Treguesi i besimit në ekonomi u rrit për të shtatin muaj radhazi në qershor

07/07/2021 12:45 PM 0 komente

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit për të shtatin muaj radhazi në muajin qershor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi një rritje prej 1.6 pikë krahasuar me nivelin e muajit maj. Ecuria pozitive e qershorit u përcaktua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Gjithashtu, besimi konsumator u përmirësua por në një masë më të vogël.

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit mbeti në nivel të përafërt me vlerat e muajit të kaluar.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 4.1 pikë përqindje krahasuar me muajin maj. Kjo rritje u ndikua si nga komponenti i lidhur me ecurinë e biznesit ashtu edhe nga komponenti i lidhur me kërkesën. Për të dytin muaj rresht, ky tregues është mbi nivelin e mesatares së tij afatgjatë. Përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me muajt pararendës shënoi edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 2.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, duke vijuar të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Rritja ka ardhur nga të dy komponentët përbërës të ecuria aktuale e biznesit dhe pritjet për nivelin e punësimit.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 2.1 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, por jo nën mesataren afatgjatë. Ky zhvillim u ndikua nga rëniet në komponentët e kontratave nga eksportet dhe prodhimi aktual. Megjithatë, treguesi i gjendjes financiare të bizneseve në sektorin e industries shënoi përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me tremujorët pararendës.

Treguesi i besimit në ndërtim rezultoi shumë pranë nivelit të muajt të kaluar. Dy komponentët përbërës të tij kanë lëvizur në kahe të kundërta. Vlerësimi i bizneseve në lidhje me aktivitetin ndërtues është më i ulët se një muaj më parë, ndërsa komponenti i porosive aktuale është përmirësuar.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.4 pikë përqindje në muajin qershor, duke vijuar tendencën pozitive të muajve të fundit, ndonëse në një masë më të kufizuar. Rritjen e udhëhoqi pritja pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike në të ardhmen, shoqëruar nga përmirësime të lehta edhe të pritjeve për situatën e tyre financiare në të ardhmen, si dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of