Japonia duhet t’i qëndrojë besnike vizionit të Abe Shinzos – deri në një pikë të caktuar. Kryeministri Kishida Fumio duhet të ndjekë pragmatizmin e zotit Abe, jo nacionalizmin e tij
Autori Max Weber ka shkruar mbi kontrastin midis politikanëve të fiksuar me pastërtinë morale dhe kolegëve të tyre pragmatikë.
Abe Shinzo, kryeministri i Japonisë në vitet 2006-‘07 dhe 2012-‘20, ishte një lexues i zellshëm i Weber-it. Tensioni midis etikës së bindjes dhe përgjegjësisë, la gjurmë të thellë në jetën e tij, e cila u ndërpre nga arma e një vrasësi më 8 korrik, shkruan The Economist.
Zoti Abe kishte një bërthamë ideologjike. Ndonjëherë, ai ishte nacionalist konservator që shpërfillte fqinjët dhe polarizoi vendin. Megjithatë, ai kultivoi gjithashtu një pragmatizëm të lartë. Ky lloj Abe ishte një realist që forcoi mbrojtjen e Japonisë dhe bashkoi aleatët.
Pavarësisht vdekjes së zotit Abe, Japonia ka të ngjarë të ndjekë drejtimin që ai vendosi. Ajo do të mbetet e përkushtuar për të rritur Forcat e Armatosura, për të forcuar aleancën me Amerikën dhe për të thelluar marrëdhëniet e sigurisë në Azi dhe më gjerë.
Me dhuntitë e tij diplomatike, zoti Abe po u përgjigjej ndryshimeve gjeopolitike që po ndodhnin rreth Japonisë – domethënë luhatjeve të Amerikës dhe rritjes së Kinës.
Arritja kryesore e zotit Abe ishte ringjallja e Japonisë si një forcë globale më vete. Kjo filloi me ndërtimin e institucioneve, duke përfshirë krijimin e një këshilli të sigurisë kombëtare, për të përmirësuar politikëbërjen dhe për të rritur forcat e armatosura.
Zoti Abe ngriti gjithashtu një strukturë për rajonin “Indo-Paqësor”, përmes pakteve tregtare dhe grupimeve të shteteve, si Quad. Më e rëndësishmja, zoti Abe kuptoi se roli global i Japonisë varet nga vitaliteti i saj ekonomik.
Megjithatë, dëshira e zotit Abe për ta nxjerrë vendin nga hija e Luftës së Dytë Botërore dhe për t’u kthyer në skenën globale, ndonjëherë nënkuptonte fshirjen e pjesëve të shëmtuara të historisë së vendit. Ai u përpoq të pastronte tekstet shkollore nga ajo që e quante një version “mazokist” të së kaluarës koloniale dhe të luftës së Japonisë.
Këto prirje revizioniste acaruan marrëdhëniet me Korenë e Jugut, një ish-koloni japoneze. Megjithëse zoti Abe, u përpoq të zgjidhte mosmarrëveshjet historike të gjata, ai u largua nga posti në vitin 2020, duke i lënë marrëdhëniet me fqinjët në një gjendje të rëndë.
Kishida Fumio, kryeministri i tanishëm i Japonisë, deklaroi me shpejtësi besnikërinë ndaj trashëgimisë agresive të zotit Abe. Por ai duhet të jetë i kujdesshëm dhe të bëjë dallimin midis Abe-s pragmatik dhe Abe-s ideologjik, të cilin duhet ta braktisë.
Kishida mund të varrosë njëherë e mirë Abe-n ideologjik, duke punuar me Yoon Suk-yeol, presidentin e ri të Koresë së Jugut, për të rimëkëmbur marrëdhëniet midis dy shteteve. Ai mund të forcojë pozitën e vendit, duke rishikuar strategjinë e sigurisë kombëtare dhe duke përditësuar planet e shpenzimeve të mbrojtjes.
Qëllimi përfundimtar i Japonisë duhet të jetë rishikimi i Kushtetutës së saj pacifiste të pasluftës, e cila e ndalon shtetin që të zotërojë “potencial lufte”. Japonia duhet të përballet me realitetin, sepse është një shtet me një ushtri të madhe moderne.
Ky debat do t’i ndihmonte votuesit japonezë që të kuptonin se jetojnë në një botë të rrezikshme dhe se kanë nevojë për mjete për t’u vetëmbrojtur. Partitë që favorizojnë rishikimin e Kushtetutës, zotërojnë dy të tretat e shumicës së nevojshme në të dyja dhomat parlamentare, për të propozuar ndryshime të tilla në një referendum. Sondazhet tregojnë se tani publiku mund ta pëlqejë këtë ide më shumë se kurrë.
Megjithatë, ndryshe nga zoti Abe, zoti Kishida nuk ka gjasa të ushtrojë shumë trysni për një votim dhe ai mund të ketë të drejtë. Debati do të ishte i egër, amendamenti mund të mos miratohej dhe nëse do të miratohej, ai do të shqetësonte Korenë e Jugut dhe Kinën, ku nacionalistët pretendojnë vazhdimisht se imperializmi japonez është gati për t’u ringjallur.
Siç pranoi zoti Abe, ndryshimet më modeste ligjore të qeverisë së tij, u kanë dhënë Forcave të Armatosura të Japonisë aftësinë për t’u përballur me situata të mundshme të paparashikueshme, në Tajvan. Prandaj, zoti Kishida ka të ngjarë të vazhdojë rrugën që përshkoi zoti Abe, por me më tepër kujdes. Nëse braktis bagazhin nacionalist të paraardhësit të tij, aq më mirë.