Ecuria e ekonomisë shqiptare në 2012-n do të reflektojë tensionet e krizës së borxheve të Eurozonës dhe përpjekjeve të bankave europiane për të zbatuar rregullat e Komisionit Europian. Kjo situatë pritet të sjellë ngadalësim të ritmeve të rritjes së kredisë në vend dhe për herë të parë, mund të vërë në vështirësi financat shqiptare për të rifinancuar borxhin publik. Konsumi i tkurrur dhe pesimizmi i biznesit për të investuar dhe hapur vende të reja pune sinjalizojnë për një 2012 të vështirë
Kemi hyrë në një vit ku gjithçka mund të ndodhë. Eurozona vlerësohet se është tashmë në recesion dhe fqinjët tanë kryesorë janë të mbërthyer nga kriza e borxheve. Greqia mund të dalë nga Eurozona (nëse kjo do të ndodhte, do të shkaktonte një efekt domino me pasoja të paparashikueshme) apo dhe mund të rezistojë, këtë askush nuk mund ta parashikojë për momentin. Ekonomia botërore po ngadalësohet dhe po rrezikon një recesion të dytë, ende pa e marrë veten nga ai i periudhës 2008-2009.
Natyrshëm, Shqipëria nuk mund të qëndrojë jashtë kësaj vorbulle, që këtë herë madje është shumë pranë saj. Drejt Italisë shkojnë 53% e eksporteve shqiptare, ndërsa drejt Greqisë, pesha është disa herë më e ulët, rreth 5%, por gjithsesi bankat greke zotërojnë gati 19% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Ndryshe nga periudha 2010-2011, kur eksportet iu gëzuan rigjallërimit të ekonomisë europiane dhe globale, eksportuesit janë pesimistë këtë vit. Eksportuesit shqiptarë në përgjithësi rezultuan se në përgjithësi nuk kanë kapacitetin dhe specializimin e nevojshëm për të thithur kërkesës e shtuar si rrjedhojë e tërheqjes së kompanive të mëdha nga vendet e Lindjes së Mesme (psh vetëm pak biznese fasoni të tekstileve përfituan nga kjo situatë, teksa kompanitë e vogla nuk arritën të përballonin kërkesat e partnerëve të rinj potencialë.)
Për biznesin vendas, i cili kontribuon në më shumë se 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), kriza e tre viteve të fundit përkoi me një moment shumë deciziv për ta, atë të ristrukturimit e rimodelimit pas një periudhe tranzicioni gati 20-vjeçare, ku maturimi i tregjeve, shtimi i konkurrencës, nevoja për përmirësimin e teknologjisë dhe mirëmenaxhim pritej të bënin një vetëseleksionim në treg. Ky proces është vështirësuar më tepër nga ngadalësimi i ekonomisë në tre vitet e fundit.
Sektorë të tillë, si ndërtimi, që kanë hyrë në fazën e maturimit, pritet të kenë sërish një vit të dobët. E ulët është dhe pritshmëria për konsumin e brendshëm, ndërsa sektori më optimist mbetet agroindustria, i cili vitet e fundit po merr zhvillim të konsiderueshëm.
Ekonomia informale ka shërbyer si një amortizator ndaj goditjeve të krizës gjatë tre viteve të fundit, por tani dhe ky element duket se po ezaurohet, duke i lënë zbuluar bizneset në një krizë likuiditeti, që nuk pritet të ndihmohet as nga kredia bankare.
Në një anketim të “BiznesAlbania” me 500 kompani, pjesa më e madhe e të anketuarve kanë deklaruar se gjatë vitit 2012 nuk presin të investojnë dhe as të hapin vende të reja pune.
Por dy faktorët më shqetësues që pritet të prekin ekonominë gjatë vitit 2012 janë tkurrja e kreditimit dhe vështirësitë me të cilat mund të haset qeveria për të financuar borxhin e brendshëm.
Përgjysmim i ritmeve të rritjes së kredisë?
Pas një ngadalësimi në 2009-2010, ritmet e rritjes së kredisë u zgjeruan në 2011-n. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të tremujorit të tretë 2011, kredia për ekonominë ishte rritur me 15% me bazë vjetore.
Por këto ritme pritet të ngadalësohen në 2012-n, për një sërë arsyesh, si të brendshme ashtu dhe të jashtme (teksa zhvillimet e fundit në bankat e Eurozonës pritet të reflektohen në degët e tyre të Europës Qendrore e Lindore):
-Së pari rritja e vazhdueshme e nivelit të kredive me probleme (që po i afrohet 19 përqindëshit) do të bëjë që bankat këtë vit të përqendrojnë forcat më shumë në mbledhjen e kredive ekzistuese, sesa në dhënien e huave të reja.
Rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë, e cila parashikon se që nga muaji tetor, bankat duhet të provigjionojnë 100% edhe overdraft-et, pritet që të rrisë më tej nivelin e kredive me probleme, duke vepruar si një tjetër element frenues në kredidhënie.
-Së dyti, sipas rregullave të reja të Komisionit Europian, bankat e Eurozonës duhet të sigurojnë që norma e kapitalit bazë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik të arrijë në 9% deri në fund të qershorit 2012. Pritshmëritë janë që bankat, më shumë sesa të nxitojnë të rrisin kapitalin, do të përqendrohen në reduktimin e aktiveve të ponderuara me rrezik, sidomos në degët e tyre në Europën Qendrore e Lindore (shiko shkrimin në vijim: Europa Qendrore: Frika nga tkurrja e kredisë). Si huatë, ashtu dhe bonot qeveritare (të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të aktiveve të bankave në vend) mund të konsiderohen me rrezik, e para për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe e dyta për shkak të shkallës së ndjeshme të borxhit publik në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), por dhe të situatës së borxheve kombëtare të Eurozonës. Si rrjedhojë, bankat me kapital të huaj duket se do të jenë më të interesuara këtë vit të mos i rrisin portofolat e tyre të kredive dhe bonove qeveritare, duke shmangur si huadhënien ashtu dhe pjesëmarrjen në ankandet qeveritare.
Sistemi bankar shqiptar është tepër i ekspozuar ndaj Eurozonës, teksa bankat me origjinë nga vendet e Eurozonës përbëjë rreth 70% të totalit të aktiveve në vend. Ndërsa bankat greke, ndonëse në ulje, vijojnë të kenë një peshë të konsiderueshme në rreth 18.6% totalit të aktiveve të sistemit.
Ngadalësimi i kreditimit është pranuar dhe nga bankat kryesore në vend. BKT dhe “Credins”, dy banka që kanë mbajtur peshën më të madhe të kreditimit në vitin 2011 (të dyja së bashku kanë kontribuar në 60% të kredisë së shtuar në sistem në 9-mujorin e parë të 2011-s, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave) kanë pohuar për “Monitor” se për 2012-n parashikojnë që ritmet e rritjes së kredisë të jenë më të ulëta, nga rreth 40% në 2011-n në 20% gjatë këtij viti. Burime zyrtare nga “Raiffeisen Bank Albania”, që ka dhënë 25% të kredisë së shtuar në sistem në 9-mujorin 2011 kanë pohuar për “Monitor” se banka do të vazhdojë kreditimin për ekonominë. “Raiffesen Bank Albania”, sipas burimeve zyrtare ka teprica likuiditeti të mjaftueshme dhe si rrjedhojë nuk preket nga vendimi i autoritetit mbikëqyrës bankar austriak, i cili ka vendosur një normë maksimum të huave ndaj depozitave prej 110% për degët e bankave austriake në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, raporti hua/depozita për “Raiffeisen Bank Albania”, në fund të 9-mujorit 2011 ishte vetëm 46%.
Banka e Shqipërisë ka qenë aktive vitin e kaluar në drejtim të lehtësimit të politikës monetare, duke e ulur normën bazë dy herë gjatë gjysmës së dytë të 2011-s. Teksa norma bazë ka arritur në nivelet minimum historike prej 4.75%, hapësirat që ka Banka Qendrore për të manovruar me këtë instrument duken të pakta. Për më tepër që faktorët e sipërpërmendur, që do të veprojnë në kah të kundërt të rritjes së kredisë, nuk ndikohen nga politikat monetare lehtësuese të Bankës Qendrore. Madje bankierët pohojnë se rregulloret e reja të Bankës së Shqipërisë në afatin e gjatë mund të dobësojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar, pasi do të jetë shumë e vështirë për bankat që të plotësojnë këto rregulla nga njëra anë dhe të rezultojnë me fitime nga ana tjetër (shiko intervistat në vijim).
Borxhi, për herë të pagë shfaqen pasiguri për aftësinë paguese
Pavarësisht rritjes së borxhit publik, në nivele që konsiderohen të paqëndrueshme, rreth 60% e PBB-së, financat shqiptare deri tani kishin qenë të qeta, siguri që vinte nga fakti se pjesa më e madhe e këtij borxhi ishte e brendshëm dhe qeveria mund të paguante duke marrë hua nga bankat e brendshme. Por, për herë të parë, gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar u vu re një stepje e bankave për të financuar borxhin e qeverisë. Ministria e Financave ka pranuar se Bankat, si pasojë e politikave të tyre të brendshme për riskun, kanë kufizuar disi pjesëmarrjen, veçanërisht në ankandet e obligacioneve.
Financat kanë deklaruar se kanë plan për të marrë 19 miliardë lekë te bankat shqiptare, ndërsa totali i borxhit që duhet të marrin arrin në 41 miliardë lekë për të plotësuar nevojat për shpenzime të reja, por edhe për rifinancimin e borxhit.
Bankat mbajnë rreth 70% të borxhit të brendshëm, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, ku “Raiffeisen” zë peshë kryesore, me rreth 34% të totalit. Si rrjedhojë, një tërheqje e bankave do të vinte në vështirësi financat shqiptare.
Alternativa e tyre në rast se bankat nuk i përgjigjen kërkesës në ato nivele huaje që planifikohet, është që t´u drejtohen bankave të zhvillimit, institucioneve financiare donatore dhe bankave arabe. “Te këto banka kemi planifikuar të marrim 22 miliardë lekë dhe kemi gati të tjera hapësira në rast se do të na lindë nevoja”, ka pohuar drejtori i menaxhimit të borxhit në një intervistë për “Monitor”.
Por, bankat arabe japin kredi kryesisht për projekte zhvillimi, ndërsa nuk mund të financojnë direkt borxhin. Nëse situata me bankat përkeqësohet, shpresa e qeverisë duket se do të jetë Banka Botërore, e cila gjithsesi nuk do të japë hua pa vendosur kushte, në një kohë që periudhën e fundit e ka ashpërsuar tonin ndaj qeverisë për të ndjekur një politikë të kujdesshme fiskale. Në një njoftim të fundit për shtyp, Banka Botërore njofton se “aktualisht, Banka Botërore dhe qeveria e Shqipërisë janë në fazën fillestare të diskutimit mbi përdorimin e portofolit të rritur të financimit. Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të diskutuar dhe identifikuar së bashku me partnerët e qeverisë, fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike”.
Qeveria, vitet e fundit, i është shmangur FMN-së (ishte nga të paktat vende në rajon, që e kaloi krizën e 2009-2010 pa program mbështetës nga FMN-ja), teksa është e qartë se institucioni financiar ndërkombëtar jep mbështetje vetëm në bazë të kushteve të rrepta, si mosrritja e pagave apo shtimi i taksave, veprime këto që qeveria i ka shmangur për shkak se do të ndikonin negativisht në imazhin e saj politik.
Në një situatë të tillë, qeveria do të ketë pak hapësira për të ndjekur një politikë liberale fiskale, ashtu siç bëri në vitin 2009, ku shpenzimet e larta qeveritare ishin një nga faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen ekonomike të vendit, në një kohë kur e gjithë Europa, me përjashtim të Polonisë, kaloi në recesion. Sot vendi paraqitet në një situatë më të pafavorshme fiskale në raport me fqinjët e rajonit, ku këta të fundit po i gëzohen tashmë rezultateve të kujdesit fiskal.
Rendimenti i mbledhjes së të ardhurave gjatë 2011-s ishte mjaft i ulët me një rritje minimale prej rreth 2% dhe buxheti i 2012-s ka të ngjarë që të rishikohet në ulje, në një kohë që shanset për reduktimin e borxhit publik mbeten të ulëta, në një ambient që duket se do të prodhojë pak rritje ekonomike.
PARASHIKIMI-EKSPERTET
Të rrisim cilësinë e investimeve
Flet Arben Malaj, ekspert i financave
Si e prisni ecurinë ekonomike të 2012-s, krahasuar me zhvillimet ekonomike të këtij viti?
Besoj se jemi përballë të njëjtave sfida si të vitit 2011. Do të kemi efektin e pasojave negative të krizës që ka prekur partnerët tanë tregtarë. Rrezikon të veprojë efekti psikologjik i pasigurive të rritura te konsumatori dhe investitori. Qeveria do të jetë në vështirësi për grumbullimin e të ardhurave dhe respektimin e nivelit të deficitit dhe borxhit.
Cilat janë anët e dobëta të ekonomisë që mendoni se duhet të korrigjohen. Si mund të korrigjohen?
Duhet të qartësohen pa vonesë risqet dhe ecuria e buxhetit gjatë vitit 2012. Duhet shmangur bllokimi spontan i tij gjatë vitit buxhetor. Duhet shmangur gjatë vitit ndryshimi i politikave fiskale dhe buxhetore, pasi ndryshimet dëmtojnë agjentët ekonomikë. Duhen qartësuar detyrimet e buxhetit ndaj kompanive private për të lehtësuar krizën e likuiditeteve dhe riskun e kredive të këqija. Duhet të ofrohen paketa antikrizë për huamarrësit e vegjël që rrezikojnë shtëpitë dhe falimentimin e tyre, duke ngrirë aplikimin e falimentimit dhe duke bërë një riskedulim të kredive të këqija nga 1 deri në 3 vjet. Qeveria duhet të adresojë më shumë fonde për skemat e ndarjes së riskut me bankat, që të fillojë të rritet dhënia e kredisë dhe cilësia e saj. Duhet të ndiqen nga afër dhe të asistohet çdo investim i ri për t´u mbrojtur nga vonesat dhe kostot e korrupsionit. Fokusi i qeverisë duhet të jetë përmirësimi real i ambientit të biznesit, vënia në punë të koncesioneve dhe rritja e cilësisë së investimeve në ekonomi.
çfarë masash duhet të merren që të amortizohet kriza dhe të ulet niveli i borxhit publik?
Formula më e mirë për uljen e borxhit është rritja ekonomike. Qeveria duhet të adresojë më mirë nxitjen e rritjes ekonomike në vend, duke rritur cilësinë e investimeve publike dhe private. E drejta e pronës, lufta kundër korrupsionit, rritja e cilësisë së qeverisjes në nivel vendor dhe qendror, nuk janë thjesht tregues indikativë për t´u krahasuar me vendet e tjera apo vit pas viti me veten, por prioritete jetike të mbështetjes së rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe cilësore në vend. Stabiliteti i financave publike është në risk, borxhi publik ka arritur në nivelin kritik. Qeveria ka shumë pak hapësirë për manovra buxhetore për ta mbajtur nën kontroll borxhin dhe koston e tij, pa një strategji të qartë dhe afatmesme. Kjo do të kërkojë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve, por edhe rritjen patjetër të të ardhurave, çka mund të vijë jo vetëm nga parashikimet për rritjen e miradministrimit fiskal. çdo vonesë për të qartësuar elementët konkretë të politikave të reja fiskale, do të ketë ndikim mbi qëndrueshmërinë e financave publike dhe kostot sociale në të ardhmen. Ekonomia duhet mbështetur edhe nga një ambient politik larg ngërçeve dhe krizave politike. Arritja e konsensusit për disa reforma të rëndësishme, të cilat edhe pse mund të kenë disa kosto në hapat e parë, është e detyrueshme. Qëndrueshmëria e ekonomisë sonë, stabiliteti makro si dhe shmangia e çdo krize ekonomike e sociale, duhen konsideruar si të mira publike, ndaj duhet të jenë prioritet i politikës.
Të fillojmë me transparencën
Adriana Berberi, eksperte ekonomie
Si e prisni ecurinë ekonomike të këtij viti, krahasuar me zhvillimet ekonomike 2011?
Mbyllja e një viti kalendarik, në rastin tonë edhe të një viti buxhetor, sjell nevojën e vlerësimit të asaj që u arrit apo nuk u arrit gjatë vitit që mbyllet ashtu edhe me vlerësimin e sfidave që do të na shoqërojnë gjatë vitit që sapo ka trokitur.
Analizat nuk mund të jenë të njëjta, pikëpamjet dhe vlerësimet janë të lidhura me këndvështrimin, me raportin që individët kanë me pushtetin dhe qeverisjen, me profesionalizmin dhe deri me anësinë apo pa anësinë e trajtimit të treguesve.
Në median e shkruar apo edhe në atë elektronike ndodh të dëgjosh komente dhe analiza të cilat të detyrojnë të bësh pyetjen – po si mundet vallë….
Në vlerësimin tim, 2012 do të jetë një vit më i vështirë për ekonominë dhe financat shqiptare. Arsyet dhe faktorët janë të shumtë. Do ta filloja me kryearsyen që është e lidhur me mosvlerësimin dhe marrjen e masave të nevojshme që në momentet e para kur kriza ekonomike nga SHBA filloi të përhapet në Europë. Shumë nga masat do të jepnin efektin e tyre nëse do të aplikoheshin në kohën e duhur. Mënyra e menaxhimit të financave publike në vend, duke u përpjekur t´i mbushim mendjen vetes se kriza nuk na prek, nuk kishte si të sillte rezultate pozitive. Sot të gjitha analizat vërtetojnë që kriza ka pasur ndikimin e saj në ekonominë dhe financat e vendit, i cili është shumë më i lartë nëse vendimmarrësit do të kishin treguar një përgjegjshmëri më të lartë. Treguesit e publikuar nga INSTAT për rritjen ekonomike janë gjithashtu një konfirmim se ekonomia nuk arriti të ketë rritjen e projektuar në tremujorin e dytë dhe të tretë, faktor ky që përkeqëson më tej si treguesit cilësorë ashtu edhe sasiorë. Viti 2012 mendoj se do të përballet me disa vështirësi. Ato fillojnë me ritmin e rritjes, rritje që nuk do të mund të realizohet në nivelet e parashikuara. Për pasojë do të jetë i riskuar edhe realizimi i të ardhurave tatimore, kryesisht TVSH-së, Tatimit mbi të Ardhurat Personale por edhe të ardhurat nga akcizat, taksat doganore etj. Gjithashtu do të kemi një rritje të numrit të bizneseve pasive. Me shumë shqetësim mendoj se duhet parë edhe tkurrja që vjen nga ulja e ritmeve të financimit dhe kreditimit, për shkak të rritjes së ndjeshme të nivelit të kredive me probleme. Sistemi bankar po i afrohet shifrës 20% të portofolit me probleme, ndërkohë që një nga promotorët e zhvillimit ekonomik është financimi i biznesit për mbështetjen në realizimin e objektivave për rritje që ai ka.
Cilat janë anët e dobëta të ekonomisë që mendoni se duhet të korrigjohen. Si mund të korrigjohen?
Nuk mendoj se kanë munguar analizat nga ekspertë të ndryshëm në lidhje me evidentimin e problemeve që ka ekonomia jonë. Problemet janë sa strukturore aq edhe funksionale. Problemet strukturore kanë të bëjnë pikërisht me faktin që pavarësisht ritmeve të rritjes, rritja nuk ka arritur të gjenerojë vende të reja pune, nuk ka gjeneruar rritje cilësore. Politikat buxhetore, menaxhimi i financave publike, politikat fiskale si elementë të rëndësishëm për adresimin dhe alokimin e financimeve publike dhe private nuk janë dizenjuar në funksion të realizimit të këtij objektivi.
Nga ana tjetër, nuk mund të themi ende se kemi një ekonomi funksionale tregu për sa kohë që niveli i korrupsionit vlerësohet shumë i lartë, funksionimi i gjyqësorit lë për të dëshiruar, situatat monopol në treg dëmtojnë konsumatorin dhe cenojnë sasinë dhe cilësinë e shërbimit, ndërkohë që nuk shikohet asnjë luftë reale kundër kapjes së shtetit dhe fenomeneve të renditura më sipër.
Përmirësimi fillon me rritjen e transparencës dhe nxjerrjen e treguesve realë. Greqia dhe Italia besoj se janë shembuj të mjaftueshëm konkretë të asaj se çfarë nuk duhet të bëjmë. Është dritëshkurtësi apo edhe miopi politike të mos mendosh për të nesërmen e vendit tënd, nisur nga mbajtja fort pas karriges së sotme. Në një shoqëri që institucionet funksionojnë, fenomene apo veprime të tilla marrin përgjigjen dhe zgjidhjen e duhur: hartimi i strategjive të zhvillimit afatgjatë në shërbim të shqiptarëve dhe jo të forcës politike që ka radhën e qeverisjes, duke i bërë këto strategji pjesë të përfshirjes të ekspertëve, të cilët nuk i mungojnë vendit. Vendosja e një raporti të drejtë ndërmjet politikave fiskale, të cilat nuk duhet dhe nuk mund të ndryshojnë disa herë brenda një viti dhe institucioneve mbikëqyrëse të tregut për të garantuar zbatim të njëjtë të ligjit për të gjithë. Luftë shumë më serioze ndaj korrupsionit, krimit të organizuar. Pavarësia reale e institucioneve mbikëqyrëse pa dyshim që përbën një sfidë në kushtet kur në shumicën prej tyre niveli i përfaqësimit politik është shumë i lartë.
çfarë masash duhet të merren që të amortizohet kriza dhe të ulet niveli i borxhit publik?
Nuk mund të shërosh një sëmundje pa saktësuar diagnozën, masën e përhapjes së saj dhe karakteristikat specifike që ka organizmi i sëmurë. Ajo që vijojmë të dëgjojmë çdo ditë është që jemi ekonomia mbresëlënëse, apo që rritja jonë ekonomike është nga më të lartat në rajon e më gjerë. Nuk dua t´i hyj këtij diskutimi, sepse në fakt, në anën tjetër kemi familjet e varfra apo edhe të mesme shqiptare, të cilat në jetesën e tyre të përditshme nuk e prekin këtë rezultat. Niveli i tyre i jetesës nuk ka shënuar rritje, por përkundrazi. Kjo besoj se është e mjaftueshme për të kuptuar se secili vijon të qëndrojë në “llogoren” e tij. Qytetari s´ka nga të lëvizë, sepse llogaritë i bën çdo ditë e çdo javë dhe shpresën e vetme që ka, është të mos humbasë vendin e punës, të ketë mundësi të shesë më shumë apo të ofrojë më shumë shërbime në biznesin e tij dhe klientët të kenë mundësi ta paguajnë. Zinxhiri i borxhit vetëm se zgjatet e bëhet edhe më i trashë, sepse qeveria rrit borxhin si një mundësi për të bërë më shumë investime, të cilat mbeten edhe të pafinancuara nga buxheti sa herë që parashikimet nuk realizohen dhe në fakt nga një faktor për zgjidhjen e situatës, buxheti kthehet në një “kontribuues” për kreditë e pakthyera që kompanitë marrin në sistemin bankar. Institucionet financiare ndërkombëtare kanë kohë që tërheqin vëmendjen për ritmet e rritjes së borxhit publik, i cili në kushtet dhe standardet e ekonomisë shqiptare konsiderohet në nivelin kritik, kur arrin nivelin 60% të PBB-së. Ne jemi aktualisht në këtë nivel kritik. Kjo do të thotë që politikat buxhetore duhet të fokusohen te prioritetet e prioriteteve në fushën e investimeve dhe të shpenzimeve të tjera publike. Pavarësisht se buxheti i 2012-s është relativisht më konservatori në raport me buxhetet e viteve të mëparshme (të cilat përgjysmoheshin rrugës apo edhe në fund të vitit me akte normative), përsëri ai është i rrezikuar nga mungesa e dëshirës për të qenë më transparent ndaj qytetarëve dhe biznesit, si dhe nga populizmi në drejtim të premtimeve që nuk sjellin kapërcimin me sukses të situatës. Zgjidhja do të fillojë atëherë kur seriozisht do të analizojmë situatën dhe po seriozisht do të vlerësojmë masa dhe hapa që ngrihen mbi politikën e ditës.
Përballje e vështirë me krizën ekonomike
Nga Ismail Beka / GIZ – Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar
Ky fillim viti, duke bërë një vlerësim të shpejtë të zhvillimeve më të rëndësishme ekonomike në Shqipëri në vitin 2011, dëshmon padyshim që kaluam një vit dinamik, ku ekonomia e vogël e brishtë shqiptare kërkoi rrugën e saj për t´i bërë ballë krizës ekonomike ku e gjithë Europa është futur dhe me gjithë tronditjet arriti të shënojë rritje të vogël, pa diskutim nën pritshmëritë e qeverisë.
Megjithatë debati rreth treguesve ekonomikë në nivel makro, por mbi të gjitha edhe në nivelin e jetesës në Shqipëri ka vazhduar të bëhet si edhe për çdo temë tjetër shumë jashtë realitetit ekonomik. Jo vetëm politikanë, por edhe specialistë debatojnë e analizojnë me perceptime e pa të dhëna të treguesve ekonomikë.
Pikërisht dhe unë po e filloj me statistikat ekonomike (me mungesën e statistikave). Aq problematike ishte ky fenomen për vitin 2011 sa në faqen zyrtare të INSTAT deri në fillimin e dhjetorit njoftohej se nuk mund të llogaritet GDP për tremujorin e dytë pasi tatimet nuk kanë dhënë informacionin e tyre, e po kështu Banka e Shqipërisë deklaronte se i mungojnë të dhënat statistikore për të bërë vlerësimin e ekonomisë shqiptare për vitin 2011.
Dy tablo të ndryshme të gjendjes ekonomike të vendit: Qeveria nuk ngurroi të deklaronte se Shqipëria u bë vend i zhvilluar, aq më shumë pasi GDP për frymë u rrit në mënyrë të shpejtë, brenda një dite kur INSTAT-i publikoi rezultatet paraprake të censusit dhe ne mësuam se nuk jemi më 3,2 milionë shqiptarë por 2,8 milionë. Qeveria flet me mburrje për ekonominë në nivel makro dhe deklaron shifra të larta të mbledhjes së të ardhurave nga doganat dhe tatimet (me 295 miliardë lekë) dhe për ruajtjen e deficitit buxhetor nën nivelin e kufirit maksimal prej 60%.
Nga ana tjetër, sipas INSTAT-it ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2011 pësoi një tronditje dhe u rrit me vetëm 0.5% kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2010, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011 u ul me 1.7% (dhe jo vetëm sektori i ndërtimit, por edhe industria kanë shënuar rënie si krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm ashtu edhe me tremujorin e parë të vitit 2011).
Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat, për të cilën është fajtore plotësisht politika shqiptare. Kjo i kushton shumë edhe ekonomisë shqiptare. Ajo që vjen pas konsensusit politik për miratimin e ligjeve është marrja në mënyrë serioze me çështjen madhore të pronave dhe atë të korrupsionit, efektet e të cilave i qëndrojnë ekonomisë shqiptare shumë të rënda mbi kurriz dhe pa to vështirë se mund të ndërtojmë standarde integrimi.
Një nga sektorët më dinamikë dhe të rëndësishëm të ekonomisë është turizmi. Të ardhurat nga turizmi vazhdojnë të rriten me nivele të ulëta, po kështu edhe veprimtaria ekonomike e sektorit të hoteleri-turizëm dhe tour-operatorëve turistikë rriten gradualisht, por jo në ato nivele të numrit të madh të qytetarëve të huaj e shqiptarë që hyjnë dhe dalin në pikat doganore shqiptare. Në qoftë se do të nisesh nga numri i hyrje-daljeve në kufi, mëson se mbi 4 milionë qytetarë të huaj e emigrantë kanë hyrë në Shqipëri për vitin 2011 dhe mbi 450 mijë shqiptarë kanë dalë jashtë vendit, duke shijuar kalimin pa viza. Këto shifra interpretohen si të dhjetëfishuara krahasuar me vetëm 6 vjet përpara. Por nga ana tjetër 4 milionë hyrje në kufi nuk janë 4 milionë turistë. Ka shumë shqiptarë emigrantë që kanë dokumente të huaja dhe vijnë në shtëpitë e tyre; ka shumë të huaj që hyjnë transit që kalojnë nga Kukësi për të shkuar në Malin e Zi ose nëpërmjet Portit të Durrësit për të shkuar në vendet europiane.
Kjo reflektohet në veprimtarinë ekonomike të sektorit të hoteleri-turizëm ku veçanërisht në net-qëndrimi në hotele (që sipas INSTAT janë rritur shumë pak nga viti në vit. Nga të dhënat që publikon Banka e Shqipërisë rezulton se të ardhurat valutore nga udhëtimet (hyrje-dalje) janë përmirësuar në mënyrë graduale.
Bujqësia dhe pesha e produkteve shqiptare në treg vazhdon të rritet me ritme shumë më të ulëta se sa pritshmëria dhe krahasuar me resurset që ka vendi. Ushqimi bazë i popullsisë e ka shtuar varësinë nga importet që rriten në shkallë shumë të lartë se sa eksportet bujqësore.
Ndonëse ishte parashikuar në fillim të qeverisjes në vitin 2008 se Shqipëria në 6 vjet do të dyfishojë prodhimin bujqësor, fokusi i qeverisë në bujqësi vazhdon të jetë i orientuar në dy projekte të mëdha kombëtare: të ullirit dhe arrorëve, duke raportuar rritjen e sipërfaqes së mbjellë deri në 2.000 hektarë në vit. Arritje tjetër e rëndësishme e bujqësisë vlerësohet edhe rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, që në vitin 2011 mendohet të arrijë në më shumë se 11 miliardë lekë. Pa diskutim ka edhe shembuj të tjerë të investimeve private në bujqësi e në industrinë ushqimore me orientim tregun.
çfarë ndodh me ushqimin e popullsisë shqiptare?! Krahas këtyre arritjeve vazhdon të thellohet më tej deficiti ushqimor dhe popullsia vazhdon të rrisë më tej shkallën e saj të furnizimit nga importi. Deri në fund të muajit nëntor u importuam mbi 82 miliardë lekë prodhime ushqimore, ndërkohë që u eksportuan 10 miliardë lekë duke ruajtur përsëri raportin 1:8.
Me këto shifra të tregtisë së jashtme për prodhimet ushqimore, Shqipëria renditet ndër vendet më të varura nga importi krahasuar me shumë të tjera, ndërkohë që është edhe ndër vendet me shpenzim më të lartë të buxhetit familjar për ushqime.
Ka shumë faktorë që e kufizojnë rritjen e prodhimeve bujqësore vendase në tregun e brendshëm dhe analiza e tyre nuk mund të bëhet në kuadrin e këtij artikulli, por me siguri ka mundësi që shteti ta shtojë investimin në bujqësi dhe ta riorientojë shumë më mirë se deri tani në masa që çojnë në rritjen e prodhimit për të ulur importet. Dy vitet e fundit buxheti i bujqësisë, edhe pse i vogël qysh në planifikimin fillestar, ka njohur shkurtime të shumta në mesin e vitit, shkurtime këto shumë më të mëdha se sa niveli i shkurtimeve të buxhetit në përgjithësi. Buxheti vjetor 2010 i rishikuar ishte 5,4 miliardë lekë dhe është realizuar me 4,8 miliardë lekë. Buxheti vjetor i 2011-s i rishikuar ishte 6,6 miliardë lekë dhe do të shihet se si do të jetë i realizuar deri në fund të vitit.
Shqipëria ka arritur të jetë një vend atraktiv për investime të huaja edhe në këto kohë krize. FMN e cilëson Shqipërinë si një vend të besueshëm për investitorët e huaj, por thekson se Shqipëria regjistroi nivele shumë të larta të deficitit tregtar dhe borxhit publik.
Krahas investimeve në sektorin e telekomunikacionit, investimet e huaja më të rëndësishme të viteve të fundit janë kryer në rrjetin e tregtisë me pakicë. Qendrat e mëdha tregtare, përfshirë TEG si dhe shumë filiale të tyre të hapura në Tiranë e në rrethe, kanë treguar një risi, por në të njëjtën kohë një konkurrencë shumë të madhe për tregtinë e vogël me pakicë që zhvillohet brenda hapësirave të qyteteve. Krahas me ndërtimet e reja kanë filluar edhe falimentimet siç ishte ai i “Praktiker”, që gjithashtu u hap me shumë bujë para dy vjetësh në Tiranë.
Interesi për pasuritë natyrore të Shqipërisë (minerale e naftë) është i madh, por ka qenë e vështirë gjetja e kompanive serioze për të investuar në to.
Investimet në sektorin energjetik veçanërisht në ndërtimin e HEC-eve kanë qenë edhe premtimet më të mëdha, por me shkallë realizimi të deritanishme të ulët, për shkak edhe të mungesës së financimeve nga bankat apo dhe mungesës së investitorëve të huaj seriozë.
Në alternativat e qeverisë për të rritur të ardhura në buxhet si dhe për të shtuar investimet e huaja është e dukshme shpallja për privatizim dhe dhënia me koncesion e disa prej objekteve strategjike: 5 HC, ARMO si dhe disa basene ujëmbledhëse të rëndësishme, si ai i lumit Vjosa.
Një fakt pozitiv vlerësohet reforma rregullatore: Shqipëria e vitit 2011 renditet ndër vendet e mira në regjistrimin e bizneseve, licencimin. Së fundi, një reformë e tillë po shtrihet edhe për inspektimet.
Shumë investime në rrugë është një risi e qeverisjes në këto 6 vjet. Dhe padyshim kjo ka sjellë përmirësime të ndjeshme në shërbim të qytetarëve, si dhe të aktiviteteve të biznesit apo turizmit. Megjithatë edhe në këtë fushë janë vërejtur probleme:
Së pari fillimi i punimeve në shumë rrugë njëherazi, fillimi i punimeve me buxhete shumë të vogla, mospërputhje midis volumit të punimeve të kryera nga firmat ndërtuese me buxhetin vjetor, çka më tej bëhen pengesë për përfundimin në kohë të investimeve.
Së dyti: I gjithë zinxhiri i kompanive në sektorin e ndërtimit, përshirë firmat e ndërtimit, ndërtuesit e banesave; ato të prodhimit të materialeve të ndërtimit, furnizimit me instalime dhe pajisje është në një gjendje shumë problematike dhe i përfshirë edhe në një skemë kreditimi të brendshme bllokuese. Prej vitit 2009, sektori i ndërtimit që zë deri në 14% të PBB-së në vend nuk po mundet të dalë nga ngërçi i krizës. Ishin bankat të parat dhe më pas mungesa e lejeve të ndërtimit që e vendosën sektorin në një situatë të vështirë.
Edhe vetë biznesi nëpërmjet organizatave të saj ka reaguar në vazhdimësi për krizën dhe pasojat. Megjithatë, organizatat e biznesit sot janë në rrugën e tyre të transformimit dhe konsolidimit. Është ulur shumë anëtarësimi në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, pasojë edhe e ndryshimit që iu bë para dy vjetësh ligjit “Për Dhomat e Tregtisë”.
Më të besueshme janë vëzhgimet që bën Banka e Shqipërisë për biznesin, konsumatorët dhe bankat lidhur me situatën ekonomike dhe pritshmërinë. Nga këto vëzhgime rezulton se të gjitha palët e vlerësojnë të vështirë gjendjen ekonomike dhe nga ana tjetër kërkesa konsumatore është e ulët. Bankat kanë më pak kërkesë për kredi, por nga ana tjetër janë më të shtrënguara kushtet e kreditimit, pasi edhe kreditë e këqija janë në nivel shumë problematik.
Rrezik serioz në këto kohë krize është shtimi i varfërisë për popullsinë që jeton me përkrahje sociale. Shumë familje në Shqipëri rrezikohen të bëhen më të varfra. Kjo për faktin se skema e mbështetjes sociale nuk ka njohur rritje ndërkohë që edhe të ardhurat nga emigracioni janë ulur shumë. Niveli i inflacionit dhe indeksi i çmimeve të konsumit nuk janë të njëjta me rritjen që ka pësuar ajo paketë bazë që konsumojnë popullsia me të ardhura të ulëta. Nga një vlerësim i statistikave rezulton se 4 nga grup mallrat më të rëndësishme të shpenzimeve bazë: buka, energjia, shëndetësia dhe transporti janë rritur midis 20-30% në fund të vitit 2011 krahasuar me fundin e 2007-s.
Shqipëria ka mbi 1 milion qytetarë (pra rreth 1/3 e popullsisë), që kanë bazën e tyre të jetesës të lidhur me përkrahjen sociale nga buxheti i shtetit: mbi 100 mijë familje përfitojnë ndihmën ekonomike, rreth 150 mijë përfitues si persona me aftësi të kufizuar ose në shërbim të tyre si dhe 546 mijë pensionistë, disa mijëra persona që trajtohen me fondin e papunësisë (11.000 veta), pa llogaritur këtu të papunët e tjerë që nuk përfitojnë as nga shërbimi social. Në kushtet e buxheteve të shtrënguara të këtyre viteve të fundit, shkalla e rritjes së kontributit të shtetit për këtë kategori qytetarësh, veçanërisht ndihmën ekonomike, nuk ka ecur në të njëjtën masë me rritjen e çmimeve të mallrave bazë që lidhen me konsumin e përditshëm (ushqim, energji, shëndetësi dhe transport). Sot një familje merr nga ndihma ekonomike një shumë nga 3400 deri 4200 lekë në muaj (INSTAT), pavarësisht nga numri i personave në familje. Ndihma maksimale nuk i kalon 7.500 lekë në muaj.
Burimi i dytë i të ardhurave të tyre, ai nga anëtarët e familjeve në emigracion është ulur ndjeshëm. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore këto dërgesa, që vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia, kanë rënë me afro 10% në vit mesatarisht pas vitit 2007. Sipas këtij vlerësimi, duke i mbajtur të pandryshuar elementët e tjerë, një rënie prej 20% e dërgesave të emigrantëve (çka ka ndodhur tashmë) e rrit me 1,1 pikë përqindjeje numrin e popullsisë që jeton në varfëri. Nëse vazhdon kjo rënie e dërgesave të emigrantëve, e ndërthurur edhe me një rritje më të ngadaltë ekonomike, nivel të pandryshuar papunësie dhe tronditje të tjera të mundshme mbi të ardhurat, nuk mund të përjashtohet risku i kthimit mbrapa në trendin e varfërisë.
Në nivelin e parë të ndihmës tek qytetari janë të zgjedhurit e pushtetit vendor. Për shumë komuna dhe bashki, veçanërisht në zona të vogla e malore buxhetet e tyre janë krejtësisht të vogla dhe nuk kanë efektivitet ekonomik.
Me mbi 370 njësi të qeverisjes vendore (Bashki e Komuna) në nivelin e parë dhe me 12 qarqe në nivelin e dytë të qeverisjes vendore, për një vend të vogël si Shqipëria e me një centralizim kaq të madh të investimeve publike është një mungesë eficience që duhet ta nxisë politikën për të ndërmarrë hapat e duhur për një reformë të qeverisjes vendore mbi përvojën më të mirë të vendeve të tjera europiane.
Fakti që popullsia rurale sot numëron rreth 1,3 milionë banorë do të thotë që kemi një disproporcion shumë të madh me numrin e komunave që i qeverisin ato. Mbi 300 komuna janë shumë për një vend të vogël si Shqipëria. Qarqet vazhdojnë të mbeten një strukturë aspak funksionale, por janë kthyer në arenë politike “për të arritur votat për të zgjedhur kryetarin.
Qeverisja vendore ka të planifikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2012 më pak se 30 miliardë lekë, nga të çilat vetëm 40% e tyre (11,6 miliardë) janë fonde të pakushtëzuara. Edhe një fond i zhvillimeve të infrastrukturës rurale prej 2,3 miliardë lekësh përsëri administrohet dhe vendoset nga një bord qendror në Këshillin e Ministrave.
A do të mendojmë në këto 4 vjet që në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor ndoshta të kemi më pak se gjysmën e komunave në Shqipëri dhe në vend të qarqeve të sotme të kalojmë në rajonet europiane të NUTS 2.
çfarë na pret këtë vit…
Viti 2012 do të jetë shumë më i vështirë për t´u planifikuar, pasi zhvillimet në Eurozonë janë aq dinamike për vetë këto vende dhe nuk kemi si t´u shmangemi efekteve të kësaj krize.
Në radhë të parë duhet të përmirësojmë të dhënat statistikore dhe publikimin e raporteve të plota ekonomike e buxhetore. T´u shtojmë këtyre edhe informacionin korrekt për popullsinë. Periudha aktuale është situatë e veçantë jo vetëm për Eurozonën, por edhe për Shqipërinë pasi jemi të lidhur me to në të gjitha drejtimet.
Të gjitha vendet, përfshirë edhe Gjermaninë u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre për më shumë sakrifica popullore si dhe të jenë shumë më të kujdesshëm për kapërcimin e krizës.
Politika shqiptare duhet të bëhet më e përgjegjshme për të ndërtuar plane alternativë ekonomikë, për të qeverisur në rast të thellimit të krizës. Dhe për të arritur këtë duhet të fillojë me thellimin e mendimit më të mirë ekonomik që ka në Shqipëri, që nuk është vetëm në një forcë politike apo vetëm në strukturat shtetërore. Do të ishte i nevojshëm angazhimi i grupeve të ekspertëve nga më të mirët e sektorëve ekonomikë nga qeveria apo Parlamenti, me të cilët të konsultojnë politikat ekonomike. Nuk mund të rrisim buxhetin, por me siguri mund të kërkojmë rrugë për ta përmirësuar atë në përputhje me gjendjen e krizës. Me siguri duhet të rritet orientimi i investimeve në sektorët prodhues, pasi buxheti vazhdon të mos financojë në sektorët e ekonomisë. Katër ministri që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik (Ministria e Ekonomisë, ajo e Bujqësisë, e Turizmit dhe e Mjedisit) së bashku, kanë një buxhet për vitin 2012 prej 13,8 miliardë lekësh (5,56% të buxhetit) ose më pak se 70% të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Shumë kujdes kërkohet për mbrojtjen e shtresave në nevojë. Kalimi nga ndihmë pa punë në ndihmë për punë publike në nivel komune e fshati do të sillte një transformim rrënjësor të kësaj skeme. Nga njëra anë do të nxirrte edhe numrin real të familjeve që duhet të përfitojnë ndihmë, por do të përmirësonte edhe shërbimet publike për qytetarët. Fondet e buxhetit për infrastrukturë rurale mund t´ua kalonin punëve publike nëpërmjet nxitjes së punësimit.
Pesimizmi i biznesit
Nga Laura çela
Viti 2012 pritet me pesimizëm nga bizneset shqiptare. Menaxherët e kompanive të anketuara nga “Monitor” kanë konfirmuar se këtë vit kanë parashikuar rënie të shitjeve, reduktim të ardhurash dhe në disa raste edhe punonjësish.
Sektori i ndërtimit duket se do të vijojë të përkeqësohet në një situatë kur lejet e ndërtimit janë ende të bllokuara dhe kur investimet publike gjithashtu do të tkurren. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve numri i kompanive që do të falimentojnë do të rritet në 2012-n.
Edhe në sektorin e tregtisë me pakicë (retail) pritet një rënie në volum, kjo e paralajmëuar nga rënia e konsumit edhe në 2011 (konfirmuar zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave). Sipas operatorëve, edhe skontot e fundvitit nuk kanë arritur që të thithin klientët e pritshëm duke shënuar rënie krahasuar me dhjetor-janarin (2010,2011). Rënie pritet të ketë në veshje e argëtim. Ndërsa në elektroshtëpiake, tkurrjen mund ta “pësojnë” operatorët e vegjël që janë më pak të konkurrueshëm.
Një panorame jo optimiste ka gjithashtu edhe zëri më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare, fasoni (tekstile dhe këpucë). Fasonistët thonë se thellimi i krizës në Itali, partneri kryesor i tyre mund të çojë drejt mbylljes shumë ndërmarrje, të cilat janë shumë më pak konkurruese se ndërmarrjet në rajon si pasojë e shkallës së ulët investimeve dhe specializimit.
Në shumë kompani fasoni, drejtuesit kanë nisur të largojnë punonjësit duke u përpjekur të kursejnë kostot në një kohë kur ankthi i krizës është në rritje. Ky sektor ka një peshë mjaft të rëndësishme në punësim, me mbi 60 mijë të punësuar.
Fasoni nën “ethet” e krizës italiane
Viti 2012 ka rritur pesimizmin në radhët e fasonistëve shqiptarë. Sektori kryesor i eksporteve shqiptare, i cili punon me material porositës, i trembet thellimit të mëtejshëm të krizës në Itali.
“Viti 2012 na tremb, sepse partneri ynë kryesor, Italia, duket se po shkon drejt një krize më të thellë që do të prekë konsumin dhe si pasojë do të rëndojë edhe sektorin e veshjeve”, thotë Flamur Hoxha, president i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve.
Sipas të dhënave të Dhomës, efektet e para negative kanë nisur të ndihen tek disa ndërmarrje vendase të fasonit, që kanë reduktuar numrin e punonjësve ose kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin. “Gjithsesi një panoramë më të qartë mbi efektet e krizës do ta kemi në fund të këtij muaji kur edhe të nënshkruajmë kontratat e para dhe të marrim porositë”, thotë Hoxha.
Por gjithsesi fasonistët janë duke u përgatitur për t´i bërë ballë krizës.
Shumë drejtues ndërmarrje po largojnë staf dhe po mbajnë një numër të limituar punonjësish, me qëllim që nëse do të ketë rënie të volumit të punës, të mos ndodhen në vështirësi për të paguar punonjësit.
“Kjo skemë ka nisur të aplikohet dhe do të vazhdojë. Menaxherët preferojnë më mirë që të punojnë me turne më afatgjatë nëse do të kenë punë, sesa të paguajnë punonjës të tepërt”, thonë drejtuesit e Dhomës.
Partnerë të rinj, pak shanse
Ato që mund të dëmtohen më shumë me thellimin e krizës në Itali do të jenë ndërmarrjet e vogla të fasonit, të cilat duke pasur nivel të ulët specializimi do ta kenë të vështirë të gjejnë partnerë të rinj.
Siç tregojnë edhe fasonistët, janë të shumtë partnerët e huaj, qoftë italianë, gjermanë etj., që kanë interes të nisin bashkëpunim me ndërmarrje shqiptare, por shanset që këto të fundit të lidhin kontrata janë të pakta. Kjo sepse vetëm 10% e ndërmarrjeve shqiptare të fasonit janë të afta kryejnë të gjitha ciklet e punës dhe të mëdha, ndërsa të tjerat janë të vogla dhe me investime të pakta.
Siç thotë edhe presidenti i DHKPV, biznesmenët kanë menduar thjesht të inkasojnë të ardhura dhe shumë pak të investojnë e të mendojnë për një të ardhme afatgjatë.
Kjo shkallë e ulët e specializimit rrezikon të lërë “zbuluar” mjaft ndërmarrje të fasonit dhe nga kriza të mund të përfitojnë konkurrentët e rajonit.
Rasti i fundit, është kompania “Calzedonia”, një nga më të mëdhatë në Itali, e cila për shkak të krizës vendosi të zhvendosë prodhimin në Serbi. Të njëjtën e gjë e ka bërë edhe kompania tjetër e madhe italiane “Beneton”. Në Shqipëri, asnjë kompani e njohur italiane nuk e ka zhvendosur prodhimin në Shqipëri.
Vetë fasonistët, sidomos ata që kanë ndërmarrje të mëdha, janë duke kërkuar partnerë të rinj për t´i bërë ballë krizës.
“Unë kam biseduar me disa kompani në Italinë e Veriut që kanë ndërmarrjet në Rumani dhe kemi rënë parimisht dakord që të sjellin prodhimin këtu. Tashmë në ndërmarrjen time jemi duke bërë provat dhe presim si do të konkludojmë”, thotë Flamur Hoxha.
Situata e përkeqësuar e ndërtimit nuk pritet të përmirësohet as gjatë këtij viti. Të dhënat e fundit nga përfaqësuesit e sektorit konfirmojnë se edhe gjatë vitit 2012 sektori do të vijojë të vuajë mungesën e likuiditeteve, si pasojë e bllokimit të lejeve.
Zëvendëspresidenti i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Ilir Hebovija, e argumenton gjendjen e sektorit të ndërtimit në vend me krizën ekonomike, e cila po dëmton rëndë këtë sektor.
“Muajt e fundit, shumë kompani ndërtimi kanë falimentuar dhe kjo për shkak të krizës. Kjo gjendje ka ardhur për shkak të mungesës së blerësve dhe mosdhënies së kredive prej bankave”, thotë Hebovija. Ai kërkon që të merren masa dhe të stimulohet ndërtimi si një sektor i rëndësishëm për ekonominë e një vendi.
Edhe Arben Dervishi, konfirmon se bllokimi i lejeve të ndërtimit e keqëson shumë situatën e sektorit. Deri në muajin maj pritet që Bashkia e Tiranës të miratojë planin rregullues të qytetit, ndërkohë që derisa të gjitha procedurat dhe institucionet e dhënies së lejeve të nisin punën, fillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit mund të arrijë në rastin më të mirë deri në muajin shtator.
“Kjo do të shkaktojë frenim të mëtejshëm të ndërtimeve të reja duke ulur më shumë volumin e sektorit”, thotë Dervishi.
Nga ana tjetër, edhe fuqia blerëse që pritet të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë, do të ndikohet negativisht nga krizat në Europë dhe do të hezitojë të blejë pasuri të patundshme duke përkeqësuar tregun.
Një tjetër anë e medaljes janë investimet publike, të cilat si pasojë e thellimit të borxhit të qeverisë, për 2012 do të pësojnë rënie.
“Ulja e volumeve të punëve publike do të ulë aktivitetin e firmave të infrastrukturës, që kanë peshë të rëndësishme në sektor. Kjo do të ndikojë negativisht në likuiditete, ndërkohë që rëndohet edhe nga fakti se ende shumë prej tyre nuk janë paguar nga qeveria apo bashkitë për punët që kanë bërë. Kjo pritet të rrisë numrin e kompanive të ndërtimit në vështirësi, dhe si pasojë më shumë do të falimentojnë në vitin 2012”, thotë Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm në Shoqatën e Ndërtuesve.
Uljes së investimeve publike nga ana e qeverisë i shtohet edhe rënia e investimeve nga pushteti lokal, kjo për shkak të tkurrjes së të ardhurave nga taksat e kompanive të ndërtimit (këto të fundit kanë pasur aktivitet minimal, çka do të thotë më pak taksa).
Retail, pritet rënie
Me gjithë hyrjen e operatorëve të mëdhenj në treg (Tirana East Gate ishte qendra e fundit tregtare që u hap në nëntor 2011) në sektorin e tregtisë me pakicë nuk parashikohet të ketë rritje krahasuar me vitin që lamë pas.
Të dhënat e fundit të operatorëve të tregtisë me pakicë konfirmojnë se kriza do të japë efektet e saj negative në sektor, duke tkurrur shitjet.
Tendenca është që konsumatorët të reduktojnë blerjet, duke ulur konsumin.
Fakti është konfirmuar së fundmi edhe nga Instituti i Statistikave. Rënia e konsumit për shkak të pasigurisë që ndjejnë qytetarët për të ardhmen, një fakt i konstatuar vazhdimisht gjatë vitit 2011 nga Banka e Shqipërisë, është konfirmuar edhe nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave. Sipas INSTAT-it, në 3-mujorin e dytë të vitit që lamë pas, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur me 6.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo do të thotë se konsumatorët kanë blerë më pak dhe janë prirur më tepër që të kursejnë. Rënia e konsumit dhe investimeve private mbetet një problem shqetësues për ekonominë edhe gjatë këtij viti. Madje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, duke u bërë apel qytetarëve dhe bizneseve që të rrisin shpenzimet dhe investimet, deklaroi pak kohë më parë se këta dy tregues do të jenë përcaktues për rritjen ekonomike gjatë 2012-s.
Sipas të dhënave nga bizneset, konsumi do të vijojë të jetë më i ulët, ku më shumë do të preken veshjet dhe argëtimi e restorantet.
Sipas presidentit të “Balfin Group”, Samir Mane (aksioner kryesor në dy qendra tregtare, Qendra Tregtare Univers dhe Tirana East Gate) njerëzit do të kenë tendencë të konsumojnë më pak për veshje e restorante, dhe për shkak të krizës do të dalin më pak nga shtëpia dhe do të shpenzojnë më shumë për të blerë ushqime, por edhe elektroshtëpiake (kryesisht televizorë).
Administratori i rrjetit më të madh të tregtimit të elektroshtëpiakeve “Neptun” thotë se nëse sektori do të vuajë rënien e shitjeve, ato që do ta pësojnë do të jenë njësitë e vogla.
“Ne kemi parashikuar shtim të rrjetit të shitjeve dhe një nivel të ardhurash të njëjtë me vitin që sapo lamë pas. Parashikojmë që rënien e shitjeve do ta pësojnë dyqanet e vogla për shkak të konkurrueshmërisë së ulët që kanë”, thotë Mane.
Sipas drejtuesve të “Neptun”, sjellja konsumatore në blerje po ndryshon, sidomos në dy vitet e fundit. Këtë vit është rritur blerja me kredi me 50%, tregues që konfirmon se klientët preferojnë këtë lloj mënyre pagimi sesa cash. Ky është një trend i tregut tashmë, meqë kreditimi po bëhet tërheqës dhe gjithnjë e më shumë kompani po e ofrojnë atë. Kjo ka sjellë që shumë kompani të retail të ofrojnë në çdo pikë shitjeje financime, bazuar në nevojat e klientëve.
Në përgjithësi, pjesën më të madhe të shitjeve në tregun e elektroshtëpiakeve e zënë artikujt e nevojës së parë dhe sigurisht ka një përgjigje pozitive ndaj artikujve në promocion.
ç´pritet në 2012…
Sipas drejtuesve të rrjetit të elektroshtëpiakeve “Neptun”, sa i përket produkteve të portofolit, ka kategori si notebook-ët, pajisje lëvizëse dhe smartfone që pritet të kenë potencial për një rritje të madhe në 2012-n.
“Gjithashtu ka një kthim në treg drejt pajisjeve elektroshtëpiake, një trend ku konsumatorët janë duke zëvendësuar elektroshtëpiaket e tyre të lira me pajisje bashkëkohore, fakt që kthehet në një mundësi shumë interesante për ne. Sigurisht, që zhvillimet në teknologjitë e televizorëve dhe veçanërisht zhvillimi i funksionaliteteve të “smart TV” është një incentivë që do të drejtojë këtë kategori të rëndësishme drejt një rritjeje të mëtejshme vitin e ardhshëm. Megjithatë, ka një rritje të dukshme në artikujt me çmime të mesme dhe të larta, sidomos ato argëtues”, shtojnë drejtuesit e “Neptun”.
Elektroshtëpiaket janë një nga degët më potenciale të tregtisë me pakicë, tregu i të cilave përllogaritet të arrijnë në mbi 120 milionë euro/vit. Tashmë në vend janë fuqizuar disa zinxhirë të tregtimit të elektronikës, si “Neptun”, “Euronics”, “Gotech” etj. Sipas drejtorit operacional në “Neptun”, Alexandros Kosenas, tregu i elektronikës është një sektor në një fazë zhvillimi sa i përket cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit, rritjes së eksperiencës së klientit dhe vazhdimësisë së zinxhirit të ofertës si dhe strukturës aktuale të retaileve.
“Nga ana jonë, ne nuk jemi të fokusuar vetëm në ekspansionin numerik, por edhe nga cilësia. Për vitin 2012 planet tona janë për zgjerim rrjeti nga 13 në 16 pika, duke mbuluar rajone të Shqipërisë”, thotë Julian Mane, administrator i “Neptun”.
Shtim konkurrence pritet të pësojë më shumë rrjeti i hipermarketeve apo supermarketeve, sidomos pas hyrjes në treg të kompanisë franceze “Carrefour”, e cila hapi në nëntor të këtij viti hipermarketin 10 mijë metra katrorë, më të madhin në vend dhe parashikimet janë për zgjerim të tij.
Për operatorët e tregut, konkurrenca do të ndikojnë jo vetëm në ulje çmimesh, por edhe në rritje të cilësisë.
Sipas Elton Qiricit, drejtues i retail në “Mercator”, tregu shqiptar është ende në formim e sipër dhe prezantimi i hipermarketeve në vendin tonë, ku prej 2 vjetësh bën pjesë dhe “Mercator”, do të përshpejtojë konfigurimin e plotë të tregut. “Hyrja e operatorëve internacionalë në sektorin retail ose shitjes me pakicë do të rrisë standardet e shërbimit ndaj konsumatorëve, si dhe do të influencojë direkt në zinxhirin prodhues-konsumator, duke sjellë reduktim të kostos të produktit nga prodhuesi te konsumatori.
Sipas Qiricit, në vend pjesa më e madhe e konsumatorëve blejnë produktet e konsumit të përditshëm në kushte johigjienike dhe të papërshtatshme. “Shtimi i hipermarketeve dhe supermarketeve do të influencojë direkt në sjelljen konsumatore, duke i bërë ata më të përgjegjshëm për cilësinë dhe kushtet e tregtimit të produkteve që ata blejnë. Një nga arsyet që klientët e “Mercator Albania” frekuentojnë rrjetin tonë është ofrimi i produkteve në standardin më të mirë cilësi-çmim, si dhe higjienë dhe kushte blerje të mira”, shton kreu i retail në “Mercator”.
“Colliers”: Qendrat do të ulin qiratë e dyqaneve
Në gjysmën e dytë të 2011-s, tregu i shitjes me pakicë vazhdon të jetë dinamik, si në drejtim të kërkesës dhe ofertës. Nga ana e ofertës, në muajin nëntor, 41,200 m² janë shtuar në treg me hapjen e Tirana East Gate, qendra më e madhe tregtare në Shqipëri. Ndërsa në anën e qiramarrësit, u shënua hyrja e markave të reja duke përfshirë “Carrefour”, zinxhirin e dytë më të madh të shitjes me pakicë në botë, “Kids Jumbo”, shitësin më të madh të Greqisë tw lodrave dhe markave të tjera të shitjes me pakicë. Shumica e këtyre llojeve të reja janë të gjithë të pranishëm në qendrën TEG.
Nga ana tjetër, pas dy vjetësh aktivitet, “Praktiker”, kompania gjermane DIY, mbylli hipermarketin e saj të vetëm në Shqipëri.
Kërkesa e re është thithur tashmë nga TEG megjithatë nuk pritet rritje e kërkesës në vitin 2012. Kërkesa do të nxitet vetëm nga rinovimet ose qiramarrësit sporadikë.
Edhe pse ka projekte të reja që përfshijnë në vetvete tregtinë me pakicë, asnjë prej tyre nuk pritet të hyjë në treg në vitin 2012.
“Për shkak të rritjes së ndjeshme të hapësirave të tregtisë me pakicë, ne presim rënie të lehtë të qirave te qendrat tregtare si dhe te dyqanet në rrugët kryesore”, thotë Dhami.
Bie optimizmi për mineralet
Ajo çka mund të konsiderohej lokomotiva e eksporteve të vitit të kaluar, rrezikon të mos udhëheqë eksportet e këtij viti. çmimi në rënie i mineralit të kromit dhe muajt e fundit edhe i mineralit të bakrit, i bën shfrytëzuesit e minierave të mos jenë shumë optimistë. çmimi i mineralit të kromit, i cili fillon të bjerë në tregjet ndërkombëtare që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, vlerësohet të ketë arritur nivelin më të ulët prej më shumë se një viti. Nga më shumë se 300 dollarë/ton që ishte në fillim të vitit të kaluar, viti u mbyll me një çmim prej rreth 170 dollarë/ton. Sipas eksportuesve të mineraleve të kromit, efekti imediat është ndërprerja e eksporteve në pritje të një çmimi më të favorshëm. Por, ata shtojnë se nëse çmimi do të vazhdojë të jetë i ulët për disa muaj, do të kemi edhe një ulje të sasisë së mineralit të nxjerrë.
Më pak optimistë se një vit më parë janë operatorët që nxjerrin e tregtojnë mineralin e bakrit. Nga 1900 dollarë/ton që kuotohej në muajin shtator, çmimi i ditëve të fundit ka zbritur në 1300 dollarë/ton. “Deri më tani, efekti i uljes së çmimit nuk na ka prekur, pasi punojnë me kontrata afatgjata”, thotë Nazmi Kumanova, administrator i kompanisë së nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të mineralit të Bakrit “Beralb”. Në pritshmëritë për këtë vit, ai e ka të vështirë të bëjë një parashikim duke saktësuar se, “ecuria e nxjerrjes dhe eksportit do të varet nga luhatja e çmimit”. Por, ajo që “ngushëllon” industrinë e nxjerrjes së mineraleve është kërkesa ende e fortë në tregjet ndërkombëtare.
Agropërpunim/Shtohen investimet në teknologji
Agropërpunuesit janë më optimistë për ecurinë ekonomike të këtij viti. Planet e investimeve pritet të shtojnë prodhimin e të ulin njëkohësisht kostot
Investimet që rrisin produktivitetin, kohët e fundit janë kryefjala e tregjeve në vështirësi. Ky rregull pritet të udhëheqë edhe industrinë ushqimore shqiptare këtë vit. Shumë sipërmarrës shqiptarë tregojnë se kanë plane ambicioze investimi në teknologji, që do të ulin kostot e tyre të prodhimit dhe rrjedhimisht që mund t´i bëjnë më konkurrues në tregje.
Alban Zusi, sipërmarrës në industrinë e përpunimit të peshkut dhe zorrëve, tregon për “Monitor” se “kam në plan të investoj në linja të reja përpunimi”. Me një investim që do të jetë mes 300-400 mijë eurove, ai parashikon të dyfishojë numrin e të punësuarve në ndërmarrje. Aktualisht në fabrikën në Lezhë ka 80 punëtorë.
Edhe për prodhuesit e pijeve, 2012-a do të thotë rritje. Sigurisht kjo nuk vjen nga ndonjë rritje e papritur e kërkesës konsumatore, ndërkohë që në treg janë disa operatorë të mëdhenj të prodhimit të birrës. Faktorë për rritjen janë investimet. Në kompaninë “Stefani & Co”, investimet parashikohet të rriten deri në 12%. Sipas sipërmarrësit Stefan Pinguli, investimet do të shkojnë për teknologji përpunimi dhe rritjen e kapacitetit të prodhimit. Me këto investime, por edhe ato të bëra një vit më parë, prodhimi i birrës “Stela” pritet të rritet 15%. Rritjen më të madhe të aktivitetit, z. Pinguli pret ta shohë në kompleksin e shërbimeve e argëtimit “Te Stela”. I ngritur në shërbim të birrës, ky kompleks ka marrë vlerat e një biznesi më vete me shërbime restoranti, pishina etj.
Rritje të prodhimit presin të gjitha sipërmarrjet që investuan dukshëm vitin e kaluar. Përfaqësuesit e “Floryhen” u zgjeruan në treg me qumështin dhe nënproduktet e tij. Sipërmarrjet që gjetën burime financiare vazhduan të diversifikojnë shportën e prodhimeve të tyre, duke e bërë atë më të larmishme. Këtë vit, në tregun e qumështit të përpunuar pritet të dalin edhe një grupim fermerësh vendas, të cilët kanë investuar në ngritjen e një fabrike përpunimi.
Nxitja vjen nga kreditë e buta
Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) mendon se pas investimeve të bëra, ky vit mendohet të jetë pozitiv. Gjithsesi, sipas tij, 2012-a nuk do të jetë i lehtë për industrinë ushqimore, veçanërisht për atë eksportuese. Luhatja e euros rrezikon të japë presione negative te sipërmarrësit dhe t´i shtyjë ata të jenë më të matur në investime. Ferizaj vëren se ka një tkurrje të biznesit për t´iu drejtuar bankave për kredi. Bankat konfirmojnë shtrëngimin e kreditimit për bizneset gjatë këtij viti pak të sigurt.
Si burime financiare në investime, sipërmarrjet pritet të përdorin fitimet e tyre dhe në rastin më të mirë, të bëhen pjesë e fondit të parashikuar nga qeveria për nxitjen e kreditimit në agropërpunim.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, krahas rritjes së fondit për subvencionet, këtë vit pritet të ketë një fond të veçantë për kreditimin e agropërpunuesve. Një fond prej rreth 4 milionë dollarësh do të menaxhohet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rajonal (AZHBR). Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thonë se ky fond do të shkojë për financimin e linjave të reja të përpunimit, në formën e kredive pa interes për shtatë vite.
Ndonëse nuk ka një ndarje përfundimtare të financimeve nga fondi i subvencioneve në bujqësi, investimet në ngritjen e kapaciteteve ruajtëse pritet të jenë më të mëdha se vjet. Vetë vlera e subvencioneve është rritur në 15 milionë dollarë për këtë vit, nga 10 milionë dollarë që ishte vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.