Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë Kosovën për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.
Ka nisur greva në transportin publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në Kosovë për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.
Nga shoqata kanë paralajmëruar edhe forma të tjera të protestës.
Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të reflektuar për të përmbushur këtë marrëveshje.
Në rast të mungesës së një përgjigjeje nga ana e qeverisë, Kurtishaj paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa të tjerë, duke nisur mbi 1 mijë autobusë drejt objektit të qeverisë.
“Sot ka filluar edhe greva, protesta e të gjithë operatorëve të sektorit rrugor të udhëtarëve. Vlen të theksohet se është një unitet i paparë deri më sot, është një protestë më se legjitime, është një grevë e cila vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar, pas moszbatimit të kësaj marrëveshjeje, pas një dialogu publik-privat”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur pasdite do të takohet këshilli drejtues i shoqatës për të diskutuar për mbarëvajtjen e protestës dhe për të shqyrtuar hapat që do të ndërmarrin ditëve në vijim.
Sipas tij Qeveria në detyrë, ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i realizuar kërkesat e transportuesve publik, dhe për këtë siç thekson ai deri tash kjo e fundit nuk ka reflektuar. Teksa shton se nuk ka asnjë dyshim që do të mbahet sot protestë.
Kurtishaj theksoi se ky sektor ka pasur humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të vendimeve të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Ai po ashtu thekson se protesta do të nis nëpër stacione të autobusëve, derisa të përmbushen kërkesat e premtuara nga Qeveria.
Kjo shoqatë pret që të gjithë operatorët e transportuesit publik sot do të marrin pjesë në protestë.
Në fillim të këtij viti ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte nënshkruar një marrëveshje të parimeve për ta mbështetur Shoqatën e Transportit Rrugor të Udhëtarëve.
Abrashi pati thënë se kjo do të shërbejë që të ruhen vendet e punës në këtë sektor, duke dhënë garanci se në bashkëpunim me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministren e Financave, Hykmete Bajrami, do të gjenden modalitetet që të mbështetet ky sektor.
“Kjo marrëveshje do t’i ruajë më shumë se 6 mijë vende pune dhe 400 kompani që punojnë në Kosovë. Qeveria e Kosovës do të punojë me të gjitha operatorët ekonomik që t’iu del në ndihmë duke i ruajtur vendet e punës”.
Në atë kohë kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, tha se ky veprim konkret i ministrisë është një hap tutje në ruajtjen e shumë vendeve të punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.