Zëvendëskryeministri i Turqisë, përgjegjës për ekonominë, Mehmet Shimshek, deklaroi se marrëdhëniet Turqi-Rusi do të forcohen edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme.
Shimshek, në ditën e dytë të punimeve të Forumit të Mediave Turqi-Rusi që organizohet në zonën turistike Belek të Antalisë nga ana e organizatës ndërkombëtare botuese “Global Connection”, bëri një prezantim në lidhje me ekonominë botërore dhe atë turke.
Duke bërë të ditur se rritja e ekonomisë botërore është ngadalësuar dukshëm pas krizës globale, Shimshek tha se ekonomia globale është në një proces të rimëkëmbjes, ndërsa shtoi se parashikohet që gjatë 3 viteve të ardhshme rritja globale të jetë rreth 3,7%.
Shimshek rikujtoi se Rusia dhe Turqia janë vende anëtare të grupit G-20 dhe bëri të ditur se bashkëpunimi dhe solidariteti në këtë platformë është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve.
Duke prekur edhe në marrëdhëniet Turqi-Rusi, zëvendëskryeministri Shimshek tha: “Ne duam të kemi marrëdhënie të forta miqësore dhe fqinjësore me Federatën e Rusisë. Besoj që gjatë periudhës së ardhshme ky bashkëpunim dhe partneriteti ynë të jetë shumë më i fortë. Marrëdhëniet tona do të avancojnë në interes edhe të Turqisë edhe të Rusisë. Marrëdhëniet tona tregtare janë mjaft të forta dhe dialogu mes njerëzve është shumë i mirë. Bëhet fjalë edhe për një ‘bum’ në investimet reciproke. Kemi projekte të mëdha si ai i Rrjedhës Turke (Turkish Stream) dhe projekti i centralit bërthamor, të cilat i punuam së bashku. Gjithashtu bëhet fjalë për një marrëveshje në lidhje me fondin e përbashkët të investimeve”.
Shimshek theksoi se kompanitë turke në Rusi prej vitit 1970 e këtej kanë kryer punë të mëdha dhe vijoi me këto fjalë: “Turqia ka një të ardhme të ndritshme së bashku me Rusinë. Besojmë se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, krahas marrëdhënieve fqinjësore, do të forcohen edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme edhe me perspektivën miqësore dhe të partneritetit mes tyre. Aq sa ne i hapim tregjet tona për njëri-tjetrin aq do të përfitojnë të dyja vendet. Ne nuk duhet të frikësohemi nga tregtia, investimet dhe hapja jashtë”./ TRT TURKEY