar, në fushat e kërkimit të gjeoshkencave, hidrometeorologjisë, energjive të rinovueshme, administrimit dhe menaxhimit të pasurive ujore, si dhe të mjedisit.
Pjesë përbërëse e strukturës së IGJEO janë dy sallat: Qendra Kombëtare e Parashikimit dhe Monitorimit të Rreziqeve Natyrore, e cila ka si qëllim parashikimin dhe monitorimin kryesisht të përmbytjeve (përmbytjet i ndajmë: të shpejta, urbane dhe përmbytje nga lumenjtë), rrëshqitjeve, erozioni, zjarret në pyje dhe Salla e Monitorimit Sizmik, ku fokusi është në monitorimin e tërmeteve.
Për t’u rikthyer te pyetja juaj, vlen të theksohet se: Klima është pasuri kombëtare. Ndryshimet klimatike është tema më e diskutuar kohët e fundit dhe si në gjithë botën, edhe vendi ynë preket prej tyre. Tashmë është fakt që klima ka ndryshuar. Klima e Shqipërisë nga vrojtimet tona mund të themi se ka ndikime të klimës subtropikale, pra klimë më e ngrohtë.
Dimrat janë më të ngrohtë dhe më të shkurtër, ndërsa stina e verës është më e gjatë dhe me temperatura më të larta. Është shtuar numri i ditëve me temperatura më të larta se 40 gradë Celsius dhe numri i netëve tropikale me temperatura më të larta se 20 gradë Celsius. Tregues të ndryshimeve klimatike janë moti ekstrem, përmbytjet, thatësira, stuhitë, valët e të nxehtit, acari dhe ngricat.
Kur themi ndryshim klimatik, çfarë kemi parasysh? Cilat janë elementet që monitorojmë tregues si temperatura, reshjet?
Klima është rezultantja e të gjitha situatave të motit dhe përbën gjendjen mesatare të atmosferës në një vend të dhënë. Me fjalë të tjera, klima formohet nga tërësia e fenomeneve që duken më shpesh e në mënyrë më konstante në normalen e ecurisë së stinëve.
Deri tani, ndryshimet në klimën globale kanë ndodhur natyrshëm, përgjatë shekujve ose mijëvjeçarëve, për shkak të domethënies kontinentale, cikleve të ndryshme astronomike, ndryshimeve në prodhimin e energjisë diellore dhe aktivitetit vullkanik. Gjatë dekadave të fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se veprimtaria njerëzore po ndikon në ndryshimin e përbërjes atmosferike, duke shkaktuar ndryshime klimatike globale.
United Nations Framework Convention on Climate Change (UNFCCC) e përkufizon termin “Ndryshime Klimatike” si një ndryshim të klimës që i atribuohet drejtpërdrejt ose tërthorazi veprimtarisë njerëzore, duke ndryshuar përbërjen e atmosferës globale. Parashikimet e ndryshimeve të ardhshme klimatike po ndodhin tashmë; p.sh., rritja e frekuencës së ndodhjes së ngjarjeve meteorologjike.
Rritja e dioksidit të karbonit në atmosferë po absorbohet nga oqeanet, duke rritur acidifikimin e tyre – dëmtimin e shkëmbinjve të koraleve dhe jetën detare. Zonat që dikur ishin të bardha me borë po tërhiqen tani vetëm në pikat më të larta të botës. Incidentet e motit ekstrem janë në rritje, nga përmbytjet në stuhitë tropikale.
Çështjet e mëtejshme ekologjike janë kërcënimi i dëmtimit të biodiversitetit dhe ndryshimeve të mëdha në peizazhin global. Presioni është në rritje në burimet e ujit dhe ushqimit, pasi ndryshojnë ekosistemet dhe popullsia globale vazhdon të rritet.
Ashtu si me shumicën e problemeve socio-ekonomike në botë, ndryshimi i klimës është një çështje që do të prekë më shumë shtresat në nevojë dhe me probleme ndaj përshtatjeve të menjëhershme. Por askush nuk është imun ndaj ndryshimeve klimatologjike – duke e bërë atë një problem me të vërtetë global.
Efektet e ndryshimeve klimatike nuk janë aksidente të izoluara. Kur merret parasysh problemi i ndryshimeve klimatike, bota duhet të konsiderohet si një sistem i tërë ekologjik. Për të bërë monitorimet e klimës, IGJEO ka rrjetet e sistemeve të monitorimit kombëtar meteorologjik dhe hidrologjik. Vendmatjet meteorologjike dhe hidrologjike janë të shpërndara në të gjithë vendin.
Elementet meteorologjike, të cilat na shërbejnë për monitorimin e klimës, janë disa:
- temperaturat e ajrit (min, max, temperaturat ekstreme absolute)
- reshjet (lartësia, max 24 orësh)
- era (drejtim dhe shpejtësi)
- lagështira e ajrit
- rrezatimi diellor etj.
A mund të kemi të dhëna mbi ecurinë e disa treguesve si temperatura mesatare vjetore, temperatura maksimale dhe minimale vjetore apo sasia vjetore e reshjeve. Si ka qenë ecuria e tyre nëpër dekada?
Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit. E njëjta gjë vërehet edhe tek temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritje, sidomos në 10 vitet e fundit.
Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Kemi sasi më të mëdha reshjesh në një kohë më të shkurtër. Gjithashtu duhet përmendur fakti se kemi më pak reshje në formë bore, edhe në sasi dhe në shpërndarje.
Cilat janë pasojat e ndryshimeve klimatike në ekonominë e një vendi dhe duke pasur parasysh profilin e Shqipërisë, cilët janë sektorët që ju prisni të preken nga këto ndryshime?
Pasojat e ndryshimeve klimatike janë negative në ekonominë e një vendi, nëse nuk merren masa për përshtatjen sa më të shpejtë ndaj këtyre ndryshimeve klimatike. Sektorët që preken më shpejt janë bujqësia, shëndetësia, turizmi, industria, etj.
Si mund të zvogëlohen pasojat e ndryshimeve klimatike, duke qenë se ato nuk varen në vullnetin e vetëm një vendi?
Ndryshimet klimatike paraqesin një nga sfidat kryesore globale të njerëzimit në mbrojtjen e mjedisit. Me qëllim zbutjen dhe përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve, në nivel global janë ndërmarrë veprime dhe janë arritur marrëveshje.
Në vazhdën e këtyre janë edhe Deklarata e Rios (1992) për zbatimin e konceptit për zhvillimin e qëndrueshëm dhe Konventa për Ndryshimet Klimatike, për zvogëlimin e lirimit të gazrave me efektin serë në ajër. Edhe Protokolli Kioto paraqet një hap shumë të rëndësishëm për kufizimin e emisioneve të CO2, CH4, N2O, HFCs – hidroflourokarburet dhe SF6 – heksafloururi i sulfurit.
Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për klimën është Marrëveshja e Parisit e arritur në vitin 2015 dhe hyrë në fuqi në 2016. Secili shtet duhet të japë kontributin e vet me uljen e ndotjes, mospërdorimin e plastikës, dhënien përparësi ndaj qyteteve të gjelbra, përdorimin e energjive alternative, etj.
A janë shtuar fenomenet natyrore ekstreme në det apo tokë? Apo konstatimi i tyre më i shpeshtë lidhet me faktin se tashmë, teknologjia dhe rrjetet sociale i bëjnë më të dukshme kur ndodhin?
Shqipëria, nga shtrirja fiziko-gjeografike, është e mbrojtur nga uraganet sepse duke qenë se ne lagemi nga dete të mbyllur nuk rrezikojmë nga fenomene të tilla. Fenomene që ne rrezikojmë nga deti janë erozioni bregdetar dhe përmbytjet nga deti.
Si funksionon IGJEO sot dhe a i ka gjithë kapacitetet e nevojshme teknike dhe njerëzore për të nxjerrë një produkt jo vetëm monitorues, por edhe studimor mbi aspektet që mbulon?
Instituti i Gjeoshkencave është pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga pikëpamja organizative është hartuar në 4 departamente kryesore; Departamenti i Hidrologjisë, Departamenti i Gjeologjisë, Departamenti i Meteorologjisë dhe Departamenti i Sizmologjisë.
Funksionojmë si njësi kërkimore shkencore, por edhe operative në raste emergjencash nga rreziqet natyrore. Kapacitete teknike dhe njerëzore kemi, por është gjithmonë nevoja për rifreskimin e tyre me prurje të reja. Deri tani, kërkimi shkencor dhe krijimi i databazave tona është bërë në bashkëpunim me partnerët e huaj, në kuadër projektesh ndërkombëtare ose rajonale.
Lexoni edhe:
“Emergjencat që vijnë nga ndryshimet klimatike, Shqipëria e papërgatitur”
(Foto Credit: UNDP Albania)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.