Dhoma Amerikane e Tregtisë ka bërë të njohur publikimin më të fundit të saj, Indeksi i Biznesit 2014, sipas të cilës vendi ynë ka një pikëzim prej 42.77 nga 100 të tilla, me një trend në rritje për vitin 2015.
E krahasuar me vitin 2013, shihet një përmirësim në dukje të klimës së biznesit për vitin 2014, me një rritje prej 2,56 pikësh. Raporti tregon se 45 % të anëtarëve të Dhomës së Tregtisë vijojnë ta shikojnë klimën e biznesit në Shqipëri përgjatë 2014 jo shumë të favorshme.
Pritshmëritë për klimën e biznesit në 2015 janë 45,49, sërish më rritje edhe pas 2014.
Tre shqetësimet kryesore të vitit të shkuar, të raportuar në këtë publikim, ishin ekonomia informale (28.04%), burokracitë qeveritare (31,31%) dhe konkurrenca e pandershme apo monopoli (31,78 %).
Personat e anketuar kishin, këtë vit, një perceptim pozitiv për marrëdhëniet e klientëve me autoritetet, qeverinë lokale, ministritë, autoritetet taksues dhe gjykatat.
Një tjetër pikë që shihet me përmirësim me vitet, ishte kërkesa për të mira dhe shërbime, e cila duket se në 2014 është përmirësuar dhe madje, pritet të vijojë me rritje në 2015, ndërsa eksporti vijon me ulje dhe i tillë mendohet të jetë edhe në 2015.
Metodologjia:
Indeksi i Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë ka tre përbërës kryesorë: sondazhi me anëtarët e saj me pyetje lidhur me mjedsin e zhvillimit të biznesit në Shqipëri; raporti, i cili analizon dhe prezanton rezultatet e sondazhit; perceptimet për vijimin e klimës së biznesit.
Numri i kompanive që morën pjesë në sondazh ishin 112 nga 220 që janë pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Ky sondazh është kryer online nga 16 Shkurt – 13 Mars 2015, duke përdorur një platform online (suerveymonkey.com) dhe të dhënat janë përpunuar nga Konsort.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.