Pandemia do të lërë një plagë të thellë në ekonominë e futbollit europian. Këtë e pohon vetë UEFA, – raporti u publikua nga Il Sole 24 Ore, sipas së cilës, emergjenca shëndetësore do t’i kushtojë më shumë se 8 miliardë euro klubeve të kontinentit.
Kjo shifër, nëse konfirmohet, do të shënonte një humbje të madhe pas 20 vitesh në rritje të pandërprerë. Raporti nënvizon se 120 shoqëri janë në “rrezik ekzistencial për shkak të vështirësive” që solli pandemia në muajt e parë të 2020-s.
Përfundimet e UEFA-s janë në çdo rast të ngjashme me ato të 12 klubeve themeluese të Superleague-s – pandemia e privoi gjithë sektorin me 10% të të ardhurave të pritshme për sezonin 2019-2020. Të ardhurat e munguara për 55 kampionatet europoiane llogariten në 8.7 miliardë euro, nga të cilat 7.2 miliardë për klubet më të rëndësishme.
Vlerësimi llogaritet duke u mbështetur te bilancet e publikuara te shoqëritë futbollistike, si dhe në rinegocimin (në ulje) të të drejtave televizive për kompeticione të ndryshme. Sipas UEFA-s, humbjet do ta ndaheshin në këtë mënyrë:
- 3,6 deri në 4 miliardë euro më pak nga mbyllja e stadiumeve
- 2,4 deri në 2,7 miliardë euro më pak nga të ardhurat tregtare
- 1,2 deri në 1,4 miliardë euro më pak nga të drejtat televizive.
Klubet më të prekura janë ato franceze, ku rënia e të ardhurave të përgjithshme arrin në 30%, ndjekur nga klubet skoceze.