Tregu dytësor i letrave të borxhit të qeverisë nuk po njeh zhvillim të rëndësishëm as këtë vit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e tregtuar e transaksioneve në tregun dytësor në gjysmën e parë të këtij viti ishte rreth 3 miliardë lekë, vlerë afërsisht e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por gati 20% më e ulët ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Në vëllimin e transaksioneve, peshën kryesore, rreth 65%, e zënë ato në bono thesari, ndërsa pjesa tjetër përfaqësohet nga transaksionet në obligacione. Transaksionet në bono thesari regjistruan një rritje të lehtë, ndërsa ato në obligacione ishin më pak në krahasim me një gjashtëmujor më parë. Numri i transaksioneve pësoi gjithashtu rënie me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në transaksionet në tregun me pakicë të titujve mbizotërojnë transaksionet në bono thesari që zënë 83% të sasisë së tregtuar të titujve. Investitorët në tregun sekondar me pakicë vijojnë të shfaqin preferencë për t’i mbajtur letrat më vlerë deri në maturim, duke qenë se vetëm rreth 20% e tyre tregtohen.
Në vitin 2018, Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nisën projektin e titujve referencë, me qëllim zhvillimin e tregut dytësor të obligacioneve. Ky projekt parashikon që për instrumente të caktuara, obligacionet me maturim 3 vjeçar dhe 5 vjeçar, pjesëmarrja në ankandet e tregut primar të kufizohet vetëm në pesë banka zhvilluese të tregut. Më tej, këto instrumente mund të tregtohen në tregun dytësor nga këto pesë banka, që janë të detyruara të kutojnë çmime apo yielde ditore.
Kuotimi me bazë ditore i titujve referencë mundëson llogaritjen e kurbës së yield-it, që shërben si referencë për titujt e tjerë të borxhit në treg dhe rrit transparencën, duke dhënë informacion në kohë reale për çmimin e titujve. Zhvilluesit e tregut kanë vijuar kuotimet ditore të titujve referencë (benchmark), por gjatë gjysmës së parë të këtij viti vlera dhe numri i transaksioneve për këta tituj ishte më e ulët krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.
Megjithë përpjekjet, për momentin zhvillimi i tregut dytësor të titujve në Shqipëri ngelet shumë i kufizuar. Ekspertët mendojnë se një nga arsyet kryesore është zhvillimi i dobët i tregut financiar në përgjithësi dhe sidomos nga mungesa e një tregu të kapitalit. Duke qenë se tregu financiar nuk ofron alternativa të tjera investimi më fitimprurëse, investitorët nuk gjejnë stimuj për t’i shitur letrat e borxhit të qeverisë dhe në shumicën e rasteve i mbajnë deri në maturim.
Në mungesë të instrumenteve alternative të borxhit ose kapitalit nga sektori privat, shumica dërrmuese e investitorëve të vegjël i shohin bonot dhe obligacionet qeveritare më shumë si një alternativë ndaj depozitave bankare, sesa një formë dinamike investimi. Ndërkohë, tregu primar i titujve qeveritarë dominohet ende nga sektori bankar, që në përgjithësi nuk ka shumë nevoja likuiditeti që do ta shtynin drejt shitjes së titujve para maturimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.