Teksa tregu i reklamave në total nuk po njeh rritje prej disa vitesh, agjencitë publicitare janë përpjekur të rindajnë tortën e klientëve ekzistuese. Disa prej tyre kanë shënuar rënie në 2014-n e të tjerë kanë rimarrë veten.
Aktiviteti i agjencive është shumë i luhatshëm, në varësi të klientëve që mund të humbin, apo fitimit të të rinjve dhe qarkullimi vjetor i tyre paraqet luhatje të mëdha nga njëri vit te tjetri. Pjesa më e madhe e qarkullimit të tyre vjen nga blerja e hapësirave publicitare, por që sipas aktorëve të tregut ka dhe marzhin më të ulët të fitimit, ndërsa më fitimprurëse janë shërbimet e tjera si kërkimi, krijueshmëria dhe prodhimi i spoteve etj., të cilat gjithnjë e më shumë kanë filluar të ofrohen nga agjencitë në vend.
Qarkullimi vjetor i 18 agjencive kryesore publicitare në vend ra me 5% me bazë vjetore në vitin 2015 (shiko tabelën: Të ardhurat e agjencive kryesore publicitare në vend, lekë).
Le Spot Group është operatori më i madh në këtë segment. Të ardhurat e kompanive të grupit, sipas bilancit përmbledhës të Le Spot ishin 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro), me një rritje prej 15%. Tre kompanitë e saj (me pronësi direkte dhe indirekte) Unlimited Media, Optimum Media, Le Spot Production janë më të mëdhatë në tregun e agjencive të publicitetit (shih tabelën). Vodafone, reklamuesi më i madh në vend, është klienti kryesor i grupit. Grupi ka gjithsej në pronësi direkte 12 shoqëri, ku më kryesorja është Unlimited Media.
Pas rënies së McCann Tirana, Landmark Communication ka kaluar në agjencinë e dytë më të madhe në vend, pas grupit Le Spot për vitin 2015.
Ogilvy e ka marrë veten pas rënies për tre vjet radhazi, duke zgjeruar të ardhurat me 32% në 2015-n.
Ndër agjencitë me rritjen më të shpejtë për 2015 janë Iceberg Communication (e specializuar në evente), Java Publicity dhe Event Stories. Rritja e agjencive që merren me organizim eventesh ka reflektuar diversifikimin e fushatave të kompanive kryesore, për të shkuar direkt te klienti, jo vetëm përmes medias masive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.