Vlora, me plazhe bosh, më dobët me turizmin këtë vit

20/07/2019 10:09 PM 0 komente

Intervista / Flet Enrik Mehmeti, Gazetar

 

Ndryshe nga Durrës, Vlora nuk duket se po kalon një verë të mbarë këtë sezon.

Enrik Mehmeti, gazetar në Vlorë, i cili ndjek nga afër çështjet e aktualitetit dhe turizmit vlerëson se në raport me një vit më parë paraqitet disi më dobët, por pritet të rikuperojë në pjesën e mbetur të korrikut dhe gushtit, duke qenë se edhe tensioni politik tashmë ka rënë.

 

Si duket ky sezon veror për Vlorën sa i përket numrit të vizitorëve? Nga ajo që vini re, ka më shumë apo më pak se një vit më parë?

Në krahasim me një vit më parë, situata e turizmit paraqitet disi më e dobët. Janë të shumta plazhet ende bosh dhe jo vetëm në Vlorë por në të gjithë Shqipërinë me aq sa kam parë. Një prej ndikimeve ka qenë dhe situata politike ku ka pasur anulime, pikërisht për shkak se flitej për përplasje të ashpra. Zgjedhjet e qeta dhe pa incidente ndikuan shumë pozitivisht tek imazhi i turistëve të huaj. Po shihet përmirësim për pjesën e dytë të korrikut dhe të gjithë muajin gusht, edhe pse ky ka qenë “sezoni i vërtetë” pritet të ketë një “bum” turistësh sidomos të huaj.

Kush po e viziton sot Vlorën në kuptimin e shtetësisë që kanë turistët e huaj?

Për sa i përket të huajve, vendin e parë e zënë italianët. Kjo shihet dhe te rezervimet, pasi dhe media italiane po ndryshon pikëpamjen e materialeve që publikohen për Jugun e Shqipërisë dhe kryesisht për Vlorën. Ndër arsyet që renditen për këtë “italianizim” të turizmit, e parë dhe në ato çfarë media italiane publikon nga përvojat është çmimi që mban vendin e parë, plazhet e kristalta, dhe e fundit, por jo nga rëndësia, mikpritja duke qenë se vlonjatët janë të “italiandashës”, duke i bërë të ndihen si në shtëpi. Madje nuk mungojnë dhe italianë që kanë nisur të hapin bizneset e tyre turistike. Por ata nuk vijnë të organizuar me agjenci si polakët, çekët apo rusët por me grupe të vogla apo rezervime personale. Numri i turistëve çekë është ulur këtë vit, të cilët mbërrinin që në maj por nga ana tjetër është rritur interesi i polakëve.

Si paraqiten çmimet e hoteleve. Janë rritur apo ulur në raport me një vit më parë?

Nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim. Reduktimi i numrit të turistëve për qershorin dhe fillimin e korrikut bëri që të uleshin disi, por në pjesën e dytë të korrikut dhe gushtin, janë në të njëjtat nivele.

Po infrastruktura si paraqitet, si ka qenë puna e pushtetit lokal. Kemi parasysh këtu që një vit më parë kishte punime në qytet në pik të sezonit?

Këtë vit, qyteti është edhe më mirë. Është vendosur në funksion bulevardi i ri, i cili është realizuar në mënyrë të veçantë. Janë shtuar atraksione si një shatërvan përpara stadiumit, vepra të ndryshme arti ndërsa Lungomare, e cila u përurua dy vite më parë, është pritur shumë mirë nga turistët. Nuk mungojnë dhe ankesat për “kurrizin”, e cila shërben kryesisht për emergjencë, por duket se është mënyra e duhur që automjetet të mos ecin me shpejtësi. Rruga e plazhit të vjetër, e cila ishte gangrenë për operatoret turistikë dhe turistët e kësaj zone, është transformuar totalisht me korsi dhe për biçikleta. Ka ende shumë për të bërë, por gjërat kanë ndryshuar.

Po çështja e trafikut dhe cilat janë arsyet për këtë të fundit, pasi Vlora karakterizohet çdo vit nga një trafik i rënduar?

Trafiku është një prej problemeve më shqetësuese, për shkak të fluksit të madh të automjeteve. Pavarësisht se shumë zgjedhin rrugën dytësore për të lëvizur drejt Ujit të Ftohtë dhe anasjelltas, kjo situatë ende nuk ka një zgjidhje. Të dielën e dytë të korrikut, e cila shënon dhe nisjen e fluksit, për të përshkuar 17 kilometra nga Orikumi në drejtim të Vlorës, drejtuesve të automjeteve iu duhej më shumë se 1 orë e gjysmë për shkak të trafikut. Kjo situatë do të zgjidhet vetëm me vënien në punë të Bypass-it nga hyrja e Vlorës deri në Orikum.

Viteve të fundit ka pasur një zhvillim edhe në aspektin e guidave turistike apo tureve me anije? Cilat janë destinacionet e preferuara dhe si e ka nxitur rritja e interesit për Vlorën pjesën e shërbimeve?

Destinacioni më i preferuar është Gadishulli i Karaburunit dhe në vendin e dytë, ishulli i Sazanit. Të dy përshkohen me anijet që nisen nga Porti i Vlorës. Ky bum në këtë lloj destinacioni ka nisur prej dy vitesh ndërsa këtë vit, numri i anijeve ka shkuar në 12 dhe janë të modeleve të ndryshme deri te anija Trimaran në Shqipëri. Familjarët përgjithësisht zgjedhin anijen Trimaran Julka Unique e cila ka stabilitetin më të lartë, 70% më shumë se çdo anije tjetër, si dhe rrethimin me sigurinë më të lartë për fëmijët. Kjo do të thotë që në këtë sektor ka pasur investime të mëdha dhe serioze për shkak të interesit që ka ky lloj destinacioni. Tashmë kryesisht Karaburuni zgjidhet nga ata që duan plazhet e kristalta, duan t’i shpëtojnë trafikut pasi atë shpenzim karburanti në trafik zgjedhin ta bëjnë më mirë në biletën për anije, kështu që në vend të stresit është kënaqësia.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of