Më 25 prill, Venecia filloi zbatimin e tarifës për hyrjen në qytet, për udhëtarët ditorë. Periudha e provës për këtë tarifë përfshin 29 ditë në maj, qershor dhe korrik – duke përfshirë fundjavat dhe festat publike.
Masa u vendos, për të ulur numrin e vizitorëve, që qëndrojnë vetëm për një ditë, të cilët i sjellin më pak përfitim ekonomik qytetit, sesa turistët që qëndrojnë një ose më shumë netë, si dhe shkaktojnë probleme si mbipopullimi.
Megjithatë, shumë banorë të Venecias, e kanë kritikuar taksën e hyrjes si joefektive në kontrollin e numrit të vizitorëve, ndërsa dënojnë këshillin e qytetit për shpërfilljen e çështjeve kritike, si strehimi.
Ja çfarë efekti ka pasur tarifa, një muaj që nga fillimi i zbatimit.
Nisja e zbatimit të tarifës më 25 prill, u prit me protesta nga banorët dhe konfuzion nga turistët.
Një keqkuptim kryesor, ishte se megjithëse vizitorët, që kanë rezervuar akomodimin gjatë natës në Venecia janë të përjashtuar nga tarifa e udhëtimit ditor, ata ende duhet të regjistrojnë praninë e tyre në platformën e rezervimeve.
Vizitorë të tjerë, e panë faqen e internetit të vështirë për t’u përdorur dhe blerja e një bilete, ishte një proces i gjatë.
Kishte punonjës në dispozicion, për të kontrolluar nëse turistët e kishin shkarkuar kodin e tyre QR dhe për t’i udhëzuar ata, përmes procedurës.
Banorët ishin gjithashtu duke protestuar kundër tarifës, që ata thonë se nuk do të ketë një efekt domethënës në uljen e numrit të vizitorëve dhe shmang adresimin e çështjeve më themelore, si kriza e strehimit.
Kritikët thonë gjithashtu, se nevoja që studentët dhe turistët të marrin një kod QR (edhe pse nuk u kërkohet të paguajnë) është jopraktike.
Ish-kryebashkiaku i Venecias Massimo Cacciari, e ka quajtur tarifën “absurde” dhe u tha turistëve, të mos paguajnë, duke thënë se ajo bie ndesh me lirinë e lëvizjes.
Venecia fiton 1 milion euro në 11 ditët e para të taksës turistike
Tarifa e hyrjes, është aktualisht në 5 € dhe vlen për vizitorët ditorë, me përjashtime, duke përfshirë banorët e rajonit të Veneto-s, studentët dhe fëmijët nën 14 vjeç.
Gjatë 11 ditëve të para, që tarifa e vizitorëve ishte në fuqi – nga 25 prilli deri më 5 maj – qyteti shiti 195,000 bileta, duke mbledhur një total prej 977,430 €.
Shuma i tejkaloi pritjet, por është ende më pak se kostoja e ngritjes së sistemit të rezervimit online, fushatave informative dhe kontrollit të biletave – 3 milionë euro, sipas gazetës italiane Corriere della Sera.
Pas periudhës së provës, tarifa mund të rritet në 10 € në ditë. Ka edhe gjoba deri në 300 euro, për ata që tentojnë të vizitojnë pa biletë.
Tarifa e hyrjes në Venecia nuk ka ulur numrin e turistëve
Deri më tani, projekti pilot, nuk ka rezultuar në ulje të numrit të turistëve. Një këshilltar i qytetit për Venecian, e ka quajtur masën një dështim.
“Masa e biletave të hyrjes në Venecia ka dështuar keq, sepse numrat tregojnë, se bileta në asnjë mënyrë, nuk e ka ulur fluksin e turistëve, apo nuk ka penguar ardhjet, por përkundrazi, të ardhurat janë numerikisht superiore në krahasim me vitet e mëparshme”, tha Giovanni Andrea Martini, i grupit të këshillit të qytetit All The City Together.
Më 19 maj 2024, kishte 70,000 hyrje, ndërsa vitin e kaluar më 2 qershor, festë kombëtare në Itali, u regjistruan vetëm 65,000.
“Sot qyteti është i mbyllur, për shkak të vullnetit politik të një administrate, që me këtë masë ka sjellë para, por nuk i ka shpëtuar shpirtin qytetit”, shtoi Martini.
“Venecia është rrënuar, sepse është braktisur, ose më mirë, thjesht është përdorur për të sjellë para.”
Si të shmangni pagesën e tarifës së re të hyrjes në Venecia
Disa faqe lajmesh, kanë publikuar artikuj, që shpjegojnë mënyrat se si vizitorët, mund të shmangin pagesën e tarifës së re.
Gazeta britanike The Guardian, vë në dukje se mbështetësit e ekipit të futbollit të Venecias, mund të ndjekin ndeshjet në qytet, pa pasur nevojë të paguajnë 5 euro.
Banorët, që kundërshtojnë biletën e hyrjes, kanë vënë në dukje një mënyrë tjetër për të shmangur tarifën.
Vizitorët e ftuar në Venecia nga banorët e qytetit, të cilët i japin atyre një kod, përjashtohen nga tarifa.
Disa aktivistë, thuhet se kanë krijuar një faqe interneti jozyrtare, për të lehtësuar ndarjen e kodeve të miqve me udhëtarët ditorë.
/ Shqip.al