Bizneset dhe individët kanë pasur avantazhin e marrjes së kredive më të lira në lekë në muajin qershor të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Interesi mesatar i ponderuar për kreditë ne lekë për të gjitha afatet e maturimit zbriti në 9.05%, nga 9.41% që ishte në muajin maj.
Tkurrja më e lartë ka qenë për afatet deri në një vit, ku interesi mesatar zbriti me 1.3 pikë përqindjeje, nga 9.5% në maj në 8.2% në qershor.
Në rënie ka qenë dhe interesi për huat me afat 1-3 vjet, që zbriti me 0.75 pikë përqindjeje, nga 12.51% në maj, në 11.76% në qershor.
Këto janë dhe afatet që jepen më shumë hua nga bankat, duke pasur dhe ndikimin më të madh në interesin mesatar të ponderuar.
Banka e Shqipërisë ka qenë agresive në uljen e normës bazë gjatë tre viteve të fundit, duke e zbritur atë nga 5.25% në mesin e vitit 2011 në 2.5% aktualisht, me synimin kryesor gjallërimin e ekonomisë, përmes huave më të lira. Por, interesat e kredive kanë qenë ato që kanë shënuar dhe reagimin më të ngadaltë. Sipas bankës së Shqipërisë, ky reagim i ngadaltë lidhet në një masë të madhe me primet e larta të rrezikut, të cilat burojnë nga pasiguria për të ardhmen. Konsumatori dhe biznesi shqiptar shfaqen hezitues në rritjen e konsumit dhe të investimeve, pavarësisht niveleve të normave të interesit në sistemin bankar. Nga ana tjetër, oferta e kredisë është shfaqur relativisht e shtrënguar, si pasojë e rrezikut të perceptuar nga bankat, por edhe si pasojë e politikave të minimizimit të rrezikut, të adoptuara nga grupet bankare evropiane që operojnë në Shqipëri.
Megjithatë qershori dha sinjale pozitive, me kredinë për ekonominë që u rrit për të dytin muaj radhazi (http://www.monitor.al/kredia-rritet-ne-qershor-me-shume-hua-per-bizneset-renia-vjetore-1-6) dhe bankat që lehtësuan kriteret e huadhënies ( http://www.monitor.al/t-ii-2014-rritet-optimizmi-te-bankat-lehtesohen-kushtet-e-dhenies-se-kredise).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.