Për herë të parë, noterët do të mund të kenë një zëvendësues, i cili do të ketë të drejtë që të ofrojë shërbimet, por nuk do të ketë titullin.
Ky është një nga amendimet që pritet t’i shtohen projektligjit “Për Noterinë” që ndodhet në tavolinat e ligjvënësve. Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi, thotë se janë bërë gati disa propozime për ndryshime në projektligj, që do të forcojnë më tej rolin e noterit. “Ne do të propozojmë që për herë të parë në Shqipëri të përfshihet edhe roli i zëvendësuesit të noterit, i cili do të mund të ofrojë shërbime, por jo me titull. Në çdo rast, ai do të jetë në listë pritjeje për t’u bërë noter sa herë që do të hapet një vend i ri. Këto propozime, që do të pasohen edhe nga të tjera në fushën e trajnimeve apo edhe në funksionimin e ri të Dhomës, ndjekin modelin gjerman”, tha znj.Sadushi.
Projektligji parashikon edhe ndryshimin e numrit të noterëve që do të ketë vendi në bazë të popullsisë, duke iu përafruar standardit europian. Numri i tyre do të jetë në bazë të raportit 1:10,000 banorë, i ngjashëm ky me atë në Itali (1:7,000, Belgjikë 1:9,000, Kosovë 1:15,000) etj. Densiteti i noterëve është më i lartë në qytetet kryesore. Vetëm në Tiranë janë afërsisht 172 noterë, nga 460 që janë sot në rang vendi.
Ndërsa në lidhje me procesin e rivlerësimit të pronave, për të cilin qeveria shtyu edhe afatin deri më 31 maj, znj. Sadushi tha se ky ishte një veprim i drejtë pasi ishin krijuar radhë. Aktualisht flukset pranë noterëve janë normalizuar, ndërsa ende nuk mund të flitet nëse do të merret në konsideratë edhe një shtyrje tjetër, duke qenë se ka mjaft kërkesa qoftë nga individët, ashtu edhe bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.