Prej një muaji, Ministria e Financave dhe Tatimet kanë publikuar variantin e ri të ligjit “Për TVSH”, por shumë biznese nuk janë të informuar, ndërsa të tjerë shprehin skepticizmin
Ende pa iu tharë boja e vulës mbi draftin për ligjin e ri të TVSH, kanë nisur diskutimet e para, me kundërshti dhe hije dyshimi nga bizneset.
“Monitor” publikoi tri javë më parë variantin dhe reagimet e sipërmarrjes private ishin të vakëta, për të mos thënë fare, pasi pakkush ishte njohur me përmbajtjen.
“Nuk mund të them konkretisht se ku qëndrojnë komentet apo vërejtjet tona, pasi do të na duhet shumë kohë për t’i trajtuar”,
thotë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës, Nikolin Jaka. “Shefi” i bizneseve të kryeqytetit ka kërkuar më shumë se dy muaj kohë nga Ministria e Financave për kthimin e përgjigjeve rreth draftit,
ndërsa e ka shpërndarë tek anëtarët. Por zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, thotë se drafti është tërësisht i plotësuar dhe i qartë dhe se më shumë se dy muaj kohë do të ishin të tepërt.
Shumë shoqata biznesesh janë shprehur të habitura për ndryshimin e ligjit dhe anashkalimin që iu është bërë gjatë hartimit të tij, por ministria gjykon se diskutimi sapo ka nisur dhe ende nuk ka një variant final.
Pikërisht te përmbajtja ka shumë paqartësi, sidomos te pjesa e Direktivës së BE-së, për disa përjashtime. Ministria e Financave pranon se shumë rekomandime nuk janë marrë parasysh, si vendosja e TVSH-së për mediat,
apo reklamat etj., por me kalimin e kohës dhe si kusht i anëtarësimit, duhen plotësuar si detyrime për t’u zbatuar edhe në vendin tonë.
Fillimi i vështirë
Në parim, biznesi shprehet pro ndryshimeve, por kur futen në detaje të draftit për TVSH, shikojnë se shumica e “problemeve” nuk preken fare.
“Mendojmë se ka ardhur koha për një ligj lehtësirash fiskale dhe incentivash, sikurse po veprojnë shumë vende të rajonit, konkurrent me ne”, thotë një importues i rëndësishëm në treg.
Debati i parë për draftin u zhvillua javën e kaluar në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit, dhe kryesisht vërtitej te pjesa e përjashtimeve dhe afatet për trajtimin e tij.
“Është një ligj tepër i qartë nga aktuali, ku merr parasysh shumë raste specifike”, thotë Rushaj, duke anashkaluar specifikat.
Kryesisht bizneset ankohen për mënyrën e trajtimit të rimbursimit të TVSH-së, e cila vërtitet sërish në situata komplekse dhe me kosto, madje edhe për vetë administratën.
Bashkim Sykja, njohës i mirë i sektorit privat dhe konkurrencës, aktualisht ekspert në Ministrinë e Ekonomisë,
thotë se duhet ndarë njëherë e mirë kufiri i regjistrimit me TVSH për bizneset, pra të vendoset në ligj, dhe jo të ndryshohet sipas rastit me VKM.
Zyrtarja e Financave, Arjana Dyrmishi, përgjigjet se, ministria po shqyrton çdo mundësi për vendosjen e saktë të kufirit.
Aktualisht, pragu i regjistrimit në vendin tonë është i ndryshëm, pra jo i njëjtë, ku 5 milionë lekë në vit është për bizneset dhe zero për profesionet e lira.
Parë në aspektin social, ekspertët e fushës thonë se nga draftligji prisnin më shumë, sidomos te pjesa e ndarjes së shkallës tatimore për produktet sensitive.
Sipas tyre, gama e mallrave dhe e shërbimeve të përjashtuara nga TVSH, në draftin e fundit, mbetet e limituar, duke u bazuar pothuajse në të njëjtat mallra e shërbime që aktualisht janë të përjashtuara.
Në këtë mënyrë, shumë mallra jetike janë parashikuar të jenë të tatueshme me normën standarde të TVSH, pra me 20 për qind, përveç barnave, me 10 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.