Uber Technologies Inc (UBER.N) deklaroi të mërkurën se synon të përqendrohet te rritja e të ardhurave këtë vit, pasi e mbylli vitin 2022 me fitime që mundën parashikimet, falë rritjes së kërkesës për udhëtime në aeroport dhe zyra.
Kjo e ndihmoi kompaninë të marrë veten nga nivelet më të ulëta të pandemisë.
“Tashmë e kemi lënë pas krahëve ndikimin e pandemisë në aktivitetin tonë të lëvizshmërisë” – deklaroi Dara Khosrowshahi, drejtues ekzekutiv në Uber.
Uber parashikoi një EBITDA të rregulluar, një parametër i të ardhurave që përjashton disa kosto, mes 660 – 700 milionë dollarë në tremujorin e parë, sipër vlerësimeve mesatare të analistëve prej 593,06 milionë dollarësh, sipas të dhënave të Refinitiv.
“Ata ia arritën qëllimit… Rritja fitimprurëse në këtë mjedis është shumë e rëndësishme” – deklaroi Tejas Dessai, analist në Global X ETFs, që përfshin Uber në disa nga fondet e tij.
Tregu i Rideshare po përfiton nga rikthimi në normalitet dhe rritja e kostove për të pasur në pronësi një makinë, duke shtyrë shumë njerëz që të zgjedhin një taksi. Ndërkohë, një numër gjithnjë e më i madh shoferësh po regjistrohen, ndërsa kërkojnë burime të reja të ardhurash.
Uber, i cili vepron në më shumë se 70 vende dhe 10.000 qytete, deklaroi edhe produkte të reja rideshare, si rezervimi përpara, udhëtimet e përbashkëta, marrja me qira e makinave dhe ndarja e makinave (car-sharing), të cilat po rrisin të ardhurat.
Khosrowshahi tha se drejtuesit aktivë në platformë arritën rekordin në tremujorin e katërt dhe vijuan të rriten edhe në janar, duke lënë mënjanë shqetësimet për mungesë shoferësh që regjistroheshin ndërsa kërkesa u rrit.
Të enjten parashikohet një prezantim i rezultateve të rivalit Lyft. Edhe aksionet e Lyft u rritën pas rezultateve të Uber.
Të ardhurat e Uber u rritën me 49% në 8.61 miliardë dollarë në tremujorin e katërt, duke mundur parashikimet prej 8.49 miliardë dollarësh. Të ardhurat nga Rideshare u rritën me 82%.
Kompania fitoi 29 cent për aksion, ndërsa analistët kishin parashikuar një humbje prej 18 centësh.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.