Reduktimi i konsumit, ka sjellë rënie të importeve në disa produkteve të akcizës sidomos karburanteve.
Ministria e Financave gjatë rishikimit të fundit të buxhetit 2022 e shkurtoi planin e arkëtimeve nga akciza me rreth 29 milionë euro.
Me ndryshimet e fundit të ardhurat nga akciza parashikohet të arrijnë në 55 miliardë lekë nga 58,4 miliardë lekë në që ishin planifikuar në ndryshimet e fundit të muajit mars. Rishikimi më ulje po vjen për shkak të rënies së importeve të naftës. Që pas luftës në Ukrainë importet e naftës janë ulur në mënyrë sistematike muaj pas muaji.
Pavarësisht se, volumi i importeve ishte me ulje në 6-mujorin e parë vlera e tyre ishte më e lartë, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare. Si rrjedhojë e çmimeve më të larta arkëtimet e tatimore që vilen në përqindje janë me rritje, por tatimet në vlerë fikse duket se do të preken nga rënia e sasive.
Akciza tek nafta është 37 lekë për litër. Sipas të dhënave nga Doganat, në korrik u importuan 53.4 mijë ton karburante, me një rënie prej 11% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur pothuajse në nivelin e vitit 2020, kur vendi po vuante nga pasojat e kufizimeve për shkak të pandemisë (shiko grafikun: Importet e karburanteve, korrik).
Tkurrja e importeve të karburanteve ka nisur që në muajin mars, kur filloi dhe shtrenjtimi i fortë i çmimeve, që arritën deri në 260 lekë për litër, nga 192 lekë në fund të muajit shkurt, si rrjedhojë e problemeve me furnizimin të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Për 7 mujorin e parë të vitit, importet e karburanteve kanë rënë me 9.2% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Vetëm për 5 mujorin mars-korrik, tkurrja është 14.5%.
Në janar-qershor 2022 u importuan rreth 2,4 milionë tonë mallra nga rreth 2,6 milionë që u importuan vitin e kaluar në këtë periudhë ose rreth 161 mijë tonë më pak. Ndikimin më të madh në këtë rënie e dhanë grupet e mallrave që përbëjnë edhe volumin më të madh, të tilla si mineralet dhe lëndët djegëse, giza dhe çeliku, drithërat, produktet e qeramikës dhe plehëruesit.
Ulja e konsumit të karburanteve është tregues i hershëm i frenimit të rritjes ekonomike në periudhën afatmesme. Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se rritja e çmimeve do të kulmojë në pjesën e mbetur të vitit./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.