Vendimi i pak ditëve më parë i parlamentit italian për heqjen e taksës fikse për transportin rrugor të mallrave me Shqipërinë është konsideruar si një masë e vonuar, por e rëndësishme nga ana e kompanive shqiptare që kishin vite që e kërkonin.
Vendosja e kësaj takse ( diritto fisso) rëndonte mbi transportuesit shqiptarë që prej vitit 1956. Sipas drejtuesve të kompanive që realizojnë transport mallrash, heqja e kësaj takse që operatorët shqiptarë paguanin në territorin italian do të reduktojë nga 10-15% kostot dhe do ta bëjë këtë shërbim më konkurrues kundrejt vendeve të tjera.
Drejtuesit e kompanive të transportit thonë se kjo taksë llogaritej në 9.3 euro /ton dhe paguhej në Itali. Një mjet shqiptar me peshë malli 24 ton paguante minimalisht 225 euro në portet e italiane si në atë të Brindisit, Barit apo Ankonës. Për po të njëjtën peshë një mjet maqedonas i transportit paguante jo më shumë se 30 euro. Pra, në një transport vajtje – ardhje maqedonasit paguanin rreth 450 euro më lirë se mjetet shqiptare të transportit.
Tashmë, thonë operatorët e këtij tregu mund të flitet për konkurrencë të ndershme, ndërsa pritet që ky vendim të reflektohet edhe tek te ardhurat që do të grumbullojnë gjatë pjesës së mbetur të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.