Tregu vendas nuk siguron lëndën e parë, industria detyrohet ta importojë

23/04/2019 4:08 PM 0 komente

EHW, kompania më e vjetër në treg, renditet e para sa i përket qarkullimit. Sipas drejtuesve të saj, industria ka ruajtur qëndrueshmërinë në tregun vendas. Jona Leka, menaxhere e marketingut, pohon se kompanitë shqiptare zënë rreth 75% të tregut vendas për produktet e mishit të përpunuar. Industria detyrohet të importojë lëndën e parë prej vitesh, duke qenë se prodhimi vendas nuk e plotëson nevojën e tyre.

 

Flet Jona Leka, Menaxhere Marketingu në EHW gmbh

 

Si ka qenë ecuria në industrinë e përpunimit të mishit në Shqipëri? Cilat janë disa nga sfidat në këtë industri?

Nga pikëpamja jonë, industria e përpunimit të mishit ruan të njëjtën prodhimtari si në vitet e kaluara. Dominon me produkte tregu, duke pasur një pozicion më të fortë se produktet e importuara. Aktualisht, mbi 75% e tregut mbulohet nga produkte vendase. Megjithatë, vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së produkteve të importit, sidomos për vende të cilat janë favorizuar nga eliminimi i taksës doganore.

Për të qenë me hapin e kohës, një detyrim është inovacioni në këtë industri. Sot, me ristrukturimin e tregut, i cili po dominohet nga supermarketet dhe marketet e vogla, rritet nevoja për produkte të ambalazhuara thjesht për t’u tregtuar dhe sidomos me jetëgjatësi më të madhe për t’ju përshtatur tregtimit në markete. Ky do të jetë drejtimi i inovacionit për vitet në vijim: rritje e jetëgjatësisë së produkteve, si dhe zvogëlimi i përmasave të ambalazhimeve, gjithmonë duke plotësuar normat e sigurisë ushqimore vendase dhe europiane.

Ka një lloj tendence globale në uljen e konsumit të mishit të kuq. A e keni vënë re këtë raport te konsumatorët
shqiptarë?

Kjo tendencë nuk ka pasur ndonjë ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri. Konkretisht, EHW ka pasur rritje mesatare vjetore midis 6 dhe 8% në vitet e fundit. Edhe në botë, tendenca është reduktuar në mënyrë drastike, sepse nuk rezulton të ketë baza të forta shkencore në mendimin se mishi i kuq ka ndonjë efekt negativ në shëndet. Përkundrazi, konsumi në mënyrë të moderuar i mishit të kuq ushqen trupin me proteina, të cilat e mbajnë organizmin për një kohë relativisht më të gjatë se llojet e tjera të ushqimeve që kanë të njëjtën përbërje kalorike.

Siguria ushqimore mbetet “Thembra e Akilit” në sektorin agropërpunues. Çfarë po bëhet për të rregulluar këtë situatë? A ka një lloj paragjykimi për produktet shqiptare?

Mendojmë se sektori i përpunimit të mishit është në pararojë të plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në përputhje me ato europiane. Në këtë kontekst, EHW, duke qenë lider i sektorit prej 26 vitesh dhe kompania e parë e certifikuar nga certifikues europianë, ka qenë një model i mirë, i cili ndiqet dhe nga industri të tjera. Sigurisht ka dhe konsumatorë që kërkojnë doemos produkte të huaja, por janë në pakicë. Në përgjithësi, vlerësohen mirë produktet shqiptare, sidomos nga fakti që kanë konkurruar suksesshëm me produktet e importit.

Në raport me rajonin, sa konkurruese është industria e përpunimit të mishit në Shqipëri?

Industria e përpunimit të mishit në Shqipëri ka dy probleme të mëdha të cilat krijojnë barriera në tregjet brenda dhe jashtë rajonit:

Së pari, tregu vendas nuk siguron lëndën e parë të nevojshme, mishin e derrit, sepse nuk ekzistojnë impiante moderne për rritjen e mishit. Tregu vendas nuk furnizon dot industrinë me lëndën e parë bazë për përpunimin e mishit. Për këtë arsye, bazohemi kryesisht në lëndë të para importi, çka d.m.th. kemi kosto të shtuara importi dhe kosto të shkaktuara nga taksa doganore. Në fakt, jemi e vetmja industri që paguan taksa doganore për lëndën e parë. Megjithatë, importet janë tërësisht nga vende dhe firma prodhuese të certifikuara për të eksportuar në komunitetin europian.

Bëhet fjalë për produkte plotësisht të sigurta. Të gjitha këto barriera janë krijuar nga shteti shqiptar për të stimuluar prodhimin e mishit të derrit, ndërkohë që ky prodhim në vend nuk ekziston. Për pasojë, industria e përpunimit të mishit vuan kundrejt industrive të tjera të rajonit që kanë një masë të konsiderueshme të lëndës së parë të siguruar në vend.

Ndërkohë, sallamet e prodhuara në Europën Qendrore dhe vendet fqinje, në zbatim të marrëveshjeve me shtetin shqiptar, nuk paguajnë taksë doganore. Në këtë mënyrë, favorizohen produkte konkurrente dhe dëmtohet industria e përpunimit të mishit në vend, gjë që është e dukshme nga rritja deri në 5% e produkteve të importit në vitet e fundit.

Së dyti, sistemi i inspektimit për kontrollin e produkteve shtazore në Shqipëri konsiderohet jo i besueshëm nga vendet europiane. Për pasojë, këto shtete ndalojnë eksportin nga Shqipëria të çdo produkti me origjinë shtazore, duke nisur nga mishi. Kjo dëmton së tepërmi eksportet e industrisë shqiptare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of