Mbresëlënëse janë të dhënat që vijnë nga kompania më e madhe e shitjes me pakicë në nivel botëror. Bëhet fjalë pikërisht për gjigantin shumëkombësh Wal-Mart, kompaninë amerikane që operon në 44 vende të Botës, shitjet jashtë vendit të së cilës prekën shifrën rekord prej 53 miliard dollarësh për vitin fiskal që sapo lamë pas.Sipas Xhon Menzer, i cili deri pak ditë më parë ishte president i divizionit ndërkombëtar të kësaj kompanie dhe që aktualisht mbulon operacionet brenda SHBA-së, gjatë vitit 2005 Wal-Mart ia doli ta rriste me 18% biznesin jashtë Amerikës duke arritur një fitim neto prej 3 miliard dollarësh vetëm prej tij. Menzer, vite më parë, ka drejtuar personalisht blerjen e kompanive Asda në Britani dhe Seiyu në Japoni. Këto blerje përcaktuan edhe modelin e “pushtimit” të vendeve të tjera: Shko në një vend, zgjidh një kompani të përmasave të konsiderueshme, merr një copëz nga ajo me synimin për ta “gëlltitur” më pas të tërën, ndërroi emrin dhe … operacioni doli me sukses. Duke vepruar në këtë mënyrë Wal-Mart tashmë numëron nën pronësinë e saj 2276 supermarkete të shpërndarë në mbarë rruzullin, duke qenë njëkohësisht edhe punëdhënësi më i madh privat në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë (vetëm në Meksiko Wal Mart numëron më shumë se 100 mijë të punësuar). Për tu nënvizuar është që gjiganti nuk hap vetëm supermarkete nëpër këto vende. Në funksion të tyre Wal-Mart ngre qendrat e shpërndarjes nga ku furnizohen të gjithë supermarketet e zonës, qendra të cilat në shumicën e rasteve mund të jenë edhe 10 herë më të mëdha se vetë supermarketet. Ky zgjerim u bë blerje pas blerje e supermarket pas supermarketi. Përsa i përket së ardhmes, Wal-Mart këtë vit po planifikon zgjerimin drejt tregut të pafund të Indisë.Ndërsa merrte për herë të parë me qira një dyqan ushqimor në vitin 1945, Sem Ualton, që është edhe themeluesi i kësaj sipërmarrjeje shumëkombëshe, vështirë të ketë menduar se shitja me çmime të ulëta do të ishte kaq fitimprurëse, sa në vitin 1962 të ishte shndërruar në një zinxhir prej 15 supermarketesh në Misuri, Arkansas dhe Oklahoma. Por asgjë nuk do të ndalej aty. Duke u kujdesur personalisht deri në detajet më të imta, Sam Walton do ta çonte kompaninë drejt pushtimit të plotë të tregut amerikan. Me kujdesin që tregonte për përzgjedhjen e vendeve ku ngriheshin supermarketet e politikat e tregut që përdori për të joshur konsumatorët, Plaku Sem, siç njihet gjerësisht në Amerikë, përcaktoi edhe moton sipas së cilës Wal-Mart operon edhe sot: Çmime sa më të ulët (marzh minimal fitimi) dhe çdo gjë që nevojitet për të kënaqur konsumatorët e të punësuarit (ai i quante “të asociuar”, gjë që ndodh edhe sot). Kompania ka treguar gjithmonë një kujdes të veçantë në përzgjedhjen e vendeve ku do të shtriheshin supermarketet. Në fillimet e saj, Sam Walton fluturonte me një avion privat mbi qytete për të zgjedhur zonën më të përshtatshme, e cila duhet të kishte hapësirë sa për “një supermarket e gjysmë”. Sot Wal-Mart ka nën kontroll edhe kompaninë më të madhe të pasurive të paluajtshme në Amerikë, një departament i tërë i së cilës merret me ndërtimin e supermarketeve të rinj, shitjen apo tjetërsimin e të vjetërve dhe ngritjen e qendrave tregtare përreth tyre. Një veçori tjetër që kompania i kushton shumë rëndësi, është përzgjedhja e furnizuesve dhe e produkteve, të cilët duhet të jenë sa më të shumtë të jetë e mundur. Një konsumator duhet të gjejë nëpër supermarketet Wal-Mart mundësisht çdo artikull që kërkon, pa pasur nevojë të shkojë askund tjetër. Blerja e sasive të mëdha të produkteve e kombinuar me një sistem të studiuar mirë magazinimi e shpërndarjeje, i jep Wal-Mart mundësinë të operojë me çmime shumë më të ulëta se të konkurrentëve. Kompania ka qenë gjithnjë lider në fushën e administrimit të inventarit të shitjeve (porosia që i bën një shitës prodhuesit mbi artikujt për të cilët kanë nevojë konsumatorët), që i jep mundësinë kompanisë tu kërkojë prodhuesve të mëdhenj të përqëndrohen në lista të caktuara artikujsh. Kjo eviton blerje të tepërta e të panevojshme dhe mbushjen e magazinave me mallra të cilët vonojnë të shiten. Me rritjen e saj, Wal-Mart fitoi edhe pushtetin ti detyronte prodhuesit të ndryshonin produktet e sasitë e prodhimit (këto ndryshime kryesisht kanë të bëjnë me uljet e çmimeve të tyre) në funksion të nevojave të saj. Duke përdorur këto politika tregu Sem Walton arriti ta shtrijë kompaninë e tij në tërë Amerikën. Në vitin 1990 Wal-Mart numëronte më shumë se 1.3 milion të punësuar vetëm në Amerikë dhe ishte bërë shitësi më i madh me pakicë në vend, ndërkohë që Sem Walton rezultonte një ndër njerëzit më të pasur në rruzull. Në vitin 1975 plaku Sem e bëri kompaninë publike. Cilido amerikan që donte të bëhej aksioner i Wal-Mart, mund ta bënte këtë duke paguar 5 cent për aksion. Në vitin 2002 vlera ishte rritur në 62 dollarë për aksion, për të rënë gjatë viteve pasardhës me 20%. Por edhe me vdekjen e tij, në vitin 1992, kompania nuk e ndali për asnjë çast zgjerimin. Tashmë ajo zotërohet nga të bijtë dhe për tu nënvizuar është se e tëra ajo vlen më shumë se 100 miliard dollarë, shumë më tepër nga pasuria e Bill Geits.PAS VDEKJESVdekja e Sem Walton shënoi edhe nisjen e një seri sulmesh kundrejt mënyrës se si Wal-Mart operonte, duke u vënë në shënjestër nga një numër gjithnjë e në rritje kritikësh. Shumë prej tyre ishin të mendimit se suksesi i këtij biznesi kishte ardhur si rezultat i praktikave që favorizonin dukshëm kompaninë në dëm të prodhuesve, punonjësve, komunitetit, konsumatorëve, ekonomisë e ambientit. Në pozicione të caktuara punonjësit e Wal-Mart paguhen shumë më pak se kolegët e tyre nëpër kompani të ngjashme. Sipas disa statistikave zyrtare, punonjësit e një supermarketi paguhen mesatarisht 10.35 dollarë në orë, ndërkohë që një magazinues në Wal-Mart paguhet mesatarisht 8.23 dollarë në orë. Sipas një raporti të vitit 2003, arkëtarët e kësaj kompanie (që përbëjnë edhe numrin më të madh të të punësuarve) paguheshin 7.92 dollarë në orë për një mesatare prej 29 orësh në javë. Kjo shpie në një rrogë mesatare vjetore prej 11,948 dollarësh (1000 dollarë më pak se kufiri i varfërisë në SHBA për një prind me një fëmijë). Ka qenë një politikë konstante e Wal-Mart gjetja dhe kontraktimi i prodhuesve nga vendet e paindustrializuara e me fuqi të lirë punëtore, aq sa në vitin 1995 kompania u vu në qendër të një skandali për shkak të publikimit të faktit se për një seri produktesh ishte përdorur puna e të burgosurve të një province kineze. Gjithashtu, shumë analistë janë të mendimit se sasia e jashtëzakonshme e produkteve që Wal-Mart blen në Republikën Popullore Kineze rrisin ndjeshëm deficitin tregtar të Amerikës ndaj gjigantit aziatik. Nga totali prej 102 miliard dollarësh që përbënte këtë deficit në vitin 2002, 12 miliard i atribuoheshin vetëm Kompanisë Wal-Mart. Këto skandale morën përmasa më të mëdha kur doli në dritë se një seri produktesh të blera në Kinë etiketoheshin “prodhuar në Amerikë”. Në Bangladesh u mësua se kompania kontraktonte prodhues të cilët përdornin gjerësisht të mitur nëpër fabrika e punishte, të cilët punonin për rreth 80 orë në javë me një pagë prej 30 centësh në orë.Skandale të ndryshme në lidhje me parregullsi në kontraktimin e punonjësve ka pasur edhe nëpër supermarketet e Amerikës. Pas një operacioni të bërë nga agjentët federalë në vitin 2003, ku u përfshinë supermarkete Wal-Mart të shpërndarë në 21 shtete të Amerikës, u arresuan 250 roje nate, që qëndronin dhe punonin në Amerikë në mënyrë të paligjshme. Një prej tyre tregoi për Nju Jork Tajms se paguhej 325 dollarë për 60 orë punë në javë (5.4 dollarë në orë) e se kurrë nuk i ishin paguar orët jashtë orarit. Dhe kjo nuk ishte hera e vetme që zbulohej se Wal-Mart punësonte emigrantë ilegalë në Amerikë. Në vitin 2005, agjentët federalë arrestuan 125 punonjës ilegalë, që punonin në ndërtimin e një qendre të re shpërndarjeje në Pensilvani. Wal-Mart sigurisht që nuk pranoi asgjë dhe u mbrojt duke shpallur se të punësuarit i përkisnin kompanisë që ishte kontraktuar nga ajo për të kryer punimet.Një tjetër aspekt shumë i përfolur nëpër media është edhe ai i ndjekjes së politikave grabitqare të çmimeve. Gjë që konsiston në uljen e përkohshme të çmimeve për të nxjerrë konkurrentët jashtë loje dhe për krijimin e monopoleve vendase. Kompania është hedhur disa herë në gjyq për këtë akuzë dhe është gjykuar fajtore në disa shkallë, por gjithnjë ka arritur ti hedhë poshtë këto akuza në apel. Në negocimet e përvitshme me prodhuesit e furnizuesit, vazhdimisht Wal-Mart kërkon ulje të mëtejshme çmimesh. Në rast se furnitorët nuk e pranojnë një kërkesë të tillë, rrezikojnë që tu zhduket e gjithë marka nga raftet e supermarketeve Wal-Mart në favor të një tjetër furnitori më të lirë, apo të një marke më pak të kushtueshme. Kjo ka bërë që një seri furnizuesish të detyrohen ti zhvendosin linjat prodhuese nëpër vende të botës së tretë apo të ulin cilësinë e prodhimeve në mënyrë që të arrijnë të ulin çmimet e produkteve.Megjithatë, praktikat e dyshimta dhe kritikat e shumta nuk e kanë ndalur për asnjë çast zgjerimin e këtij gjiganti. Vetëm për sezonin 2003-2004 Wal-Mart raportoi një bilanc të përgjithshëm shitjesh prej 285 miliard dollarësh me një fitim neto 10.3 miliardësh (marzhi i fitimit 3.6%). Kompania zotëron 8.9% të shifrës së përgjithshme të shitjes me pakicë në Shtetet e Bashkuara ose, e thënë ndryshe, 8.9 dollarë të çdo 100 dollarëshi të shpenzuar në vend shkojnë në arkat e Wal-Mart. Nëse për një çast ky gjigant do të konsiderohej si ekonomi më vete, do të renditej i 20-ti në rang botëror, me PBB të përafërt me atë të Greqisë apo të Ukrainës. Gjatë vitit që sapo nisi, Wal Mart po planifikon të shtrihet drejt tregut të stërmadh të Indisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.