Tregu i sigurimeve shënoi përmirësim të mëtejshëm gjatë muajit mars dhe iu rikthye rritjes krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, për tremujorin e parë të vitit, primet e shkruara bruto kishin vlerën e 4.28 miliardë lekëve në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Deri në fund të dymujorit, tregu kishte qenë në rënie me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse tregu i është kthyer rritjes, produktet më të rëndësishme të sigurimeve vullnetare, ato të lidhura me sigurimin e pronës, vijojnë të shfaqin një ecuri në rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Produkti kryesor vullnetar i tregut të sigurimeve, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës pësoi një rënie të primeve me 15.4% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa sigurimi kundrejt dëmtimeve të tjera në pronë pësoi një rënie me 31.3%. Pesha e këtyre produkteve në rreth 14% të tregut të jo-jetës, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinin më shumë se 18%.
Shumica e produkteve të tjera të tregut kanë shfaqur ecuri pozitive, me rritje krahasuar me një vit më parë. Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dominuese, me 63% të primeve të shkruara bruto. Rritja më e lartë u regjistrua në produktin e kartonit jeshil, me më shumë se 42%. Ndërsa produkti me peshën më të lartë në treg, sigurimi i brendshëm motorik regjistori një rritje me 6.7%.
Rritje me ritme të larta shënoi edhe produkti i sigurimit të aksidenteve në udhëtim, me 61% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ky produkt është kryesisht i lidhur me lëvizjet e shtetasve jashtë vendit, që këtë vit po vijojnë rritjen, pas frenimit që pësuan në dy vitet paradhëse, për shkak të pandemisë. Rritja e këtij produkti ka dhënë një ndikim të rëndësishëm edhe në ecurinë e numrit të përgjithshëm të kontratave të sigurimit. Numri i kontratave në sigurimin e jo-jetës u rrit me 19.3% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar dhe ndikimin kryesor e dhanë pikërisht produktet e sigurimit të aksidenteve dhe shëndetit, ku kontratat u shtuan me rreth 116% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, tregu i sigurimit të jetës po shfaq edhe këtë vit ritme të rritjes dyshifrore. Primet e sigurimit të jetës u zgjeruan me 8.6% krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar. Në numër kontratash, rritja ishte disa herë më e lartë, me 46% më shumë. Tregu i sigurimit të jetës edhe këtë vit po mbështetet kryesisht tek produkti kryesor, sigurimi i jetës së debitorit, që përbën rreth 75% të primeve të shkruara bruto. Ky produkt është kryesisht i lidhur me sigurimin e detyrueshëm të jetës së huamarrësve në sektorin bankar. Megjithatë, rritje të konsiderueshme në tregun e sigurimit të jetës po shënojnë edhe shumica e produkteve të tjera, që po shfaqin një tendencë në përmirësim qysh prej vitit të kaluar.
Në total, për tre muajt e parë të vitit siguruesit paguan rreth 14 mijë dëme, shifër kjo 13% më e lartë krahasuar me një vit më parë. Por, vlera totale e dëmeve të paguara nga siguruesit për janarin ishte 1.46 miliardq lekë, në rënie vjetore me më shumë se 27%. Dëmet e paguara pësuan rënie si në segmentin e jetës, me 25%, ashtu edhe në atë të jo-jetës, me 29%. Rënia e vlerës së dëmeve, megjithë numrin më të lartë të tyre, mund të shpjegohet kryesisht me zhvendosjen e rasteve nga klasat e sigurimit të pronës, ku dëmet mesatare janë më të larta, tek sigurimet e detyrueshme motorike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.