Qeveria i ka dhënë “OK” dy projekteve turistike që do të zhvillohen nga Balfin Group përkatësish në Himarë dhe në Gjirin e Lalzit. Vlera e investimeve e parashikuar për këto dy projekte është rreth 78 milionë euro.
Më saktësisht rreth 52 milionë euro për projektin e “Green Coast” që do të ndërtohet në Himarë ( Palasë) dhe rreth 26 milionë euro për projektin “New Born” që do të ndërtohet në Gjirin e Lalëzit ( Hamallaj).
Në Green Coast Resort do të ndërtohen 152 objekte që përmbajne mbi 300 njësi banimi ( vila, apartamente dhe një hotel).
Parashikohet të punësohen rreth 500 punonjës në fazat e ndryshme të zhvillimit të projektit dhe 100 punonjës të përhershëm.
Për New Born, konsorciumi ka filluar ndërtimin e të paktën dy resorteve turistike. Projekti parashikon krijimin e një destinacioni turistik dhe rekreativ, ku objektet do të jenë të tipit multi-familjare dhe vila.
Në të parashikohet të punësohen rreth 400 punonjës në fazat e ndryshme të zhvillimit të projektit dhe 50 veta si punonjës të përhershë.
Faza e parë do të karakterizohet nga dhënia e ambjenteve me qera, nderkohë që në fazën e dyte procesi do të pasohet dhe nga ndërtimi i një hoteli.
Ligji për investimet strategjike hyri në fuqi në janar të këtij viti. Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nënsektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.
Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjikë janë dy. Konkretisht, interesi publik që bart një investim, si dhe kriteri financiar.
Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen e konkurrencës dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.
Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se 50 (pesëdhjetë) milionë euro.
Përveç dy investimeve të grupit Balfin (Green Coast dhe ai në Hamallaj), investimi i tretë në turizëm parashikon ngritjen e një kompleksi turistik dhe zonë rezidenciale në Velipojë, me vlerë 35 milionë euro, ndërsa parashikohet të hapen 256 vende pune.
I katërti është ndërtimi i një ferme të madhe bujqësore për prodhimin e përpunimin e perimeve dhe eksportin e tyre në fshatin Gurëz në Lushnjë, me vlerë investimi 3.6 milionë euro, që pritet të punësojë 120 veta.
New Born
1. Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Neë Born”, Hamallaj, gjiri i Lalëzit, i cili ka përfituar statusin e investimit strategjik, procedurë e asistuar, me vendimin nr.1/15, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
2. Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi, të jetë 20 (njëzet) vite duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj – 30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/m2 në muaj nga ana e investitorit strategjik, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.
4. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Durrës.
5. E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Mane TCI”, me NIPT/NUIS K22203004A, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në përcaktimet e bëra në vendimin nr.1/15, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe në përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Durrës.
6. Ngarkohet Bashkia Durrës për lidhjen e kontratës përkatëse me investitorin strategjik në zbatim të këtij vendimi. Në këtë kontratë parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit të investimit strategjik.
Green Coast
1. Lejohet përdorimi i brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Green Coast”, Palasë, Himarë, zona kadastrale 1481-1739, i cili ka përfituar statusin e investimit strategjik, procedurë e veçantë, me vendimin nr.2/13, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
2. Afati për përdorimin e brigjeve sipas këtij vendimi të jetë 20 (njëzet) vite duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj – 30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/m² në muaj nga ana e investitorit strategjik, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.
4. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Himarë.
5. E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Green Coast”, me NIPT/NUIS: L41329038D, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në përcaktimet e bëra në vendimin nr.2/13, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe në përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Himarë.
6. Ngarkohet Bashkia Himarë për lidhjen e kontratës përkatëse me investitorin strategjik në zbatim të këtij vendimi. Në këtë kontratë parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit të investimit strategjik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.