Dominojnë të ardhurat nga të drejtat televizive, ndjekur nga sponsorizimet dhe merchandising… Fituesi shpërblehet me 500 mijë euro
Mbërritja në Champs-Elysées është etapa finale e Tour de France 2021, ajo e rifillimit pas edicionit të vështirë vitin e kaluar, i cili nisi në shtator dhe u zhvillua brenda një “flluske” për të reduktuar në minimum rreziqet e lidhura me pandeminë. Një situatë emergjence, e bërë e nevojshme për të shpëtuar rreth 150 milionë të ardhura, të vlerësuara nga organizata e Grande Boucle.
Kjo është xhiroja totale e të ardhurave të garës, e organizuar nga Amaury Sport Organization, që vjen kryesisht nga të drejtat televizive dhe sponsorizimet. Tadej Pogacar fitoi Tour de France (edicioni i 108) për të dytin vit me radhë, pas triumfit në 2020. Çiklisti 22-vjeçar slloven, pjesë e UAE Team Emirates, është fituesi më i ri i të gjitha kohërave i cili fiton dy kompeticione radhazi.
Edhe Tour de France, nën komandën e televizionit
Tour de France mbështetet, kryesisht, nga të ardhurat nga të drejtat televizive. Broadcaster (transmetuesit) zyrtarë janë France TV Sport dhe Eurovision. Në total janë 36 kanale që e transmetojnë kompeticionin drejtpërdrejt në gjithë botën. Amaury Sport Organization ka një marrëveshje me France TV për shitjen e të drejtave të brendshme të Tour de France deri në vitin 2025 (me vlerë rreth 25 milionë në vit), ndërsa jashtë vendit ka nënshkruar marrëveshje me afat të gjatë, si ajo me australianët e SBS, deri në 2030 (shifrat nuk janë publikuar, por marrëveshja duhet të jetë rreth 2 milionë në vit).
Në Itali, Rai ka të drejta “free-to-air” deri në vitin 2025, falë marrëveshjes së firmosur nga organizatori me EBU (The European Broadcasting Union), Unioni Europian i Transmetimeve. Në total, vetëm të ardhurat nga të drejtat televizive zënë më shumë se gjysmën e gjithë të ardhurave të garës kryesore të çiklizmit në botë. Të paktën 80 milionë, duke përfshirë të drejtat lokale të shitura në TV shtetëror francez. Zëri më i rëndësishëm i të ardhurave nga të drejtat televizive, ndiqet nga sponsorizimet.
Nga marrëveshjet sponsorizuese, 30 milionë
Sponsorët kryesorë janë pesë: LCL (Crédit Lyonnais), Leclerc, Skoda, Continental dhe Krys. Marrëveshja më fitimprurëse është ajo e firmosur me bankën franceze LCL, logoja e së cilës shfaqet në fanellën e verdhë të çiklistit Pogacar – marrëveshja vlerësohet 10 milionë euro në vit, e rinovuar tre vite më parë deri në vitin 2021.
Në total, të ardhurat e sponsorëve duhet të jenë rreth 30 milionë euro. Pjesa tjetër vjen nga merchandising dhe nga komunitetet lokale ku zhvillohen etapat e Tour de France. Pjesa e të ardhurave që u shkon çiklistëve si shpërblimet vërtitet rreth 2.3 milionë euro në total.
Çmimi është më i larti ndër të ashtuquajturit ture të mëdha eropiane. Fituesi i Tour de France shpërblehet me 500 mijë euro (200 mijë vendi i dytë dhe 100 mijë vendi i tretë), por parashikohen edhe çmime të tjera në lidhje me renditjen në etapa dhe për klasifikime të tjera të kompeticionit.
Fituesit e çdo etape marrin 11 mijë euro, për fanellën e gjelbër (maillot vert – ose ndryshe fituesi i klasifikimit, me pikë) dhe për fanellën “pois” parashikohen 25 mijë euro. Gjithashtu janë vënë në dispozicion çmime të tjera për ata që renditen prapa në renditje. Çiklisti i ri më i mirë fiton 20 mijë euro dhe shuma maksimale e parashikuar për klasifikimin e ekipeve është 50 mijë euro.
Tour i “flluskave”
Për të organizuar këtë kompeticion të dytë në kohë pandemia, u morën rregulla në lidhje me krijimin e të ashtuquajturave flluska. Atletëve u duhej të shkarkonin aplikacionin për gjurmimin (TousAntiCovid), si dhe kanë bërë tampone të herëpashershme. Tamponet janë përsëritur në rast të daljes jashtë flluskës për të paktën 24 orë. Nëse dy çiklistë rezultonin pozitivë brenda shtatë ditësh, parashikohej përjashtimi nga gara i skuadrave. Fatmirësisht asnjë çiklist nuk rezultoi pozitiv…
/ Il Sole 24 Ore