Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njofton se ka dekretuar Ligjin për Buxhetin, të cilin thotë se e ka pranuar pasditen e së mërkurës.
“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë”, njofton Thaçi.
Thaçi thekson se hyrja në fuqi e Ligjit për Buxhetin, është domosdoshmëri.
“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit, jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, përfundon Thaçi.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 30 korrik, u miratua me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.
Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliardë e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.
Përveç Pakos emergjente fiskale, Qeveria e Kosovës në projektligjin për rishikim të buxhetit, ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.
Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh, si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për rimëkëmbje ekonomike në shumën prej 385 milionë eurosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.