Flet Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh, TVKLAN
Televizioni tashmë i është kthyer normalitetit, me të vetmin përjashtim të mungesës së publikut “live” në studio. Drejtori i Programacionit dhe Blerjeve në TVKLAN, Albert Dumani, pohon se struktura bazë e KLAN mbetet e njëjtë, me ndryshime të vogla në programe, ndërsa sa u takon serialeve, këtë sezon do të ketë më shumë larmishmëri.
Risia e këtij sezoni në seriale, sipas Dumanit, është përfshija e një seriali shqiptar, si dhe rikthimi i telenovelave spanjolle. Serialet turke dhe ato të Netflix do të jenë gjithashtu pjesë e programacionit të televizionit.
Prej dy vitesh po jetojmë nën efektin e pandemisë së COVID-19. Si janë ndikuar programacionet e televizioneve nga kjo situatë në mënyrën sesi punohet për produktet që prodhohen nga vetë televizionet?
Në ndryshim nga 2020, kur emisionet zhvilloheshin me jo më shumë se dy persona në studio apo me lidhje direkte nga studio tjetër apo ambiente të tjera, në sajë të lehtësimit të masave anti-COVID, ky vit fatmirësisht solli normalitet në prodhimin e emisioneve apo spektakleve tona.
I vetmi element që ende mungon për t’iu rikthyer prodhimeve të dy viteve më parë është publiku “Live” në studio. Për sa i përket stafit, ne po punojmë njësoj me të njëjtin pasion dhe përkushtim dhe sigurisht duke zbatuar të gjitha protokollet, si përdorimi i maskës dhe distancimi social.
Cilat janë disa nga emisionet e reja që do të shohim në televizionin KLAN këtë sezon dhe cilat janë emisionet e strukturës bazë që mbeten nga sezonet e kaluara?
Struktura javore e TVKLAN është thuajse tërësisht e plotësuar në çdo fashë orare të saj dhe duke thithur çdo target moshë në bazë të programit të caktuar që ne ofrojmë për shikuesit. Nuk ka më asnjë vend të lirë në strukturë, prandaj dhe që të fillojë një program i ri, duhet të mbyllet një tjetër.
Program i ri këtë sezon është “Shije shtëpie”, nga e hëna në të shtunë, “Live”, nga ora 10:05 – 11.55 me Katerina Trungu dhe znj. Vjollca. Një emision edukues – informues – argëtues. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike të znj. Vjollca u tregon dhe mëson amvisave të çdo moshe, si të gatuajnë receta të shijshme për të mbushur tavolinat e familjeve të tyre. Çdo ditë me Katerina Trungun informojmë publikun ndërmjet rubrikave dhe të ftuarve me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të së përditshmes.
Janë rikthyer me shumë sukses të gjitha programet e tjera të strukturës disavjeçare në TVKLAN, që nga programet e përditshme “Aldo morning show”, “Rudina”, “Stop”, emisioni më jetëgjatë në ekranet shqiptare “Opinion”, në vitin e tij të 25-të televiziv, programet javore “E Diela Shqiptare”, “Zonë e lirë”, “Klanifornia”, “Histori shqiptare”, “Jo vetëm modë” si dhe pas një viti mungese, për shkak të pandemisë, sezoni i katërt i “Check in”.
Do të rifillojë sezoni i dytë i formatit reality “Love story”, kësaj here me dy pretendentë, një vajzë dhe një djalë në kërkim të “fatit” në dashuri. Formati do të shoqërohet edhe nga një program ditor, nga e hëna në të premte, “Daily Love Story”, në orën 13:30.
Këtë sezon do të shfaqet edhe seriali komedi i shumëpritur nga Ermal Mamaqi, “H.O.T”, sezoni parë, me 10 episode dhe, së shpejti, janë porositur edhe dy sezone të tjera. Gjatë programit special të festave të fundvitit, do të transmetohen Premierë Ekskluzive në TV dy filmat e fundit me rekorde audience në kinema, “Dy gisht mjaltë” dhe “I love Tropoja”.
Po sa i takon blerjes së serialeve, telenovelave, si ka qenë ky sezon? Çfarë do të shohim në Klan këtë sezon? A kanë ndryshuar çmimet e tyre në tregje? Cilët janë tregjet më interesante në këndvështrimin tuaj?
Prodhimet turke janë ato më të realizuara për momentin dhe më të dashura për publikun shqiptar. Kujtojmë që Turqia ishte ndër vendet e pakta që nuk e ndali xhirimin dhe prodhimin e serialeve gjatë pandemisë, kur e gjithë bota u paralizua. Ata xhironin çdo ditë, me të njëjtin pasion dhe pa ulur aspak nivelin e profesionalizmit.
Këtë sezon do të shfaqet sezoni i fundit i serialit shumë të ndjekur “Cukur” dhe sezoni i dytë i serialit më të kushtueshëm të të gjitha kohërave në Turqi, “Osmani”. Pas përfundimit të serialeve që janë aktualisht në transmetim, këtë sezon do të shfaqen serialet më të reja turke si:
“Babil”, nga kompania e suksesshme “Ay Yapim”, vjen seriali dramatik me kastin më të jashtëzakonshëm të aktorëve, si asnjëherë më parë: Halit Ergenç (Sulejmani i madhërishëm), Ozan Güven, Aslı Enver, Nur Fettahoğlu, Birce Akalay. I shitur në më shumë se 70 vende të botës dhe suksesi vazhdon…Paraja nuk është çdo gjë, ajo është vetmja gjë. Irfani, një profesor në Fakultetin Ekonomik, pushohet pa të drejtë nga puna.
Drama e një babai që duhet të shpëtojë jetën e djalit të sëmurë. Teksa dyert i mbyllen një pas një, ai duhet të bëjë një zgjedhje. Së bashku me shokun e tij të ngushtë, Irfani arrin të krijojë skemën më të famshme piramidale që menjëherë bëhet mashtrimi më i madh financiar në vend. A do të mundet Irfani të dalë jashtë aventurës së errët ku është futur? A do të mund ai të sigurojë paratë për operacionin e djalit të tij?
Do të vijnë premierë ekskluzive edhe serialet dramatike prodhim i 2021-2022 si “Vajza në dritare”, “Dhoma e kuqe”, “Premtimi”, “I pabesë” dhe “Vera e fundit”. Sapo kam mbyllur kontratat për dy mega produksione historike të TRT “Selcuket e mëdhenj” me aktorin Baris Arduc (Kuzgun) dhe “Barbarët”, me aktorin Engin Altan Düzyatan (Ertugruli).
Këtë sezon do të vazhdojnë të shfaqen serialet më të klikuar në Netflix, prodhime të Amerikës Latine si:
“I mbijetuari i Eskobarit”, seriali për jetën e vrasësit më të famshëm dhe krahu i djathtë i Pablo Eskobarit. Teksa karteli Medellin shkatërrohet, John Jairo Velásquez me nofkën JJ ose Popey, dorëzohet para drejtësisë në 1992. I vetmi i mbijetuar i kartelit famëkeq, në luftën për të mundur armiqtë dhe të fitojë respekt në hierarkinë e burgut.
Një padron në burg, duke vazhduar mbretërinë e terrorit dhe një trafikant droge i rrezikshëm edhe brenda hekurave. Me interpretimin e jashtëzakonshëm të Juan Pablo Urrego. Fitues i çmimit seriali më i mirë i vitit në “Golden Umbrella TV Awards”. Një tjetër serial me shifra rekord shikueshmërie në Netflix.
“Bolivar”, historia që nuk është treguar kurrë më parë për një nga personazhet më të rëndësishëm të historisë së njerëzimit. Mizoria e kurorës spanjolle. Jeta dhe dashuritë e mëdha të gjeneralit venezuelian, Simon Bolivar, i cili çliroi disa vende të Amerikës Latine nga pushtimi spanjoll. Dhimbja e madhe e humbjes të atyre që donte më shumë në këtë jetë, e bëri atë një njeri me shpirt të hekurt. Një pasionant për jetën, për drejtësinë, për dashurinë. Një megaproduksion shumë i klikuar në Netflix. Me qindra aktorë të njohur botërisht. I xhiruar në më shumë se 300 lokacione natyrore.
“Presidenti” një nga serialet më të klikuar në “Amazon Prime Video” vjen për herë të parë në TV. Një serial kilen bazuar në skandalin e madh në futbollin botëror nga ish-presidenti i ANFP, Sergio Jadue, i interpretuar nga aktori kolumbian, Andres Parra.
Këtë sezon kemi një rikthim të telenovelave spanjolle në TVKLAN, si ajo me titull “Pasion dhe Pushtet” – një rivalitet i fortë pa kufij. Një fiksim dashurie që ndryshon jetën e të gjithëve. Martesa të palumtura dhe drama e dy familjeve më të fuqishme. Një rivalitet që do të prekë edhe fëmijët e tyre. Kur pasioni dhe pushteti mbizotërojnë, konflikti shndërrohet në luftë. A mund të urresh deri në vdekje dhe të duash me të njëjtën forcë!? Telenovela më e mirë e vitit në Meksikë, me një kast aktorësh shumë të famshëm!
Sa i takon raportit, prodhime tuajat dhe blerje, si qëndron në përqindje të programacionit secili prej tyre në Klan TV?
Rreth 80% janë prodhime tona dhe 20%, prodhime të huaja të blera.
Si e shihni sjelljen e audiencës në lidhje me atë që shfaqet në ekran? A është rritur vëmendja drejt televizionit në kushtet kur ka edhe kufizime apo mundësitë e argëtimit janë reduktuar?
Audienca vazhdon të preferojë dhe të ndjekë programet e ofruara. Ne shfaqim atë që audienca pëlqen dhe shifrat e audiencës e tregojnë këtë simbiozë, ato janë gjithmonë në rritje. Televizioni këto dy vitet e fundit, gjatë pandemisë, është kthyer në mjetin e vetëm të argëtimit, sepse duke qëndruar më së shumti në shtëpi, apo ambiente të mbyllura, ai mbetet shumë i ndjekur dhe i shikuar, sidomos kur ke edhe programe apo prodhime të mira që shfaqen në ekran.
Si mbetet interesi i biznesit për të reklamuar duke qenë se vitin e shkuar pati një rënie drastike të buxheteve të marketingut? Si paraqitet situata këtë vit?
Viti që lamë pas ishte me të vërtetë i vështirë ekonomikisht, pasi me mbylljen e shumë kompanive, u vu re një rënie e ndjeshme e reklamimit të tyre në televizion. Këtë vit, situata është disi më e mirë, përderisa nuk kemi ende mbyllje totale dhe duket sikur bizneset janë më mirë gjatë këtij viti. Gjithsesi efektet e pandemisë vazhdojnë të ndihen dhe shpresoj që viti i ardhshëm të jetë më i mbarë nga ana e marketingut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Drejtori programi Alpert Dumani