Thatësira trondit financat e KESH

11/09/2017 4:11 PM 0 komente

Kompania rezulton me humbje 328 milionë lekë për 6-mujorin e parë të vitit, pas fitimeve të larta në 2016-n

 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare gjendet këtë vit në një situatë aspak të favorshme krahasuar me një vit më parë. Temperaturat e larta përveç avullimit të Fierzës dhe kaskadës së Drinit në përgjithësi duket se kanë avulluar edhe fitimin e kompanisë publike të gjenerimit të energjisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se KESH regjistroi një humbje mbi 328 milionë lekë deri më 31 qershor 2017.

Në fund të vitit 2016 kompania ishte në një tjetër pozicion pasi kishte akumuluar një fitim para tatimit në nivelin 1.78 miliardë lekë. Ky është viti i parë që KESH regjistron humbje pas dy viteve të mëparshme me një situatë dukshëm të favorshme për financat e saj. Në fund të vitit 2015 fitimi para tatimit ishte 1.44 miliardë lekë.

Të ardhurat e kompanisë

Të ardhurat e kompanisë nga shitja e energjisë tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ishin 3.8 miliardë lekë. Kjo vlerë përbën 21% të të ardhurave vjetore që u gjeneruan gjatë gjithë vitit 2016.

Gjatë këtij viti kompania publike e gjenerimit ka prodhuar me kufizime në mënyrë që të ruante nivelin optimal të kaskadës sipas rregullores. Në total deri në qershor u prodhuan rreth 2 milionë MW energji, ku pjesa më e madhe e saj rreth 70% u prodhua deri në prill ndërkohë që në maj dhe qershor prodhimi ka qenë me pikatore për të kulmuar në nivelin më të ulët gjatë muajit gusht.

Si ndryshuan borxhet e kompanisë

Treguesit ekonomikë të KESH japin një ide më të qartë mbi mënyrën sesi ka lëvizur borxhi i kompanisë. Ajo që vihet re është rritja e detyrimeve afatgjata deri më 31 qershor 2017 në raport me fundin e vitit të kaluar. Kështu detyrimet afatgjata ishin 35.4 miliardë lekë deri në fund të 6-mujorit të parë, me një rritje prej 11% në krahasim me fundin e vitit 2016.

Nga ana tjetër detyrimet afatshkurta pësuan një rënie të lehtë prej 1.4% (870 milionë lekë) në fund të qershorit në raport me 31 dhjetorin 2016, duke zbritur në 62.3 miliardë lekë. Totali i kapitalit dhe detyrimeve të kompanisë shënoi vlerën 174 miliardë lekë në fund të qershorit 2017.

Prodhimi dhe importet

KESH nisi për shtatorin importet duke përdorur një pjesë të kredisë së Bankës Botërore dhënë në kuadër të projektit për Rimëkëmbjen e Sektorit. Për momentin, kompania ka përdorur vetëm 7.2 milionë euro por ndërkohe mund të vijojë edhe në muajt e tjerë me prekjen e pjesës tjetër të kredisë, që në total shkon 22.4 milionë euro. Vetë Korporata po prodhon në minimum duke përpunuar vetëm pjesën e prurjeve çka i jep mundësi dy kompanive të sektorit, përfshirë Shpërndarjen që të plotësojnë totalin e konsumit.

Viti 2017 pritet të jetë një vit i vështirë për të treja kompanitë e sektorit, por në veçanti për KESH dhe OSHEE të cilat do të duhet të sigurojnë furnizimin me energji sipas gjasave edhe për tetorin ndërkohë që burimet e financimit do të shkojnë për blerjen e energjisë nga importi dhe jo për kryerjen e investimeve.

Aktualisht edhe qeveria ka rritur nivelin e huadhënies për energjinë me 3 miliardë lekë sipas ndryshimeve të fundit në buxhet duke e çuar totalin në 4.5 miliardë lekë, por mbi këtë pjesë as vetë operatorët nuk janë të qartë sesi do të përdoret. Për KESH së fundmi është shtuar edhe një faturë e re që duhet të paguhet dhe që lidhet me detyrimet ndaj hidrocentraleve të vegjël të cilët kanë fituar një proces gjyqësor mbi precedentin e ndryshimit të çmimit nga ana e qeverisë, me vlerë rreth 6.2 milionë euro.

 

monitor 795.indd

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of