Të paktën 77 për qind e vendit është e mbuluar me plane vendore duke bërë që zhvillimi i territorit të jetë i kontrolluar. Shifrën e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë forumit me temë “ Planet e përgjithshme vendore, një instrument dhe qasje e re për konsolidimin e reformës territorial”.
“Me miratimin e planeve të pjesës më të madhe të bashkive, kemi bërë që pjesë më të madhe te territorit të Shqipërisë, rreth 77 % të territorit, e kemi të mbuluar me plane tashmë të qarta zhvillimore dhe që realisht iu takon autoriteteve vendore por edhe qeverisë, për mënyrën si do ndërveprojnë mes tyre në mënyrë që ky zhvillim të jetë me të vërtetë i qëndrueshëm dhe në përputhje më këto instrumente strategjik që kemi miratuar, ndryshe gjithçka që bëjmë do të jetë një dështim” u shpreh ministri.
Nga ana tjetër ai theksoi se krerët e bashkive që tashmë kanë një plan të miratuar duhet të ngrejnë problematikat që kanë hasur në mënyrë që të gjenden edhe instrumentet e nevojshëm për një zbatim sa më efikas.
“Pra, instrumenti strategjik të mos ndryshojë, jo t’i përshtatet interesave të ndryshme lokale, apo sa herë ka zgjedhje lokale apo edhe qendrore. Shpesh herë presioni më i madh i instrumentave strategjikë është populizmi i rastit, interesat e vogla lokale të cilat do të bëjnë presion për të ndryshuar një instrument që është strategjik. Duhet të ketë një pasqyrim që shkon me një kah të zhvillimit të qëndrueshëm dhe me një cikël kohor të pranueshëm, jo sa herë ka një grupim interesi apo sa herë ka një ndryshim rrotacioni në pushtetin vendor të kemi presion për ndryshimin e tyre. Ndryshe ne do të përsërisim gabimet që kanë bërë edhe të tjerët me parë dhe asnjëherë Shqipëria nuk do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm” tha Gjiknuri.
Forumi i mbajtur në Tiranë ishte një bashkëpunim i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Në forum morën pjesë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë , Damian Gjiknuri, drejtoresha e përgjithshme e AKPT-së, Adelina Greca, ambasadori zviceran Christoph Graf, kryetarë të bashkive, si edhe drejtues të institucioneve qendrore e vendore në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.