Numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 10 mijë e 419 raste, ku prej tyre 341 kanë humbur jetën kurse janë shëruar 6 mijë e 58 të tjerë. Por Kosova vazhdon të ketë numër të madh të vdekjeve në një milion banorë, krahasuar me disa nga vendet e rajonit, por edhe botës.
Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka zbuluar një grafik ku tregon disa krahasime në mes shteteve të ndryshme për vdekshmërinë nga Covid-19 në 1 milion banorë.
Sipas grafikut, Kosova ka 184 vdekje për 1 milion banorë. Shifër kjo e cila mund të krahasohet me Portugalinë, e cila i ka 173. Mirëpo Kosova ka 1.8 milion banorë, ndërkohë që Portugalia ka 10 milionë banorë.
Belgjika prin në 851 vdekje nga Covid-19 në 1 milion banor, shtet ky me më shumë se 11 milionë banorë.
Në shtetet e Ballkanit më së miri qëndron Kroacia me vetëm 39 vdekje në 1 milion banorë. Pas Kroacisë vijnë, Sllovenia me 62, Shqipëria me 70 vdekje, Serbia me 92, Mali i zi me 102, Bosnja dhe Hercegovina me 130 dhe Maqedonia e Veriut me më së shumti vdekje për një milion banor, gjithsej 253.
Një ndër shtetet e cila e ka menaxhuar më së miri çështjen e pandemisë është Gjermania. Aktualisht Gjermania shënon 110 vdekje në një milion banorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.