“Zgjerojmë kornizat, konkurrenca nuk është më brenda territorit

07/10/2017 11:05 PM 0 komente

Flet Drejtori i Programit në TV Klan, Armand Shkullaku

 

Televizionet shqiptare, të cilat prej kohësh ndjekin konkurrencën mes njëra-tjetrës në përpjekje për të fituar audiencën, duket se tashmë kanë “nuhatur” një tjetër konkurrencë potenciale. Bëhet fjalë për platformat ndërkombëtare që u ofrojnë mundësinë shikuesve të kenë akses në qindra mijë kanale të huaja, filma, seriale dhe emisione të larmishme kundrejt tarifave të përballueshme.

Drejtori i Programit në KLAN TV, Armand Shkullaku, tha për “Monitor” se pikërisht ky zhvillim por edhe trendet e tjera që janë përvijuar në treg nga ushqimi i shëndetshëm, stili i jetesës apo operacionet plastike kanë shërbyer si nxitje për të sjellë programet e reja të këtij sezoni, të cilat nuk do të jenë të pakta.

 

monitor 799.inddKlan duket se është përfshirë në një seri blerjesh të reja këtë vit, janë prezantues për emisione ekzistuese, por edhe emisione të reja. Mund të na jepni disa detaje më shumë mbi atë çka duhet të presin teleshikuesit në këtë sezon të ri?

Para se të flasim për programe konkrete, duket sikur janë shumë, por nuk janë edhe aq shumë, por sigurisht ka një fluks njerëzish që kanë ardhur në Klan, duke u bërë pjesë e këtij televizioni. Më shumë sesa programe konkrete, tek ne ka qenë e rëndësishme që të ndryshojë si të thuash filozofia e televizionit, pa çeduar te pikat e forta të padiskutueshme që kemi, që mbeten aktualiteti dhe informacioni, ku dominon Opinion me katër herë në javë, që është program aktualiteti, lajmet gjithashtu. Aktualitet do të quaja dhe programin e pasdites të Rudina Magjistarit, që trajton edhe ajo çështje pak më “soft”, por që mbeten brenda kornizës së aktualitetit. Programet më rinore sërish përmblidhen në këtë përcaktim, ashtu si edhe Arian Çani të premten, që mbetet një nga shtyllat e aktualitetit.

Baza e Klan-it janë këto, por sfida është përshtatja me zhvillimet e kohës. Mendoj se ka një publik të moshës 20-40 vjeç që nuk janë edukuar me këto temat e vjetra të tranzicionit shqiptar, siç janë problemet politike, debatet, tema nga ato të cilat ne hasim përditë si infrastruktura, zhvillimi, shëndetësia, energjia, mirëqenia, që mbeten tek informacioni, por që ky grup ka edhe interesa të tjera. Shqipëria është hapur, shkëmbimet me botën janë shumë më të mëdha.

Konkurrenca nuk është vetëm mes televizioneve shqiptare, por edhe me ato të huaja. Platforma si Netflix-i, por edhe plot të tjera mund të aksesohen lehtësisht, duke bërë që konkurrenca tani të jetë globale dhe ne kemi menduar që t’i përshtatemi kësaj. Prurjet e reja në Klan kanë qenë me këtë synim, që të kapet një fashë ose një brez shikuesish, që të gjejnë interes edhe te televizionet shqiptare, jo vetëm tek ato të huaja, sepse jam i bindur që ka me mijëra njerëz që preferojë programe argëtimi apo që të informohen nga media ndërkombëtare. Për të qenë në sinkron me këto zhvillime, ne mendojmë që të investojmë tek kjo pjesë e shikuesve.

Konkretisht çfarë programesh keni shtuar për këtë aspekt që po flasim?

Programe të reja në këtë aspekt janë disa. I pari që ka nisur tashmë është “Kush vjen për drekë”, një formulë e jona, nuk është shpikje e jashtëzakonshme, formulë e thjeshtë ku personazhe VIP bëjnë “një konkurs”, konkursi nuk është qëllimi por është mënyra e gatimit, promovimi i produkteve të vendit, ngrënies së shëndetshme, bio, dietiket, që janë trendet e kohës. Kjo shoqërohet me pjesën profesionale ku në çdo puntatë, i ftuar është edhe një nga shefat e njohur të kuzhinës në kryeqytet, i cili propozon një pjatë që përmban këto elemente për të cilat folëm, pra e shëndetshme, e ushqyeshme, natyrale, që është formula profesionale që çdo njeri i interesuar të ushqehet siç duhet. Pra përfshijmë pak argëtim për të tërhequr shikuesit dhe pastaj bëjmë edhe pjesën profesionale. Kjo shoqërohet edhe me një rubrikë që e bën një vajzë, një blogere e njohur, Kristi, e cila jep këshilla të dobishme nga më të ndryshmet, të thjeshta dhe praktike, që shërbejnë në këtë fushë.

Kemi bërë një ndryshim të programit “Jo vetëm modë”, për ta çuar dhe atë pak më afër të rinjve, duke u dhënë më shumë hapësirë personazheve të rinj, jo shumë të njohur. Sjellim portretet e tyre, lajmet e showbiz-it, eventet që zhvillohen në Tiranë, që përfshijnë më shumë rininë sesa premierat e famshme. Këto ndryshime mendojmë se mund ta bëjnë pak më tërheqës dhe më të freskët emisionin. Është ndryshuar formati. Xhirohet në qytet, në një ambient në Bllok, ku kemi aplikuar si gjetje prezantimin e emisionit nga një xham transparent, pra një dritare e madhe, ku edhe njerëzit jashtë kalojnë, shikohen në kamera, pra krijon njëfarë interaktiviteti dhe prekje të emisionit më pranë tyre.

Përveç atyre që tashmë kanë nisur, a kemi programe të reja që do t’i shtohen portofolit të Klan dhe kur pritet të nisin, nëse po?

Do të fillojmë, besoj në fund të tetorit, një program tjetër që do të jetë muzikor. Edhe kjo është një formulë e Klan-it. Ka qenë para shumë e shumë vitesh, por tani është sjellë tërësisht i ri dhe do të drejtohet nga Marina. Do të quhet “C’est la vie”. Ideja është po ajo që ka qenë, me pak ndryshime. Boshti i emisionit mbetet konkursi, pra gara dhe janë tetë këngëtarë të rinj, vajza dhe djem që konkurrojnë me tetë personazhe po të njohur. Pjesëmarrësit do të krijojnë duete dhe mbas 10 javësh do të shpallet një fitues. Konkurrimi është ideja e emisionit, por qëllimi ynë është që ta kthejmë në një festë të muzikës, domethënë që televizioni duhet të sjellë më shumë gëzim, më shumë entuziazëm dhe relaks në shtëpi, pranë njerëzve. Përveç konkurrimit, çdo natë do të ketë një këngëtar ose një grup shumë të njohur, i cili do vijë të përshëndesë emisionin, të këndojë këngët e veta, madje herë pas here do të ketë edhe kolazhe bashkë me pjesëmarrësit e tjerë.

Do të jetë live bashkë me orkestrën, gjithçka do të luhet në skenë që do ta bëjë më interaktive që të ketë mundësi për improvizime siç mund të jenë duetet e papritura. Ky është qëllimi si fillim. Më pas, ne shpresojmë që kjo të vazhdojë duke e kthyer në një platformë të muzikës, ku këngëtarë, grupe vendase apo të huaj që vijnë, prodhojnë, këndojnë apo kanë një treg në Shqipëri, të promovojnë gjithçka në këtë emision. Besoj në janar, me të mbaruar “C’est la Vie”, do të vazhdojmë me një formulë e cila është blerë e Endemol. Do të jenë fëmijë të cilët konkurrojnë në zhanre si muzikë pra këngë, instrumente dhe balet, të gjitha pjesë klasike. Jemi në fazën e përfundimit të këtij projekti që drejtohet nga Inva Mula dhe kemi besim të plotë jo vetëm tek gjykimi por edhe tek organizimi i saj. Juria dhe disa detaje të tjera nuk janë përcaktuar ende. Jemi në fazën e seleksionimit të kandidatëve dhe besojmë se nis menjëherë pas vitit të ri. Jemi në tentativë, por nuk mund të jap shumë detaje për një program, patentë ndërkombëtare me përmasa të mëdha, e para herë që bëhet në Shqipëri, por s’mund të themi shumë, sepse mund të ketë zhvillime rrugës pasi jemi ende në negociata.

Duket sikur ka një fokusim sidomos tek argëtimi, çfarë duhet të presim nga fundjava në Klan?

Ne kemi menduar t’i japim prioritet së shtunës dhe së dielës, sidomos tek paraditja, sepse zakonisht televizionet shqiptare i mbyt pjesa e ritransmetimeve. Ne kemi vendosur t’i heqim ritransmetimet dhe të fusim programe të reja me idenë që e shtunë e diela të jetë pak më çlodhëse. Njerëzit janë në shtëpi, kanë nevojë të ndjekin këshilla për kuzhinën, kanë nevojë të ndjekin reportazhe si “Histori Shqiptare” e cila tani ka kaluar në Klan, program i Alma Çupit, që ka nisur të dielave në orën 11:00. Pasohet me “Jo vetëm modë” në 12:15 dhe më pas vijon Arditi, që ka programin e njohur tashmë “E diela shqiptare”.
Në fundjavë do të fillojmë një emision tjetër, por këtu nuk kemi ende një emër prezantueseje, sepse jemi në fazë negociatash, që lidhet me operacionet plastike, një trend i ri në Shqipëri. Emisioni do të ketë në fokus historinë e një personazhi dhe më pas do të vijojë me elemente të tjerë.

Një emision tjetër që presim sërish të nisë në hapësirën e së shtunës dhe së dielës do të jetë “Traveling”. Do të sjellë destinacione të aksesueshme, për të gjithë shqiptarët. Sigurisht jashtë Shqipërisë, afër dhe larg, por që mund të jenë të aksesueshme dhe ne do të trajtojmë mënyrën sesi. Si mund të shkohet me një biletë të lirë, si mund të gjendet një hotel i mirë dhe ekonomik dhe e gjitha kjo ndërthuret me elemente që kanë të bëjnë dhe me arkitekturën, më pak histori dhe më pak kulinari. Producentët e këtij emisioni do të jenë të specializuar në këto fusha, arkitekturë dhe histori. Do të sjellim një qytet në dimensionin e tij të thelluar dhe rrugëtimi do të bëhet nga gazetari i emisionit. Ai do të bëjë jetën e një udhëtari dhe do tregojë se cilat janë qytetet më atraktive, ku janë muzetë më të mirë, sheshet që ia vlejnë të vizitohen, kinematë, teatrot, restorantet, plazhet, pra një paketë miks për këtë.

Si erdhi vendimi për orientimin drejt çlodhjes? Keni bërë një studim për këtë dhe ka rezultuar që e kërkon audienca apo është në balancë të formateve të tjera si politikë e informacion?

Nuk mund t’i quaj vetëm programe relaksi. Janë tendenca të kohës. Folëm për ushqimin. Mënyra e të ushqyerit të shëndetshëm po kthehet gati në fe sot, në të gjithë Europën. Ka kanale në Francë që unë i ndjek që kanë pesë deri në gjashtë programe, që kanë të bëjnë vetëm me të ngrënët, me gatimin, restorantet, këshillat praktike, trajtimet. Pra gjëra që kanë të bëjnë me ushqyerjen e njeriut. Trendet sot janë në atë fazë sa njerëzit që kanë një punë, sigurojnë ca të ardhura, interesohen të rrisin cilësinë e jetës dhe për ta bërë këtë, kanë nevojë për informacione të përzgjedhura mirë, sepse tregu është i mbytur.

Po të hapësh web-et ke plot variante që sugjerojnë të hash apo të mos hash diçka me argumentin se ka një efekt apo një tjetër. Ka një bum të madh të kësaj kategorie dhe ato që mbijetojnë janë programet e përzgjedhura mirë, të bëra nga profesionistë që u përgjigjen nevojave të njerëzve. Një arsye tjetër e këtij orientimi është që pjesën e informacionit apo politikës, Klan-i e ka, kështu që shtimi i programeve në orare që unë thashë, të paradites, që nuk dëmton prime time-n (fashën kryesore me audiencën më të lartë), që nuk heq pjesën apo palcën, është plotësuese.

Si e shihni interesin e biznesit ndaj programeve të reja, pra për të reklamuar? Si i shihni në këtë sezon, a janë më të gatshëm për të reklamuar?

Nuk vë re ndonjë ndryshim të madh. Vazhdon të ndihet kriza e biznesit dhe shkurtimi i buxheteve. Problemi është që bizneset nganjëherë i bien shkurt, duan emisionet e prime time, ato që ata kanë një lloj sigurie, ngaqë mungon kërkimi, studimi i tregut dhe marketingu i profesionalizuar. Unë mendoj që kjo gjë do të ndryshojë dhe jam i bindur që dhe audienca do të reagojë ndaj emisioneve dhe them që dhe biznesi do të orientohet ndaj tyre. Edhe ata që deri tani nuk e kanë gjetur veten në tregun mediatik, apo e kanë të vështirë të reklamojnë në prime time, me emisionet e reja mund ta gjejnë këtë hapësirë. Detyra jonë është të bëjmë programe cilësore, të marrim ne të parët riskun për ta nxjerrë produktin dhe pastaj t’ia lëmë në dorë tregut të reagojë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of