Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka nisur një program bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë (BSH), Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQRK) dhe Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë (BKRM). Për këtë program, Bashkimi Evropian (BE) ka dhënë 500,000 euro nga fondet e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit.
Programi synon përgatitjen e këtyre bankave qendrore për anëtarësim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (ESCB), pasi ekonomitë përkatëse të kenë përmbushur kërkesat për anëtarësim në BE. Në kuadrin e programit, do të përgatiten raporte për vlerësimin e nevojave për BSH-në dhe BQRK-në, duke identifikuar progresin e mëtejshëm që duhet bërë për përmbushjen e standardeve të BE-së për bankat qendrore. Më tej, programi do të analizojë përparësitë për forcimin e mëtejshëm të BKRM-së, pas vlerësimit të nevojave të funksioneve të BKRM-së, i cili u krye gjatë viteve 2012-2013.
Në themel të këtij programi bashkëpunimi, Raporti i parë i Ndërmjetëm u nënshkrua sot në Tiranë nga Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Ardian Fullani, Guvernatori i BSH-së, Bedri Hamza, Guvernator i BQRK-së, Fadilj Bajrami, Zëvendësguvernator i BKRM-së dhe Clive Rumbold përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Të gjithë nënshkruesit e mirëpritën këtë program si një tjetër hap për forcimin e bashkëpunimit midis bankave qendrore në Evropë dhe përforcimin e lidhjeve midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke njoftuar fillimin e programit, z. Mersch tha: “Bankat e forta qendrore luajnë rol kyç për stabilitetin monetar dhe financiar në Evropë dhe në gjithë botën. Me këtë nismë të përbashkët, komuniteti i bankave qendrore në BE qëndron i gatshëm të mbështesë kolegët tanë në Ballkanin Perëndimor, në përpjekjet e tyre për të sjellë standardet më të larta, me përfitim për vendet dhe popujt të tyre”.
Z. Fullani shtoi se: “Qëllimi përfundimtar i asistencës teknike të BQE-së shkon përtej transferimit të ekspertizës. Duke ndarë praktikat e mira të zhvilluara brenda ESCB-së dhe duke forcuar marrëdhënie afatgjata midis bankave qendrore të rajonit, BQE-ja na ndihmon jo vetëm për të arritur nivele më të larta pavarësie, llogaridhënieje dhe profesionalizmi, por edhe për të nxitur stabilitetin monetar dhe financiar në rajonin tonë”.
Kjo nënkupton se në përfundim të projektit, Banka e Shqipërisë do të ketë përfituar nga asistenca e duhur teknike për t’i mundësuar ushtrimin e përgjegjësive të veta institucionale, në fushat e përcaktuara nga marrëveshja, në mënyrë më efektive dhe më efiçente. Unë besoj se faktori kryesor i suksesit në programe të tilla bashkëpunimi teknik është i lidhur ngushtë me pasjen e synimeve dhe objektivave të qarta, të vendosur në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë.
“Marrëveshjet e binjakëzimit janë një instrument i rëndësishëm për të siguruar përputhshmërinë e Shqipërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Marrëveshja aktuale vjen në kohën e duhur, duke pasur parasysh se vetëm dy muaj na ndajnë nga marrja e vendimit për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Objektivi përfundimtar i këtij bashkëpunimi do te shkoje përtej ndihmesës për të arritur nivele të larta profesionalizmi, pavarësie dhe transparence. Ai do te kontribuoje në promovimin e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Gjithashtu, ndihma e përfituar do ti japë një shtyse procesit te integrimit evropian, duke pasur si fokus të veçantë përmbushjen e kritereve të konvergjencës ligjore dhe ekonomike me Bashkimin Evropian. Kjo thekson edhe një herë rolin e integrimit evropian si një motor i modernizimit ekonomik dhe shoqëror në vendet tona.
Marrëveshja e sotme vjen në një moment kur angazhimi i Bankës Qendrore Evropiane në rajonin tonë nuk fokusohet vetëm në fushën e bashkëpunimit teknik, por shtrihet dhe në atë politike.
Përveç monitorimit të ngushtë të ekonomisë shqiptare dhe atyre të rajonit, Banka Qendrore Evropiane luan një rol aktiv në nismën Vjena 2, e cila synon të identifikojë dhe të zbusë rreziqet sistemike në vendet ku operojnë banka evropiane. Kjo nismë po eksperimenton një mekanizëm të ri bashkërendues midis Bashkimit Evropian dhe rajonit tonë, duke mbledhur përfaqësues nga bankat mëmë, filialet, autoritetet mbikëqyrëse mëmë dhe ato pritëse, institucionet financiare ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian”, tha Fullani.
Gjithashtu, Banka Qendrore Evropiane ka filluar të marrë përsipër një rol të ri mbikëqyrës për rreth 130 bankave sistemike në Eurozonë, një pjesë e të cilave ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri apo në vendet e tjera të rajonit përmes degëve dhe filialeve. Ky rol, i cili pritet të bëhet funksional në terren prej muajit nëntor të këtij viti, do të ushtrohet në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse kombëtare dhe do të ketë implikime edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, për shkak të pranisë së bankave me seli në Eurozonë në sektorët tanë bankarë.
Duke theksuar rëndësinë e kritereve ekonomike për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, z. Rumbold u shpreh se: “Me rritjen e numrit të Shteteve Anëtare nga 6 në 28, BE ka mësuar rëndësinë thelbësore të trajtimit në radhë të parë të parimeve themelore. Këto parime përfshijnë: shtetin e së drejtës, qeverisjen ekonomike, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore. Është thelbësore që Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit të intensifikojnë reformat për të ndërtuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, për të përballur sfidat që nevojiten për përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësimin në BE dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.