Grupet e interesit kanë mbi tryezë një projektligj, që synon zhvillimin e tregut të kapitalit në vend, nga njëra anë, dhe rritjen e mbikëqyrjes dhe besueshmërisë, në anën tjetër. Drafti vjen në vetvete me një seri risish dhe plotësim të boshllëqeve, që vihen re aktualisht në një treg ende të pazhvilluar, ashtu sikurse koncepte të përparuara, që imponohen nga direktiva e Bashkimit Europian dhe që ndoshta duken larg realitetit tonë. Por çfarë sjell në vetvete ky projektligj dhe si e shohin aktorët e tregut këtë nismë?
Nga Nertila Maho
Nëse ka diçka që Shqipëria e ka bërë shpesh mirë është përputhja e legjislacionit vendas me direktivat e Bashkimit Europian. Por kjo praktikë është shoqëruar vazhdimisht me ligje të mira, të cilat kthehen në bumerang pasi zbatimi i tyre has vështirësinë e përshtatshmërisë me realitetin që jeton vendi. Çalimi te zbatimi ka bërë që edhe ligjet më të mira të mbeten thjesht në letër, duke mos dhënë frytet apo arritjen e objektivit për të cilin u hartuan. Përpjekja e fundit për të rifreskuar legjislacionin shqiptar me kërkesat që ka Bashkimi Europian, është zhvendosur në një treg që, edhe pse në hapat e parë, merr rëndësi të veçantë, atë të kapitalit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim një draft-ligj “Për tregjet e kapitalit”, duke hapur kështu rrugën për komente dhe finalizimin e themeleve të reja për një treg që, edhe pse jo fort i lakuar, është pjesë e rëndësishme në tregun financiar. Objektivi i këtij ligji lidhur me zhvillimin e tregjeve të kapitalit, është përmbledhur në tre pika. Së pari synohet të krijohen mundësi financimi dhe të mundësojë emetimin e letrave me vlerë. Së dyti të kanalizojë kursimet nëpërmjet fondeve më të mirë të rregulluara të investimeve dhe pensioneve. Së treti, të tërhiqen investitorët e huaj.
Çfarë sjell projektligji i ri “Për tregjet e kapitalit”
Në relacionin që shoqëron projektligjin “Për tregjet e kapitalit” theksohet se nevoja për këtë kuadër të ri erdhi pas kryerjes së një analize të plotë të boshllëqeve, sipas legjislacionit të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, ku është identifikuar nevoja për këtë projektligj, me synim zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe krijimin e një baze ligjore të plotë, të qartë dhe të zbatueshme për këto tregje. “Projektligji rrit kompetencat e Autoritetit në tregjet e kapitalit, sidomos në procesin hetimor të praktikave të paligjshme të tregtimit dhe vendosjen e gjobave administrative.
Ai vendos standarde më rigoroze për fit & proper të aksionerëve influencues, administratorëve, anëtarëve të këshillit mbikëqyrës, si dhe personave të tjerë kryesorë. Vendos standarde në interesin më të mirë të investitorëve, duke mos lejuar trajtime preferenciale, si dhe duke siguruar konfidencialitet mbi të dhënat e investitorit. Projektligji vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit. Projektligji vendos rregulla për krijimin e institucioneve të reja”, – thuhet në relacion. I njëjti sqaron se tashmë të gjitha hallkat që mund të bëjnë funksional dhe me standarde një treg kapitali janë krijuar, duke garantuar edhe rritjen dhe kontrollin më të mirë të tregut të kapitalit.
Depozitari Qendror i Titujve dhe Agjencia e Vlerësimit Kreditor
Janë një sërë institucionesh që ngarkohen nga projektligji për zbatimin e tij ku, ndër të tjera, kryesor mbetet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka nën mbikëqyrje edhe tregje të tjera. Dy të tjerët që bien në sy janë Depozitari Qendror të Titujve dhe Agjencia e Vlerësimit Kreditor. Drafti përcakton qartë rolin që ka secili prej tyre dhe shërbimet që do të ofrojnë. Lidhur me depozitarin, shërbimi i tij i parë kyç është regjistrimi fillestar i titujve në një regjistër (“shërbimi noterial”). Së dyti, ofrimi dhe mbajtja e llogarive të titujve në nivelin më të lartë (“shërbimi i mbajtjes qendrore”).
Së treti, operimi i sistemit të shlyerjes së titujve (“shërbimi i shlyerjes”). Përveç këtyre, Depozitari Qendror i Titujve mund të ofrojë edhe shërbime ndihmëse jobankare që nuk përfshijnë risk kredie ose likuiditeti. Projektligji parashikon mundësinë e krijimit të agjencive vendase të vlerësimit kreditor. Këto të fundit duhet të licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe të bëjnë analizë të të dhënave dhe informacioneve, si dhe vlerësim, miratim, dhënie dhe shqyrtim të vlerësimeve të rrezikut të kreditit. Kapitulli 5 i projektligjit jep një panoramë të qartë të të gjithë institucioneve të përfshira në tregun e kapitalit hallkë pas hallke, nga bursa te platforma shumëpalëshe e tregtimit, shtëpia e klerimit-sistemi i klerimit dhe shlyerjes apo regjistruesit.
Mbrojtja e investitorëve dhe hetimet administrative
Kapitulli 7 i projektligjit është ndoshta te më të rëndësishmit kur bie fjala tek investitorët. Ai përfshin kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe hapat që mund të hedhë ky i fundit në funksion të transparencës në treg. Kështu, drafti parashikon kompetencat e këtij institucioni për të kërkuar informacion apo akt ekspertizë. Në çdo rast, Autoriteti mund të kryejë edhe një hetim administrativ.
“Nëse çmon se ka arsye të mjaftueshme për të vepruar, ose nëse ka arsye për të dyshuar se është kryer një vepër penale, Autoriteti mund të caktojë një ose më shumë ekspertë për të kryer një hetim në emër të tij”, thuhet në draft-ligj. Hetimi mund të përfshijnë disa aspekte, duke nisur nga sjellja e veprimtarisë tregtare të një personi të licencuar te pronësia. Në çdo rast, Autoriteti duhet të njoftojë me shkrim personin objekt hetimi. Në hetim mund të merren parasysh dokumentet e mbajtura nga vetë personi, por edhe nga palë të treta. Hyrja në mjedise bëhet me urdhër nga Gjykata. I njëjti kapitull, pra ai 7 ndalet, te mbrojtja e investitorëve, duke sanksionuar se Autoriteti mund të ndërhyjë kur konstatohet se një person i licencuar nuk ka respektuar detyrimet që i janë përcaktuar nga ligji.
Në një fazë të parë, Autoriteti mund të kërkojë korrigjim të shkeljes, ndërkohë që në interes të mbrojtjes së klientëve, Autoriteti mund të japë urdhër për ngrirjen e aktiveve të çdo personi që bie ndesh me ndonjë dispozitë të këtij ligji, të akteve nënligjore ose urdhrave, për shtatë ditë kalendarike. Në rastet kur rrezikohen, ose ka të ngjarë, interesat e investitorëve, klientëve të firmës së investimit, ose të mbajtësve të kuotave të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Autoriteti mund t’i urdhërojë firmës së investimit të mos tregtojë me paratë ose aktivet e investitorëve ose klientëve, në atë mënyrë që e konsideron të përshtatshme.
Po kështu, mund t’ia ndalojë firmës së investimit kryerjen e transaksioneve, ofrimin e veprimtarisë tregtare personave, ose t’i kërkojë firmës së investimit ta ushtrojë veprimtarinë tregtare, në mënyrën që mund të përcaktojë Autoriteti, ose t’i kërkojë firmës së investimit të mbajë prona në territorin e Republikës së Shqipërisë, në një vendndodhje që e përcakton Autoriteti.
A jemi ende herët për një ligj kaq të avancuar
Grupet e interesit, që përbëjnë sot bazën e institucioneve publike dhe private të tregut të kapitalit, shprehen pozitive për draft-ligjin e ri për tregun e kapitalit. Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, vlerëson se ka disa risi që vijnë me këtë projektligj. “Drafti sjell risi pozitive në drejtim të mbledhjes së të gjithë kuadrit ligjor të industrisë së titujve, nën të njëjtën çati, në një ligj të vetëm, harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor aktual me direktivat e BE-së dhe me praktikat më të mira botërore në industrinë e titujve, si dhe përcaktimit më të qartë e të saktë të rolit të disa institucioneve dhe tregjeve financiare.
Ai fut, për herë të parë, dhe mbulimin ligjor të aktivitetit të disa operatorëve të rëndësishëm, si ndërmjetës financiarë në tregun e kapitaleve, të cilët mungonin në ligjin ekzistues, siç janë depozitarët e titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut (rating), menaxherët e portofolave të titujve”, shprehet Gjergji. Nga ana tjetër, ai thekson se një treg ende i vogël dhe i pamaturuar mund të kufizohet nga situata aktuale që ekziston në Shqipëri dhe kërkesat që imponon direktiva e Bashkimit Europian.
Edhe Mirela Angjeli, Broker, pranë Triumf Grup sh.a., shprehet se projektligji vjen me disa aspekte pozitive, ashtu sikurse ka edhe vend për pak rezerva. “Në ligjin e ri kërkohen struktura organizative të mëdha, që shton kostot e burimeve njerëzore dhe kostot totale për financat e brishta të shoqërive komisionere në një treg embrional. Ligji duhet të parashikojë faza kohore tranzitore për zbatim nga shoqëritë komisionere, në mënyrë që t’u japin mundësinë këtyre operatorëve të rëndësishëm të rriten gradualisht së bashku me tregun e kapitaleve”, – shprehet Angjeli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.