Vitet e fundit, qeveria forcoi masat për të rritur rendimentin e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke ulur pragun e TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, por rezultatet kanë treguar për të kundërtën.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat nga TVSH-ja arritën në fund të vitit 2019 në 7.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), niveli më i ulët që nga viti 2003.
Në vitin 2019, të ardhurat nga TVSH në raport me PBB-në shënuan rënie me 1 pikë përqindje. Kjo ishte tkurrja më e fortë që nga viti 1994.
Organet fiskale të vendit, tatime dhe dogana grumbulluan 18,8 miliardë lekë (150 milionë euro) më pak se plani i vitit 2018 dhe 11 miliardë lekë (96 mld lekë) më pak se fakti i një viti më parë.
Ministria e Financave, më herët i ka lidhur dobësitë në arkëtimin e TVSH-se me përfundimin e punimeve në investimet e mëdha përkatësisht, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll dhe me përjashtimin nga pagesa e TVSH-së të nënkontraktorëve të lidhur më këto investime.
Arsyeja tjetër, sipas Ministrisë së Financave, lidhet me zgjerimin e bazës së mallrave të përjashtuara nga TVSH-ja. Vitin e kaluar, paketa fiskale përjashtoi nga TVSh-ja imputet bujqësore.
Gjatë vitit 2019, Ministria e Financave planifikoi të grumbullonte 152,3 miliardë lekë nga TVSH me një rritje 5.4% nga fakti i vitit 2018, por arkëtimet jo vetëm që nuk shkuan sipas planifikimeve, por shënuan një hendek të thellë në raport edhe me faktin e vitit 2018 me një rënie 7.7%.
Vitet e fundit, Ministria e Financave mori dy masa të mëdha për rritjen e arkëtimeve nga TVSH-ja. E para ishte ulja e pragut të përfshirjes në TVSH të bizneseve me xhiro vjetore 2 milionë lekë. Nëpërmjet këtyre masave, qeveria synonte që të formalizonte TVSH-ne në të gjithë zinxhirin e qarkullimit të tatimit.
Krahas kësaj mase, qeveria ka ushtruar kontrolle të përqendruara antiinformalitet në të gjithë linjat e biznesit sidomos në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve, që sipas një analize risku të bërë nga tatimet janë sektorët me evazionin më të lartë fiskal.
Qarkullimi i mallrave vitin e kaluar është nxitur edhe nga rritja e konsumit për shkak të një sezoni të mbarë turistik. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar vendin tonë e kanë vizituar më shumë se 6.5 milionë turistë, të cilët duke qenë se, kanë konsumuar mallra dhe shërbime supozohet të kenë nxitur edhe qarkullimin e TVSH-së.
Këtë vit, qeveria synon të përmirësojë rezultatet e arkëtimit të TVSH nëpërmjet projektit të fiskalizimit, që pritet të aplikohet në shtator të këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.